Your Life

E shkuara ka marrë fund. Është koha të shohësh nga e ardhmja

Kushedi se sa herë edhe ti, ashtu si unë, je zhytur në mendime të trishta për ngjarjet e së shkuarës tënde. Ka diçka të veçantë. Mendja jonë duket sikur dëshiron të kujtojë momentet më të trishta, ngjarjet më të dhimbshme, momentet kur ne kemi dështuar.
Dhe ndërkohë që mund të jemi duke u qetësuar, nuk mundemi dot. Çdo gjë na shfaqet si një film përpara syve dhe na mundon. Çdo vuajtje, çdo dështim është aty dhe nuk e ndryshojmë dot. Do të donim ta ndryshonim të shkuarën. Mendojmë se ashtu gjërat do të rridhnin krejtësisht ndryshe, por ja që e shkuara nuk ndryshohet. Koha ikën pa na pyetur dhe ato që kanë ndodhur, nuk rikthehen më.
Por duket tepër e vështirë ta besojmë diçka të tillë dhe ta bllokojmë mendjen ndaj kujtimeve të tilla. Duket e pamundur të mos i mendojmë ngjarjet e shkuara dhe të ecim përpara sikur asgjë s’ka ndodhur.
‘Do të gjendet gjithmonë një laps për të shkruar të tashmen, por nuk do të gjendet dot një gome për të fshirë të shkuarën’. Ky është mendimi klishe që ekziston thellë i ngulitur brenda nesh dhe nuk na lejon të kuptojmë se e tashmja dhe e ardhmja janë plot ngjyra.


Kam lexuar dikur, kur isha një fëmijë, një libër ku baza qëndronte tek të parit të pjesës më të bukur në gjithçka. Atje thuhej se mund të kaloje gjëra të tmerrshme, por në secilën prej tyre duhet të shihnim gjënë më të bukur, pasi në çdo të keqe, ekzistonte një gjë e mirë. Nëse ne mendojme se sot kemi arritur të jemi kështu siç Zoti ka dashur të jemi, nëse ne mendojmë sa më shumë që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për veten, përqendrimi ynë tek e shkuara do të zbehet. Është thjesht çështje perceptimi dhe subjektivizmi.
Sa më shumë të kuptojmë se ajo çfarë vlen është e tashmja dhe e ardhmja, aq më pak do të kapemi pas së shkuarës.
Njerëzit do të flasin për ne, do na fyejnë, do të përpiqen të na pengojnë për të arritur atje ku duam, por, edhe nëse ia arrijnë të na mundin, atëherë është më mirë të mendojmë se gjëra më të mira na presin, se sa të kapemi pas asaj ngjarjeje dhe të mos e jetojmë të tashmen, apo të mos mendojmë për të ardhmen tonë. Gjithçka e keni neve në dorë dhe ne mund t’ia dalim. Ne i kemi përballuar ato sfida me sukses, sepse jemi të fortë, mjaftueshëm të fortë sa për t’ia dalë mbanë në jetë. Na duhet thjesht të mos kapemi pas së shkuarës. Na duhet thjesht të jetojmë në maksimum të tashmen dhe të projektojmë të ardhmen, ashtu siç ne do e donim ta shihnim veten tonë pas disa kohësh. / Endri Hoxhaj / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button