Shendeti

Ecja në natyrë dhe përfitimet e mëdha për trurin

Një studim i kohëve të fundit ka treguar vlera të mëdha në sistemin tonë nervor nga ecja në natyrë. Duket e paimagjinueshme, por përveç qetësisë që na fal, ecja në natyrë redukton stresin, ankthin, depresionin dhe na mbush me energji pozitive për të përballuar pjesën tjetër të ditës sonë.

Duke qenë se në ditët e sotme shumica e njerëzve po kalon nga zona rurale në atë urbane për jetesë, është vënë re një rritje e rasteve të pacientëve me ankth, depresion dhe stres. Mendohet se diçka e tillë vjen prej jetës sedentare, apo mungesës së hapësirave të gjelbra, në të cilat njerëzit mund të shëtisin lehtësisht. Këta faktorë kanë çuar në çrregullime të tilla në sistemin nervor qendror. Këto janë rezultatet e studimit më të fundit të bërë lidhur me përfitimet e të ecurit në natyrë.

Gjithë përfitimet lidhen me hormonet në organizmin tonë. Ecja ndikon në reduktimin e stresit dhe kjo mund të vihet re lehtësisht me rënien e kortizolit dhe katekolaminave në gjakun e njerëzve. Këto hormone lidhen pashmangshmërisht me gjendjen e stresit dhe rënia e tyre është një treguese tepër e mirë e reduktimit të stresit. Nga ana tjetër, çlirimi i endorfinave për reduktimin e dhimbjes dhe hormonit të serotoninës që merr pjesë në reduktimin e stresit, ankthit, depresionit dhe në krijimin e një humori më të mirë tek individi, e bën ecjen në natyrë një faktor tepër të rëndësishëm, i cili duhet përfshirë në rutinën tonë të përditshme.

Por sa duhet ecur? Minimalisht 30 minuta në ditë dhe gjithmonë duke pasur parasysh edhe personat që mbajmë pranë vetes në shëtitjet tona në natyrë. Bëni kujdes që të mbani pranë njerëz që ju bëjnë të ndiheni mirë, pasi përfitimet do të jenë akoma më të mëdha. Mbani në mendje se është më mirë të ecni të vetëm, se sa në një shoqëri të keqe. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button