Shkence

E megjithatë evolucioni vazhdon

Ajo që do të ndodhë, ndoshta veç rezistencës së sëmundjeve, varet tani nga një seri faktorësh që do të kompletojnë shtysat biologjike. Sepse në thellësi, edhe pse kemi mbrapa miliona vite evolucion, jemi mbi të gjitha një kafshë kulturore. Njeriu nuk ka reshtur kurrë së ndryshuari, e do të vazhdojë ta bëjë. Deri sa të bëhet…

evoluzione

Një përzierje e të gjitha etnive botërore, me gratë më të shkurtra e më të bëshme. Më pak fëmijë, më të shëndetshëm e me jetë më të gjatë.
Truri më i vogël, por më efikas. Njerëzimi i mundshëm i të ardhmes do të jetë ky, në bazë të tendencave të ekstrapolimeve të të gjenetikës: pra, nuk do ketë kafkë gjigande e sy si bufi, as edje lëkurë të bardhë e trup shumë të hollë, siç ka guxuar ta parashikojëdikush.
Nëse ndryshimet e trupit tonë do të jenë diktuar mbi të gjitha nga shkenca dhe nga teknologjia, nga proteza e nga impiante, edhe natyra vazhdon në fakt të thotë të sajën. E në mungesë të sferave të kristalit, për të kuptuar kur (e si) do të transformohemi, përkundër veprimit të gjeneve, mënyra më e mirë është të kthejmë vështrimin nga e shkuara. Disa evolucionistë të famshëm (Steve Jones, një gjenetist i Kolegjit Universitar të Londrës, dhe paleontologu i ndjerë Stephen J. Gould) besojnë se është e vërtetë që mjekësia dhe teknologjia kanë marrë nga evolucioni, por shumë studime konfirmojnë në vend të kësaj që deri në ditët e sotme, në trashëgiminë gjenetike të njeriut, ndryshimet kanë qënë konstantë.
Mutacione
Le të marrim për shembull qumështin. Jo më shumë sesa 7.500 vjet më parë (vetëm një moment, nga këndvështrimi gjeologjik), në një fis të vogël të Europës Veriore disa fëmijë ia dolën të pinin qumshtin e lopëve, pas prerjes së gjirit, në ndryshim nga gjyshërit e tyre që njëherë që rriteshin, nuk ia dilnin ta kalonin poshtë. Në këta fëmijë, rastësisht, enzima që tret qumështin (laktaza) nuk ishte “shuar” me rritjen, siç ndodhte më parë. Falë këtij mutacioni, trupi vazhdonte të prodhonte e të transformonte qumështin e lopës në një burim ushqyesish e uji të pastër. E më pas drithërat. Rreth 10 mijë vjet më parë teknologjitë kanë vënë në dispozicion të njeriut drithërat, që janë burim i amidonit e prandaj i ushqimit themelor edhe sot. Tamam në atë kohë në gjenet për amilazën, enzima që tret amidonin, është përhapur një mutacion: disa popullsi kishin shumë cifte e prandaj prodhonin më shumë amilazë, duke qënë kështu në gjendje për të përfituar nga revolucioni bujqësor.
janë gjene të dobishme dhe është e kuptueshme që specia jonë është e pasur me to. Por jemi duke studiuar modifikime të tjera të gjenomës, të kohëve të fundit e për momentin misterioze. Rreth 37 mijë vjet të shkuar, për shembull, në gjenin e quajtur mikrocefalina ndodhi një mutacion. Tani është përhapur në 70% të popullsisë. Nuk e dimë se çfarë bën (duket e implikuar në strukturën e trurit), por shpejtësia me të cilën është e përhapur të bën të mendosh që efektet e tij të jenë pozitive. Edhe sytë e kaltër, prezent në rreth 8%  të njerëzimit, kanë lindur nga një mutacion i vetëm që nuk duket të japë asnjë avantazh.
Një ndryshim tjetër është megjithatë pak më shumë shqetësues. Sipas Brian Sykes, një gjenetist i Universitetit të Oksfordit, humbja e vazhdueshme e gjeneve nga ana e kromozomit Y (ai që prodhon tiparet seksuale tek meshkujt) do t’i bëjë burrat sterilë, dersa t’i bëjë të zhduken. Fatmirësisht, kërkime të tjera kanë përgënjeshtruar këtë profeci fatkeqësish.
Rastësia dhe nevoja.
Qumështi, drithërat, sytë blu. Kemi qënë me fat, e mutacionet janë rastësi që kanë ndodhur tamam kur ne kemi patur nevojë? “Aspak në fakt”, thotë Maurizio Casiraghi, professor i biologjisë evolutive në Universitetin e Milanos. “Gjenet tona ndryshojnë në mënyrë konstante pa i vënë veshin rezultatit dhe mutacionet e laktazës mund të kenë ndodhur edhe herë të tjera në të shkuarën”. Vetëm kur zbutja e gjedhëve vuri në dispozicion qumështin e tyre, ky mutacion, siç thonë biologët, filloi të përhapet; më parë thjeshtë u zhduk sepse ishte i padobishëm.
Nëse duam të imagjinojmë të ardhmen tonë gjenetike duhet më pas të bëjmë llogarinë që specia jonë është shumë më komplekse dhe “elastike” nga sa e mendojmë. Mjafton të shohësh cfarë i ndodhi skeletit tonë kur stili i jetës u transformua: sipas Alison Macintosh, e Universitetit të Kembrixhit, gjuajtësit-vjelësit që banonin në luginën e Danubit kishin kocka të forta si ato të maratonakëve të sotëm. Por mjaftuan një seri mijëra vjeçarësh në bujqësisë, që burrat të transformoheshin në kultivues dembelë e të shëndoshë. E njëjta gjë ka ndodhur me formën e strukturës së fytyrës e të dhëmbëve: përtypja e ushqimeve të buta ka bërë që mandibula të bëhej më delikate. Kjo nuk erdhi nga ndryshimi i gjeneve, por me “plasticitetin”, që është mundësia që një trup të transformohet sipas kushteve.
