Sekreti i fundit i Rajhut të Tretë: kush e fshehu të vërtetën për Hitlerin?

Mes konkluzionesh dhe kundërkonkluzionesh (nga libri “Ditët e fundit të Hitlerit)

Hitlerin

E vërteta dhe rusët

Teorikisht, për rusët nuk duhej të ekzistonte asnjë enigmë, sepse që në fillim ishin pikërisht ata që kishin në dorë pothuajse të gjitha provat. Më 2 maj 1945, ata hynë në bunkerin ku kishte vdekur Hitleri. Po atë ditë, ose jo më vonë se një ditë më pas, në një depo birre në Schönhauser Allee, kapën disa nga shërbyesit personalë të Hitlerit, njerëz që i dinin faktet dhe prej të cilëve të paktën dy u identifikuan brenda katër ditësh.

Kopshti i Kancelarisë, aty ku u gjetën eshtrat e Hitlerit, ndodhej nën kontrollin e tyre. Kështu, që në ditët e para të qershorit, rusët i dinin rrethanat e vdekjes së Hitlerit dhe kishin lokalizuar varrin, ndoshta edhe kishin identifikuar kufomën e tij, falë një sëre dëshmish që përputheshin me njëra-tjetrën. Përveç deklaratës së Krebsit në mbrëmjen midis 30 prillit dhe 1 majit, si edhe dëshmive të tjera që kishin mbledhur nga të burgosurit e bunkerit, ata kishin në dorë edhe një dokument të 9 majit, përballë të cilit, siç u pa, ishte thyer edhe rezistenca e Mengershauzenit, oficerit që kishte varrosur trupat e Hitlerit dhe Eva Braunit.

Për më tepër, zotëronin edhe dëshminë e vetë Mengershauzenit, i cili kishte lokalizuar varrin dhe kishte identifikuar kufomat e gjetura aty. Kishin gjithashtu dëshmitë e Hojzemanit, asistentes së doktor Hugo Blashkes, dentistit të Hitlerit, si edhe të burgosurve të tjerë për ditët e fundit në bunker. Së fundi, kishin edhe të dhëna teknike nga vetë Hojzemani dhe Ektmani, tekniku i dhëmbëve që në vitin 1944 kishte përgatitur protezat e Hitlerit dhe Eva Braunit, lidhur me gjendjen e dhëmbëve të tyre.

Në dorë kishin, siç theksonte të paktën vetë marshalli Zhukov, edhe ato “ditarë të adjutantëve”, nga të cilët më vonë u tha se kishte dalë edhe lajmi i martesës së Hitlerit me Eva Braunin. Këta “ditarë” mund të kenë qenë të një natyre të ngjashme me dokumentin e 9 qershorit, i cili në të vërtetë ishte hartuar më vonë dhe nuk ishte ditar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por mund të kenë qenë edhe dokumente të pavarura, që i shtoheshin tërësisë së provave.

Pikëpyetjet e veprimeve të rusëve

Pra, që në javën e parë të qershorit, rusët kishin në dorë një dokumentacion për ditët e fundit të Hitlerit shumë më të pasur se ai që unë arrita të siguroja për hetimin tim pesë muaj më vonë. Dhe këtu lind një pyetje legjitime: pse nuk i botuan kurrë përfundimet e tyre? Mos vallë nuk ishin të interesuar për sqarimin e fakteve? Sjellja e tyre gjatë kësaj periudhe e përjashton një hipotezë të tillë. Apo mos ishin jokompetentë në hetime sekrete?

Kontrolli që ata ushtruan në bunkerin e Hitlerit rezultoi, çuditërisht, jo i plotë. Për shembull, ditari i Hitlerit, një vëllim i trashë me përmasa 35 me 18 centimetra, mbeti i braktisur për katër muaj mbi një karrige, derisa ndërhyri një vizitor anglez. Por nuk ka dyshim se, në javën e parë të qershorit, autoritetet ushtarake sovjetike në Berlin e kishin pranuar tashmë vdekjen e Hitlerit.

