Analiza

Embargo ruse: Ekonomia e kapur nga gjeopolitika

Thierry Pouch

Ekonomist, Universiteti i Reimsit

sanksione rusiaEvolucioni gjeopolitik i Ukrainës, brishtësia e armëpushimit, mbledhja e ministrave të Bujqësisë në Bruksel më 5 shtator për të aprovuar një përgjigje ekonomike të përshtatshme ndaj embargos së vendosur nga Rusia, përbëjnë indikatorë plotësues të paqëndrueshmërisë në të cilën gjendet e zhytur ekonomia botërore

Shpesh, Rusia me të drejtë paraqitet si një nga aktorët e mëdhenj të bujqësisë botërore, sidomos për prodhimet e drithërave. Në vitin 2013, ajo u klasifikua në vendin e pestë të prodhuesve botërorë të drithërave, pas Shteteve të Bashkuara, Kinës, BE-së dhe Indisë, në vëndin e shtatë në fushën e eksporteve. Rusia renditet në dhjetë vendet krysore prodhuese dhe eksportuese të grurit.

Megjithatë, bujqësia ruse është larg plotësimit të nevojave ushqimore, meqënëse ajo siguron sipas viteve vetëm 60 deri 80% të nevojave të saj të brendshme ushqimore, pjesën tjetër duhet ta sigurojë nëpërmjet importeve, në veçanti nga vendet e BE-së. Eksportet agroushqimore të BE-së përfaqësojnë mesatarisht 8 deri në 9% të eksporteve të përgjithshme të kësaj zone.

Nxitimi me të cilin prodhuesit e produkteve bruto, të industrisve evropiane të përpunimit – dhe ato francezë në veçanti – reaguan për të vlerësuar impaktin e një embargoje të tillë të vendosur më 7 gusht tregon fare mirë shqetësimin që shkakton vendimi i Rusisë, në një kontekst apatie ekonomike. Në mënyrë pothuaj të menjëhershme, Komisioni Evropian reagoi me zhbllokimin e mjeteve buxhetore dhe të menaxhimit të tregjeve bujqësore.

Janë të përfshirë kryesisht, nga vendimi rus për të mbyllur tregun e saj për produktet bujqësore dhe ushqimore nga vendet e BE-së, produktet e bulmetit (Rusia për shembull është një nga importueset më të mëdha të djathrave dhe gjalpit), frutat dhe perimet dhe sektori i mishit.

Vendet anëtare më të ekspozuara duke i renditur nga rëndësia janë Polonia, vendet balltike, Hollanda, Spanja, Gjermania, Franca dhe Greqia, për arsye të peshës së eksporteve agroushqimore me destinacion Rusinë, në eksportet e tyre të përgjithshme.

Tre tipe pasojash janë tashmë në zbatim. Pasoja e parë është se kontratat me tregun rus përbëjnë sigurisht një humbje reale për prodhuesit evropianë, por nga fakti i ndërvartësisë ekonomike të lartë të vendeve antare të BE-së, tregu evropian duhet të luajë rolin e zëvendësuesit për tregun rus. Tregu midis vendeve komunitare do të njohë pra një gjendje ngopjeje. Sepse përveç tërheqjes së prodhimeve polake, spanjolle , hollandeze… në tregun e brendshëm të BE-së, ai ndërhyn në momentin më të keq, domethënë gjatë një faze të krizës ekonomike të mprehtë, kërkesa është veçanërisht pa gjallëri qysh prej zbatimit të politikave rigoroze në ekonomitë e vendeve anëtare të zonës euro. Pasoja e dytë lidhet me uljen e çmimeve të produkteve të bulmetit, frutave dhe perimeve, si edhe produkteve të mishit.

Më në fund embargo do ta shtyjë Rusinë të bëjë kontratë me vendet jashtë Evropës, të cilët janë në gjëndje për t’iu përgjigjur nevojave të saj ushqimore. Një ekonomi si ajo e Argjentinës, e prekur nga vështirësi të reja finaciare, mund të përfitojë nga efekti i shansit për të nxitur ekonominë e saj duke eksportuar më shumë fruta, produkte bulmeti apo mishi drejt Rusisë. Po kështu Brazili, Kili, Turqia, madje dhe Maroku.

Të gjitha këto ekonomi mbajnë për më tepër armën e zhvleftësimit të monedhave të tyre, me qëllim që të nxisin konkurueshmërinë e tyre dhe çmimet. Burimet e furnizimit nga këto vënde do t’i lejojnë Rusisë të sprapsë rrezikun inflacionist, i cili do të lindte për arsye të një oferte të pamjaftueshme me produkte ushqimore.

Embargo e vendosur dhe e zbatuar nga Moska përbën njëherë e më tepër një ilustrim të bukur të lidhjes së ngushtë të ekonomisë dhe të gjeopolitikës. Sanksionet e marra nga BE-ja (me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Norvegjinë dhe Australinë) ishin mbartëse të reagimit të Moskës, duke ndërhyrë në momentin më të keq për ekonominë evropiane. Vërejmë se çdo vendim i rendit gjeopolitik ka pasoja pothuaj të menjëhershme mbi aktivitetin ekonomik. Kjo është shfaqur më tepër me globalizimin dhe integrimin evropian, të cilat kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme shkallën e ndërvartësisë të shteteve. Goditjet përhapen shumë shpejt prandaj një depozitim ankese i BE-së pranë Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) duket nga më të guximshmet. OBT në të cilën Rusia është zyrtarisht antare qysh prej verës së vitit 2012, është në fakt e autorizuar të trajtojë pengesat në tregti, por jo të vendosë realisht mbi dëmet ekonomike të shkaktuara nga një vendim gjeopolitik.

Tensionet gjeopolitike shtohen në një botë të pasigurt dhe komplekse. Që sot e tutje kërkohet të përgatitemi, ose më mirë t’i paraprijmë turbulencave gjeoekonomike që mbartin ato. /Le Monde/

PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

 

Leave a Reply

Back to top button