Bota

E uroi në dasëm, tani do që ta arrestojë. Hakan Shukur, legjenda që u shndërrua në puçist

Screen Shot 2016-08-13 at 10.20.00

Po t’i shohësh të dy në një filmim të vjetër, i cili qarkullon ende në YouTube, është e vështirë të mendosh se bashkimi ka marrë fund. Eshtë viti 1995. Erdogani sapo është zgjedhur kryetar i Bashkisë së Stambollit. Me një këmishë të kuqe, është ndër të ftuarit më të rëndësishëm në dasëm. Dhëndrri? Hakan Shukur, kampioni i Gallatasarajit, i cili ka pak kohë që është shitur tek Torino. Por edhe dëshmitari nuk është nga ata që kalojnë pa u vënë re. Në të djathtë të Mbretit të Bosforit, i veshur krejt në ngjyrë bezhë, ndodhet predikuesi Fetullah Gulen.

Sot, më shumë se njëzetë vjet më vonë, aktorët janë të njëjtët. Por buzëqeshjet janë zhdukur. Pikërisht, sepse dje në listën e pastrimeve të urdhëruara pas grushtit të dështuar të shtetit të 15 korrikut, Erdogani (që në ndërkohë është bërë Kryeministër e më pas President, deri sa ka marrë edhe nofkën SUlltan), ka nxjerrë një urdhër arresti për Shukurin. Por jo vetëm kaq. I pakënaqur, i ka ngrirë llogaritë bankare dhe ka arrestuar të atin. Akuza: është pjesë e rrjetit të Gulenit, që kërkonte të godiste dhe përmbyste Sulltanin.

Lidhja mes Gulenit dhe Shukurit ka origjinë të largët. Me përfundimin e karrierës si futbollist – ku për pak kohë luajti edhe tek Interi i Milanos – në vitin 2011, ish kapiteni i kombëtares turke (ajo kombëtare që e udhëhoqi deri në gjysmëfinalen e Botërorit të Koresë, ku shënoi edhe golin më të shpejtë të Botërorëve), u fut në politikë me Akp-në e Erdoganit, ndoshta me këshillë të vetë Gulenit. Eshtë maskoti i përsosur për fotografitë e rastit. Kryeministri e merr nga pas në çdo eveniment. Në filmimet e arkivit shihet teksa luan me topin përballë Mbretëreshës Elisabetë gjatë vizitës së saj në Turqi, si dhe duke buzëqeshur gjatë darkave në Bosford. Megjithatë, prapa kuintave të tapetëve të kuq, buzëqeshjet u shuajtën dalëngadalë. Në dhjetor 2013, pas akuzave për korrupsion, Erdogani prishet përfundimisht me Gulenin. Shukurit i duhet të zgjedhë nga cila anë është, dhe ndjek rrugën e atit shpirtëror. “Eshtë e padurueshme të shoh që e trajtojnë tradhëtar, pas gjithë asaj që ka bërë për atdheun”, ka shkruajtur ai në letrën e dorëheqjes. Përplas derën dhe ikën nga Akp.

Për dy vjet Shukuri zhduket nga radarët, flokët i janë zbardhur dhe mjekrra i është zgjatur. Më pas, në vitin 2015, ndjek shembullin e predikuesit dhe transferohet në SHBA, ku projekton hapjen e një qendre sportive në Florida. Por Sulltani e mban në shënjestër. Në shkurt kërkon katër vite burg për një shënim në tuiter, ku Shukuri e ka quajtur “hajdut”. Ai vetëmbrohet. Erdogani është i tërbuar. I vërsulet edhe lojtarit të NBA Enes Kanter dhe pret momentin e hakmarrjes. Deri dje, kur i ka dhënë një herë e mirë fund idilit. /Corriere della Sera – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button