Më 5 qershor, kur komandantët e lartë aleatë u takuan në Berlin për të përcaktuar kushtet paraprake të qeverisjes katërpalëshe, disa oficerë të lartë rusë u thanë oficerëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ajzenhauerit se trupi i Hitlerit ishte gjetur dhe identifikuar me “siguri të mjaftueshme”. Sipas tyre, kufoma ishte një nga katër trupat e gjetur në bunker dhe dukej e djegur në pjesën më të madhe nga flakët. Mjekët rusë e kishin këqyrur dhe, nga ekzaminimi i tyre, ishte arritur në një “identifikim pothuajse të sigurt”.

Fakti që rusët nuk e njoftonin zyrtarisht vdekjen e Hitlerit shpjegohej, sipas tyre, me dëshirën për të mos u komprometuar para se të zhdukej “edhe dyshimi më i vogël”. Megjithatë, lanë të kuptohej qartë se, në bazë të provave që kishin, vdekja e Hitlerit duhej konsideruar tashmë një fakt.

Zhukovi: “Rrethanat janë të mbuluara nga një mister i plotë”

Por vetëm katër ditë më vonë, më 9 qershor, marshalli Zhukov mbajti një konferencë për shtyp dhe, për problemin e vdekjes së Hitlerit, u shpreh krejt ndryshe. Ai nuk dha asgjë të saktë. “Rrethanat janë të mbuluara nga një mister i plotë”, tha. “Nuk e kemi identifikuar kufomën e Hitlerit. Nuk mund t’ju them asgjë të saktë për fundin e tij. Mund të ketë ikur në çastin e fundit me avion nga Berlini; kushtet e pistës e lejonin një gjë të tillë.”

Më pas foli komandanti ushtarak rus i Berlinit, gjenerali Berzarin, i cili deklaroi se Hitleri fare mirë mund të ishte ende gjallë. “Kemi gjetur shumë kufoma, mes të cilave mund të jetë edhe ajo e Hitlerit, por nuk jemi në gjendje ta pohojmë se është i vdekur. Mendimi im është se ai fshihet diku në Evropë, ndoshta pranë gjeneralit Franko.”

Dhe aty çështja u mbyll. Që nga ai moment, Shtabi i Përgjithshëm rus në Berlin nuk tha më asnjë fjalë për fundin e Hitlerit. Kjo heshtje e la problemin të pazgjidhur dhe, më shumë se çdo gjë tjetër, ndihmoi që të fitonte terren hipoteza se Hitleri mund të ishte ende gjallë.

Për këtë ndryshim të papritur të qëndrimit kemi një shembull domethënës te vetë gjenerali Ajzenhauer. Deri më 9 qershor, ai shprehej mjaft i bindur për vdekjen e Hitlerit. Por më 10 qershor u takua në Frankfurt me Zhukovin, pra vetëm një ditë pas deklaratës së tij të mësipërme. Pesë ditë më vonë, në Paris, Ajzenhaueri tregoi se e kishte ndryshuar plotësisht mendimin: tha se fillimisht e kishte pranuar hipotezën e vdekjes së Hitlerit, por më pas kishte folur me zyrtarë të lartë rusë që ushqenin dyshime serioze për këtë çështje. Kjo ishte edhe arsyeja pse autoritetet britanike dhe drejtuesit e shërbimit të fshehtë autorizuan autorin e librit të shkonte në Gjermani për të kryer hetimet e rastit.

Hitleri, “është gjallë apo ka vdekur”?

Më 6 tetor, në Utreht të Holandës, Ajzenhaueri u tha gazetarëve se, edhe pse në fillim e kishte besuar të vdekur Hitlerin, tashmë kishte arsye për ta menduar të gjallë. Në kthim, në Frankfurt, ai e zbuti përsëri deklaratën, duke thënë se edhe atij i dukej pothuajse e pamundur që Hitleri të kishte mbijetuar, por “miqtë e tij rusë” e kishin siguruar se nuk kishin gjetur asnjë provë përfundimtare të vdekjes së tij.

Si mund të shpjegohet një qëndrim i tillë? Për këtë duhet parë vetë qëndrimi i Moskës. Gjatë gjithë kësaj kohe, edhe kur rusët në Berlin kishin shkuar shumë afër shpalljes së vdekjes së Hitlerit, Stalini, nga Moska, vazhdonte të deklaronte se Hitleri ishte gjallë.