Gjithmonë në ndryshim
Pra nuk është aspak kulmi i krijimit, apo stadi final i evolucionit. Jemi e do të jemi të ndryshueshëm si speciet e tjera dhe të plazmuar nga natyra. Si fillon atëherë ky ndryshim? Në ditët tona askush nuk vdes i vrarë nga një tigër me dhëmbët shpatë, dhe shumë pak vdesin prej ndonjë infeksioni banal. T menduarit sipas këtyre rregullave, thotë Alexandre Courtiol i Insitutit për Kërkime Zoologjike në Berlin, është një ide e gabuar e evolucionit. Një proces që nuk është i bazuar vetëm mbi vdekjen: janë lindjet që furnizojnë me benzinë ndryshimin. Kush bën më shumë fëmijë që mbijetojnë ka më shumë probabilitet t’ua lërë gjenet e veta brezave pasues. “Kur kushtet të përmirësohen, mbijetesa e të lindurve të rinj do të rritet e njerëzit do të fillojnë të riprodhohen më pak. Në vazhdën e pak gjeneratave shkon si mesatare nga pesë fëmijë në dy, siç e kemi treguar në studimin tonë në Finlandë”, tregon Courtiol. Ka të bëjë me një ndryshim radikal, “tranzicionin demografik”, i cili po ndodh në të gjitha vendet e Tokës.
Çfarë sjell si rezultat ky ndryshim i pjellorisë? “Me më pak fëmijë ka më pak variacione në gjenet humane, e kështu më pak “hapësirë” për përzgjedhjen natyrale. Që megjithatë nuk është anuluar, përkundrazi. Nëse një herë e një kohë mbijetonin fëmijët rezistentë ndaj sëmundjeve ose urisë, tani janë shpërblyer gjenet që influencojnë sjelljen e vendimet, mbi të gjitha ato që kanë të bëjnë me riprodhimin”. Për tranzicionin demografik do të modifikohen ndoshta sjellja jonë dhe trupi ynë. Studimet e Courtiol, e kërkime të tjera si ato të gjenetistit Stephen Stearns, kanë demonstruar për shembull që janë gratë më pak të gjata e më të shëndosha që kanë fëmijë që mbijetojnë. Në të ardhmen mund të mëshohet kjo tendencë, së bashku me kolesterolin më të ulët. Tendenca të tjera që mund të pasojnë janë zvogëlimi i fillimit të moshës prodhuese e zgjatja e po kësaj. Rezultati? Gratë, sipas këtyre modeleve, përveçse janë paksa më të vogla e më të bëshme, mund t’i bëjnë fëmijët pak më vonë, mbase deri mbas të 40-ave.
E vogla është e bukur
Mjekësia nuk mund të mbrohet megjithatë përgjithmonë nga modifikimet ambientale, e përzgjedhja mund të kthehet e të funksionojë. Për shembull, nëse ndryshimet e nxitura nga ngrohja globale do të bëhen më të rënda, një numër i caktuar i parazitëve tropikalë, përfshirë ebolën, do të spostohen në veri dhe do të godasin perëndimorët. Në këtë pikë do të hyjnë në lojë mutacionet pozitive. Që janë tashmë të shpërndara në popullsitë e ndryshme: 1% e kaukazianëve ka një mutacion në një gjen që i mbron nga virusi i HIV. E grupe të caktuara afrikane i kanë rruazat e kuqe të ndryshme nga ato normale, një karakteristike që i mbron nga malarja. Të gjitha rastet e popullsisë së vogël e të izoluar, ose mutacione që ngrihen aty e këtu, rastësisht. “Fenomenet e evolucionit të shpejtë ndodhin  gjithmonë në grupe të vogla individësh”, thotë Gui­do Barbujani, gjenetist në Universitetin e Ferraras. Por këto mutacione mbeten në popullsi vetëm nëse ka një seleksionim të fortë natyral; është rasti i sëmundjeve të shpejta vdekjeprurëse, si Ebola.
Përplasje forcash
Sa keq, vëzhgon Barbujani, që jemi shtatë miliardë e që përzierja e vazhdueshme e popullsisë “hollon” mutacionet pozitive në brendësi të gjithë njerëzimit. Courtiol nuk është dakort: “Jemi shumë larg nga kjo gjendje. Personat e një besimi të caktuar çiftohen me më shumë probabilitet me të tjerë nga i njëjti besim; ndodh edhe për prirje politike, ose kulturore, ose linguistike”. E ardhmja jonë, në përgjithësi, do të vendoset nga këto dy forca shumë të fuqishme: nga njëra anë globalizimi, nga ana tjetër barrierat kulturore për martesat e “përziera”. Si do të bëhemi atëherë? “Varet nga sjellja jonë”, konkludon Barbujani. “Në Brazil nuk ka patur një segregacion njerëzish në bazë të ngjyrës së lëkurës, e atje ka nga të gjitha kombinacionet e karaktereve të mundshme e të imagjinueshme. Në vend të kësaj Shtetet e Bashkuara kanë akoma një dallim të mprehtë midis të zinjve e të bardhëve. E është e dukshme”.
Ajo që do të ndodhë, ndoshta veç rezistencës së sëmundjeve, varet tani nga një seri faktorësh që do të kompletojnë shtysat biologjike. Sepse në thellësi, edhe pse kemi mbrapa miliona vite evolucion, jemi mbi të gjitha një kafshë kulturore. /Marco Ferrari/Focus/

Leave a Reply

Back to top button