Ekonomi

EKONOMI & TEKNOLOGJI / Tani sulmi vjen prej Whatsapp & Co

fbwhatsappNë fillim shkatërruan tregun e sms-ve, tani po i sulen atij të rrjeteve socialë. Aplikacionet e mesazherisë falas, që nga amerikania WhatsApp e deri tek kinezja WeChat janë duke pushtuar celularët tanë. Nga një shkarkim në tjetrin, akumulojnë shifra që i bëjnë kundërshtarë të frikshëm edhe për të mëdhenjtë si Facebook apo Twitter. BI Intelligence, shërbimi kërkimor i amerikanes Business Insider rendit të dhënat totale të katër rrjeteve socialë më të përdorur në botë (Facebook, Twitter, Instagram dhe LinkedIn) dhe i vë përballë atyre të katër aplikacioneve të mesazherisë që janë më të përdorur sot (WhatsApp, WeChat, Line, Facebook Messenger). Rezultati? Një hendek që, tremujor pas tremujori, ngushtohet gjithnjë e më shumë. Në fundin e vitit 2011, viti kur aplikacionet e mesazheve nisën të shfaqen në dyqanet virtualë të celularëve tanë, rrjetet socialë kishin një total prej 1 miliardë përdoruesish aktivë, kundrejt 150 milionë që kishin shërbimet rivalë. Në fund të vitit 2013, rrjetet socialë kishin arritur në 1 miliardë e 600 milionë përdorues aktivë në muaj, ndërsa aplikacionet e mesazherisë 800 milionë. Më tej, për këta të fundit pati një rritje të pandalshme. Kështu, në fundin e tremujorit të parë të 2014-ës, hendeku u ngushtua edhe më shumë: rrjetet socialë u rritën në 1 miliardë e 800 milionë përdorues aktivë në muaj, kundrejt 1 miliadë e 200 milionë të aplikacioneve të mesazherisë.

Rritje e vrullshme

Bumi i aplikacioneve të mesazheve për momentin rregjistrohet mes marsit 2013 dhe marsit 2014: një vit kur shtatë platformat më të mëdha në nivel global janë rritur me 148%, duke fituar në total 900 milionë përdorues të rinj sipas vlerësimeve të BI Intellligence. Për një pjesë të madhe të tyre suksesi ka ardhur me shpejtësi, përveç WhatsApp-it që nisi punën në 2009, të tjerët kanë hyrë në treg gjatë vitit 2011. Duke fituar terren në më pak se dy vite, edhe në tregje “të mbyllur” për rrjetet socialë të Silicon Valleyt: WeChat, për shembull ka lindur në Kinë dhe ka fituar me lehtësi tregun e brendshëm kinez. Por edhe Line, e lançuar në Japoni, ka një bazë të fortë në Azi.

Nga ana e tyre, rrjetet socialë janë “të vjetër” tashmë: Facebook, me 1 miliardë e 200 milionë përdoruesit aktivë është më i madhi në botë, por e ka arritur këtë në dhjetë vite ekzistencë. Diferenca mes rrjeteve socialë dhe aplikacioneve, që në fund të vitit 2011 ishte 850 milionë përdorues në muaj, dy vjet e gjysmë më vonë ka zbritur në 600 milionë, sipas grafikëve të BI Intelligence. Pra, nëse do të ketë parakalim, ai nuk do të ndodhë së afërmi. Por shifrat mjaftojnë për të zhytur në mendime drejtuesit e kompanive të rrjeteve socialë, të cilët po përpiqen të gjejnë mënyra të shfrytëzojnë tendencën në favor të tyre, duke ofruar shërbime të ngjashëm mesazherie në platformat e tyre.

Rregulla të ndryshëm

Twitter, për shembull, prej vitesh ka aplikuar rregulla shumë të shtrënguar për mesazhet e drejtpërdrejtë: nga një llogari mund të dërgosh mesazh në një tjetër, vetëm nëse i dyti është ndjekës i të parit. Një barrierë që rrjeti social me 140 gërma e ka hequr në fund të vitit 2013, duke futur një funksion për të “hapur” marrjen e mesazheve direktë edhe nga ata që nuk na ndjekin.

Nëse Twitter përpiqet të përshtatet me tregun, strategjia e Mark Zuckerbergut është edhe më e thjeshtë: nëse nuk e lufton dot rivalin, bëhu aleat me të. Ose më mirë akoma, blije. Kështu themeluesi i Facebookut fillimisht inauguroi Facebook Messenger në 2011 për t’iu kundërvënë WhatsAppit, por duke parë që nuk ia doli, në shkurt të këtij viti e bleu rivalin për një shifër astronomike prej 19 miliardë dollarësh. Snapchat refuzoi ofertat e tij? Zuckerberg pas blerjes së fundit, përshtati teknikën e kundërt dhe sapo ka nxjerrë Slingshot, një shërbim shumë i ngjashëm. Si Snapchat, edhe Slingshot bazohen në të njëjtin parim: të dyja lejojnë t’u dërgosh miqve fotografi, komente dhe video, që më pas vetëshkatërrohen.

Zuckerbergu duket se i ka bërë mirë llogaritë e tij. Nga katër rrjetet socialë që përmend BI Intelligence, dy i ka ai: njëri Facebook, që e ka krijuar, dhe tjetri Instagram, që e ka blerë. Nga 4 aplikacionet kryesorë të mesazherisë, dy janë nën kontrollin e tij: një Facebook Messenger që e ka lançuar vetë, tjetri WhatsApp, që e ka blerë. Në luftën mes rrjeteve socialë dhe aplikacioneve të mesazheve, për momentin ka vetëm një fitues. Ai është Mr. Facebook. Corriere Economia

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button