Në orët e para të mëngjesit të 2 majit, madje përpara se Kancelaria e Rajhut të binte në duart e sovjetikëve, agjencia TASS kishte deklaruar se lajmi gjerman për vdekjen e Fyhrerit ishte “një tjetër truk fashist”. “Duke përhapur lajmin e vdekjes së Fyhrerit, fashistët gjermanë dukshëm shpresojnë ta ndihmojnë të zhduket nga skena.”

Më 26 maj, në Kremlin, duke folur me Harry Hopkinsin, përfaqësuesin e presidentit amerikan, Stalini u shpreh qartë se “Bormani, Gëbelsi, Hitleri dhe ndoshta vetë Krebsi mund të kishin gjetur strehim diku”. Ky pohim nuk mund të mbështetej nga sa dihej tashmë në Berlin, ku trupi i Gëbelsit ishte gjetur dhe identifikuar prej kohësh, pa asnjë hije dyshimi, siç e pranonin vetë rusët.

Rënia e Berlinit

Ka mundësi që ky të ketë qenë thjesht një opinion personal i Stalinit: ai ose e besonte, ose donte ta besonte, ose e thoshte që të tjerët ta besonin. Edhe më 6 qershor, kur oficerët e Zhukovit u thanë atyre të Ajzenhauerit se trupi i Hitlerit ishte zbuluar, Stalini vazhdonte t’i përsëriste Hopkinsit se nuk kishte asnjë provë për vdekjen e Hitlerit dhe se, përkundrazi, e mendonte “me siguri të gjallë”.

Tre ditë më vonë, Zhukovi i mohoi publikisht deklaratat e mëparshme, por Stalini nuk ndryshoi qëndrim. Më 16 korrik, ai mbërriti vetë në Berlin për Konferencën e Potsdamit. Të nesërmen, i habiti të gjithë kur i tha Sekretarit amerikan të Shtetit, James F. Byrnes, se e konsideronte Hitlerin të gjallë dhe të fshehur në Spanjë ose në Argjentinë.

Pse ky qëndrim kaq kontradiktor i Stalinit? Mund të ngrihen shumë hipoteza, por e vërteta mund të jetë më e thjeshtë: Stalini shprehu një gjykim të gabuar dhe ky gjykim, nëpërmjet mekanizmit të pushtetit ideologjik, u shndërrua në një të vërtetë dogmatike. Kjo mundësi nuk përjashtohet. Në vitin 1945, Stalini konsiderohej strategu më i madh, burri më i madh i shtetit, filozofi më i madh i botës, “ati” dhe udhëheqësi i njerëzimit. Në një sistem të tillë, edhe vëzhgimet më banale të tij mund të ktheheshin në të vërteta absolute, përpara të cilave edhe faktet më të dukshme detyroheshin të tërhiqeshin.

Dogma mbizotëroi. Rusët në Berlin e dinin të vërtetën, por në ato rrethana e vetmja vijë e mundshme ishte heshtja. Megjithatë, dogma nuk do të zgjaste përgjithmonë. Në vitin 1949 u vu në punim një dokumentar me ngjyra, i cili u shpërnda në sektorin lindor të Berlinit në qershorin e vitit pasues, me titullin “Rënia e Berlinit”, ku Hitleri nuk paraqitej i arratisur në Spanjë apo Argjentinë, por i vetëvrarë në bunkerin e Kancelarisë, pikërisht ajo që mbështeste edhe autori.

Çfarë kishte ndodhur që solli këtë kthesë? Pas kthesës së bujshme të 9 qershorit 1945, të gjithë të burgosurit që kishin lidhje me bunkerin e Kancelarisë u transferuan nga Gjermania në Bashkimin Sovjetik. Në fund të gushtit kishin mbërritur të gjithë. Dëshmitarët, që deri atëherë kishin qenë robër lufte të ushtrisë sovjetike, tani u klasifikuan si të burgosur politikë dhe u përqendruan në burgun e Lubiankës në Moskë, pa asnjë mundësi komunikimi me njëri-tjetrin. Mes tyre ishin Baur, Ratenhuber, Mengerhauzen, Ektman, Linge, Gunshe dhe disa të tjerë, të njohur si “Grupi i Kancelarisë”.

