MAIN

E sfidoi Covid-19, por u infektua: Donald Trumpi, si një përrallë morale

Nga Frank Bruni

Edhe unë reagova me cinizmin që e ka infektuar keq politikën amerikane. Reagimi im i parë ndaj lajmit se presidenti Trump kishte testuar pozitiv me koronavirusin e ri ishte:A jemi të sigurt? A mund t’i besojmë këtij lajmi?

Një njeri që kaq shpesh tallet ose luan rolin e viktimës, dhe që tallej me rivalin Xho Bajden  për kujdesin personal që tregon ndaj situatës, po detyrohet tani të braktisë fushatën elektorale. Unë nuk mund të mos mendoj se kjo nuk ka lidhje me karma-n.

Trump ka shpenzuar 6 muajt e fundit, kohë gjatë të cilës më shumë se 200.000 amerikanë vdiqën nga shkaqe të lidhura me koronavirusin, duke e minimizuar seriozitetin e pandemisë, dhe duke refuzuar shumë nga masat mbrojtëse që rekomandojnë autoritetet e shëndetit publik.

Ai nuk mbante maskë në fytyrë. Dhe inkurajoi tubime të mëdha elektorale – përfshirë ato në Tulsa të Oklahomës, ku mori pjesë edhe Herman Kein para se të sëmurej me koronavirusin e ri dhe të ndërronte jetë, dhe fjalimin e tij para konventës republikane, ku qindra dhe madje mijëra njerëz, shumica pa maskë ishin ngjitur me njëri-tjetrin.

Në debatin e parë presidencial të së martës në mbrëmje, ai u tall shpesh me Bajdenin për mbajtjen e maskës, duke sugjeruar se kjo gjë ishte një shenjë e…çfarë? E druajtjes? Dobësisë së tij? Vanitetit moral?

Me Trumpin kjo mund të jetë e vështirë të dihet, dhe është e vështirë të dihet nisa sfida e tij ishte një lloj i dëshiruar të menduarit rreth seriozitetit të koronavirusit, një reflektim i besimit në pathyeshmërinë e vet fizike, një kombinim i të dyjave, ose asnjëra prej tyre.

Por është e lehtë të identifikohet morali i kësaj historie. Më e qartë, është se koronavirusi nuk është zhdukur dhe se nuk ka asnjë garanci, në kundërshtim me profecitë optimiste të presidentit, se ai do të zhdukej shpejt, kjo sigurisht që nuk ka për të ndodhur nëse do të vijojmë te jemi të shkujdesur në lidhje me të.

Dhe kjo na sjell tek një tjetër moral po aq i qartë, por me sa duket i nevojshëm për t’u artikuluar:ekziston një rrezik real nga të qenit arrogant. Presidenti Trump është tani mishërim i tij. Zonja e Parë gjithashtu. Por edhe Houp Hiks, një nga këshilltarët e tij më të afërt, dhe kush e di edhe se sa të tjerë në rrethin e tij të afërt?

Kjo pyetje ekziston, sepse që nga fillimi kur bëhej fjalë për koronavirusin, në Shtëpinë e Bardhë ka pasur një kulturë qëndrimesh dhe sjelljesh arrogante. Kjo kulturë ishte më e dukshme gjatë këtyre ditëve të fundit kur presidenti mburrte veten dhe administratën e tij për punën fantastike të bërë në lidhje me menaxhimin e pandemisë.

Ata e luftuan virusin me statusin e jashtëzakonshëm të SHBA-së lidere botërore, si në rastet pozitive ashtu edhe në numrin e të vdekurve nga koronavirusit. Kjo lloj kulture ishte e dukshme në tubimet që mbajti javët e fundit presidenti.

Kjo kulturë u shpalos edhe të enjten, kur sipas një artikulli nga Peter Bejker dhe Megi Haberman në “The Times”, Kajleig Mekenani, mbajti pa maskë një konferencë me gazetarët, dhe pasi ishte konfirmuar prekja me Covid-19 e Hiks, dhe kur Meknani kishte udhëtuar në një avion me të dhe ishte ekspozuar .

E lexova këtë gjë dhe shtanga për një moment. Por pastaj po pyesja veten se pse duhet të habitesha kur rreziqet diheshin shumë mirë. Kur kjo gjë ishte bërë rutinë në administratën Trump. Kur kishte një shpjegim se përse jemi këtu ku jemi si vend, dhe Trump është aty ku është si një president dhe pacient.

Më në fund ka ardhur koha të mësojmë. Të jemi më të zgjuar. Më të sigurt. Të jemi më të përgjegjshëm, ndaj të tjerëve, si dhe ndaj vetvetes. Ne nuk mund të fshijmë dot gabimet e bëra në përgjigjen e SHBA-së ndaj koronavirusit.

Por mund të zotohemi të mos i përsërisim ato në të ardhmen. Mënyra për të trajtuar sëmundjen e presidentit Trump është ajo e një pike kthese dhe një fillimi të ri. Ky duhet të jetë momenti kur të gjithë ndërgjegjësohemi.

Presidenca dhe presidenti janë gjithmonë pasqyra kombëtare, në shumë mënyra të ndryshme në të njëjtën kohë, dhe kjo aktuale është një pasqyrë tjetër morale. Trump ia ka treguar Amerikës pakënaqësitë e saj. Ai e ka modeluar tërbimin e saj. Tani ai personifikon pamaturinë e saj.

Sa e jashtëzakonshme dhe e dobishme do të jetë kjo në qoftë se kur ai i flet vendit në lidhje me këtë pandemi, në televizion apo përmes Twitter-it, ai të reflektojë një mendësi qytetare. Unë sigurisht që nuk kam shumë shpresë se kjo do të ndodhë.

Ai mund t’ia hedhë duke pasur vetëm simptoma të buta kryesisht simptomatike, duke u ndjerë më pas i justifikuar në qëndrimet që ka pasur. Por unë po kërkoj një qasje më të urtë dhe të përgjegjshme. Pasi nuk dua të jemi cinikë, pavarësisht se sa arsye na janë dhënë për të qenë të tillë. Unë dua që ne të jemi njerëz më të mirë. / NYT – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button