Në verën e vitit 1946, grupi u mblodh papritur dhe, pa asnjë shpjegim, u hip në tren e më pas në aeroplan. Kur zbritën, panë se ndodheshin sërish në Berlin. U çuan te Kancelaria, ku morën urdhër të rindërtonin në vendngjarje sekuencën origjinale të vdekjes së Hitlerit dhe të varrosjes së trupit të djegur. Kjo paraqitje makabre duket se më në fund i bindi rusët.

Në një moment, ndërsa ndodheshin ende në Berlin, sovjetikët i premtuan Baurit dhe të tjerëve se do t’u tregonin mbeturinat e Hitlerit, por premtimin nuk e mbajtën. Pasi u bindën përfundimisht, rusët nisën zhdukjen e provave. I kthyen dëshmitarët sërish në Bashkimin Sovjetik dhe i shpërndanë në burgje të ndryshme, disa në Siberi, të tjerë në Urale; shkatërruan Kancelarinë, hodhën në erë bunkerin dhe, sa i përket kufomës së Hitlerit, vendosën t’ua fshihnin gjermanëve.

Amaneti i Hitlerit

Vetë Hitleri kishte dashur me çdo kusht që kufoma e tij të mos binte në duart e armiqve, nga frika se mos poshtërohej. Tani armiqtë e tij, pasi e kishin identifikuar, vendosën ta fshihnin nga gjermanët, nga frika se mos e nderonin. Tre vjet më vonë, një të burgosuri gjerman të transferuar nga Uralet në Lubiankë iu kërkua nëse ishte në gjendje të njihte në fotografi trupat gjysmë të karbonizuar të Hitlerit dhe Eva Braunit. Ai tha se nuk mund të jepte një përgjigje të sigurt: mund ta bënte vetëm po t’i shihte vetë trupat.

“Atëherë nuk beson se kufomat ndodhen në Moskë?”, e pyeti hetuesi. I burgosuri konfirmoi se nuk e besonte. “Trupi i Hitlerit”, iu përgjigjën, “është më mirë në duart tona sesa nën Portat e Brandenburgut në Berlin. Të vdekurit mund të jenë më të rrezikshëm se të gjallët. Po të mos ishte varrosur solemnisht Frederiku i Madh në Potsdam, populli gjerman nuk do të kishte ndërmarrë kaq shumë luftëra në dy shekujt e fundit. Gjermanëve u pëlqejnë martirët.”

Por këtë martir nuk do ta kishin. Pavarësisht elementeve të rinj që kanë ndryshuar kuadrin e situatës, vëzhgimi im fillestar mbetet i vlefshëm: ashtu si Alariku, i varrosur fshehurazi në shtratin e Busentos, edhe kamxhiku modern i njerëzimit ndodhet sot i mbrojtur nga çdo zbulim i pakëndshëm.

Vdekja e Hitlerit

Edhe sikur të kishin qenë informuar për poshtërimin që iu bë kufomave të Musolinit dhe të dashurës së tij, të varura përmbys bashkë me ato të hierarkëve të tjerë në një shesh të Milanos, Hitleri dhe Eva Braun nuk do të kishin bërë gjë tjetër veçse do të përsërisnin urdhrin që kishin dhënë tashmë: trupat e tyre duhej të asgjësoheshin, në mënyrë që të mos mbetej asgjë.

“Nuk dua të bie në duart e një armiku që ka nevojë për një spektakël të ri për të tërhequr masat e tij histerike.”

Ndoshta nuk i dinin të gjitha hollësitë e asaj që kishte ndodhur në Itali. Por fati i despotëve të mundur ka qenë pothuajse gjithmonë i njëjtë, dhe Hitleri, i cili kishte varur me dorën e vet në një grep kasapi një feldmareshall, nuk kishte nevojë për shembuj të rinj që të imagjinonte se çfarë mund të ndodhte me kufomën e tij.

Pasdite, Hitleri vrau qenin e tij të preferuar, Blondin, një alzacian. Profesori Hase, që kishte qenë mjeku i tij dhe që gjatë asaj periudhe kuronte të plagosurit në klinikën e tij në Berlin, erdhi posaçërisht në bunker për ta helmuar. Dy qentë e tjerë të oborrit u vranë me armë nga kapteri që i kishte pasur në kujdes. Më pas, Hitleri u dha kapsula helmi sekretareve të tij, për t’i përdorur në rast ekstrem. U tha se i vinte keq që nuk mund t’u jepte një dhuratë më të mirë lamtumire dhe shtoi se do të ishte shumë më i lumtur po të kishte pasur gjeneralë si ato.

Në mbrëmje, ndërsa njerëzit e bunkerëve të tjerë ndodheshin ulur në tavolinë në korridorin e bunker-it të sipërm, një roje SS ua ndërpreu darkën për t’i njoftuar se Fyhreri dëshironte të ndahej prej zonjave dhe se askush nuk duhej të shkonte në shtrat para se të merrte urdhër. Urdhri erdhi në orën dy e gjysmë të natës. Të gjithë u thirrën me telefon dhe u mblodhën sërish në korridorin kryesor të bunker-it të sipërm, rreth njëzet veta gjithsej.

Atëherë, nga pjesa e poshtme e bunker-it, u shfaq Hitleri i shoqëruar nga Bormani. Shikimi i tij ishte i përhumbur dhe sytë i shkëlqenin në atë mënyrë të çuditshme që pilotja Hanna Reitsch e kishte vënë re më parë. Disa dëshmitarë kanë arritur të thonë se mund të kishte marrë drogë, por kjo nuk është domosdoshmërisht e nevojshme për të shpjeguar gjendjen e tij.

Në heshtje, ai kaloi nëpër korridor duke u shtrënguar dorën të gjitha grave. Disa i pëshpëritën diçka, por ai ose nuk iu përgjigj, ose mërmëriti fjalë të pakuptueshme. Riti i shtrëngimit të duarve në heshtje ishte bërë, në ato orë, një lloj kodi lamtumire.

Pasi u largua, të pranishmit mbetën aty edhe për pak kohë, duke diskutuar kuptimin e asaj që kishin parë. Të gjithë ranë dakord për të njëjtin përfundim: Fyhreri do të vriste veten. Por më pas ndodhi diçka e papritur. Dukej sikur, me këtë bindje, banorët e bunker-it ishin çliruar nga një peshë e rëndë. Tirani, që për ditë me radhë i kishte mbajtur nën një presion të padurueshëm melodramatik, po përgatitej të largohej. Për një çast të shkurtër, në pritje të asaj që do të ndodhte më pas, ata ndiheshin të lehtësuar.

Në një mensë ushtarake të Kancelarisë po kërcehej. Lajmi i vetëvrasjes së afërt u përhap me shpejtësi, por askujt nuk i shkoi në mendje ta ndërpriste atë çast. Nga bunkeri u kërkua vetëm që të bënin më pak zhurmë. Vallëzimi vazhdoi. Një rrobaqepës i punësuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Fyhrerit kujtonte më vonë habinë kur brigadenfyhreri Ratenhuber, një hierark i lartë i SS-ve, i ra miqësisht në shpatull dhe i tha “mirëmbrëma”. Në hierarkinë e ngrirë të atij regjimi, kjo ishte pothuajse e paimagjinueshme. Më pas, një shërbëtor i shpjegoi arsyen: Hitleri kishte thënë lamtumirë dhe ndodhej në prag të vetëvrasjes.

Me të aguar dita, gjeneralët arritën si zakonisht në bunker me raportet ushtarake. Brigadenfyhreri Mohnke njoftoi një përmirësim të vogël: Schlesischer Bahnhof ishte rimarrë. Por në mesditë lajmet u përkeqësuan sërish. Tuneli i Voßstrasse pranë Kancelarisë ishte pjesërisht i pushtuar, gjithë Tiergarteni kishte rënë, trupat sovjetike kishin zënë Potsdamer Platz-in dhe urën Weidendammer.

Hitleri i dëgjoi këto lajme pa shfaqur emocion. Rreth orës dy hëngri drekën. Eva Braun nuk ishte aty; ose nuk kishte uri, ose kishte ngrënë vetëm në dhomën e saj. Si zakonisht kur mungonte ajo, Hitleri hëngri me dy sekretaret dhe kuzhinieren. Biseda u zhvillua normalisht. Ai qëndroi i qetë dhe nuk foli për qëllimet e tij, por ndërkohë të gjitha përgatitjet ishin bërë.

Në mëngjes, rojet kishin marrë urdhër të merrnin menjëherë racionet e tyre, sepse për pjesën tjetër të ditës nuk do të lejohej kalimi nëpër korridorin e bunker-it të poshtëm. Rreth mesditës, adjutanti i Hitlerit për SS-të, Otto Günsche, urdhëroi oficerin e transportit, Erik Kempka-n, të sillte 200 litra benzinë në kopshtin e Kancelarisë. Kempka kundërshtoi, duke thënë se ishte pothuajse e pamundur të gjendej një sasi e tillë, por mori përgjigjen se duhej ta bënte me çdo kusht. Në fund arriti të siguronte rreth 180 litra, të vendosura në bidonë, dhe i çoi në kopsht, pranë daljes së emergjencës.

Kur një roje kërkoi shpjegime, iu tha se benzina nevojitej për impiantin e ventilimit. Roja kundërshtoi me dyshim se impianti nuk mund të funksiononte me benzinë. Në atë çast u shfaq shërbëtori personal i Hitlerit, Heinz Linge, i cili e qetësoi dhe largoi dyshimin.

Pak më vonë, të gjitha rojet, përveç atyre të shërbimit, morën urdhër të largoheshin nga Kancelaria. Kjo bëhej për të shmangur dëshmitarët e rastësishëm të skenës së fundit.

Ndërkohë, Hitleri, që kishte mbaruar drekën dhe kishte lënë të lirë të pranishmit, ishte tërhequr në dhomat e tij. Pas pak doli sërish, i shoqëruar nga Eva Braun. Atëherë u zhvillua ceremonia e fundit e lamtumirës. Ishin të pranishëm Gëbelsi, Bormani, Burgdorfi, Krebsi, Heveli, Nojmani, Vosi, Ratenhuberi, Hëgli, Günsche, Linge dhe katër gra: Frau Christian, Frau Junge, Fräulein Krüger dhe Fräulein Manziarly. Magda Gëbels nuk ishte aty; e tronditur nga ideja e vdekjes së afërt të fëmijëve të saj, ajo e kishte kaluar gjithë ditën pranë tyre.

Hitleri dhe Eva Braun u shtrënguan dorën të gjithëve dhe u larguan. Të gjithë u lanë të lirë, përveç atyre që duhej të qëndronin për shërbimin përfundimtar. Ata pritën në korridor. Pastaj u dëgjua një e shtënë e vetme pistolete. Pas një hezitimi të shkurtër, hynë brenda. Hitleri shtrihej në divan, i mbuluar në gjak. Ishte qëlluar në gojë. Edhe Eva Braun ishte e vdekur. Pranë saj ishte një pistoletë, por nuk e kishte përdorur. Ajo ishte helmuar. Ishte ora 15:30.

Pak më vonë, Artur Axmann, kreu i Hitlerjugend-it, mbërriti në bunker. Kishte ardhur shumë vonë për ceremoninë e lamtumirës, por iu lejua të hynte në apartamentin privat për të parë kufomat. I shqyrtoi dhe mbeti pak në dhomë duke biseduar me Gëbelsin. Më pas Gëbelsi doli dhe Axmanni mbeti për pak çaste vetëm.

Jashtë, në bunker, po përgatitej riti përfundimtar: funerali viking.

Pasi kishte çuar benzinën në kopsht, Kempka hyri në bunker nëpërmjet kalimit nëntokësor që lidhte zyrën e tij me Kancelarinë. “Shefi vdiq.” Me këto fjalë e priti Günsche. Pikërisht në atë çast dera e dhomës së Hitlerit u hap dhe Kempka mundi të shihte atë që ndodhi më pas.

Ndërsa Axmanni ndodhej ende mes dy kufomave, dy burra të SS-ve, njëri prej të cilëve ishte Linge, hynë në dhomë. E mbështollën trupin e Hitlerit me një batanije, i mbuluan kokën e përgjakur dhe e nxorën në korridor. Aty ai mund të njihej ende nga çorapet e tij karakteristike të errëta. Pastaj dy oficerë të tjerë të SS-ve e morën dhe e transportuan lart, nëpër shkallët që çonin te dalja e emergjencës dhe prej andej në kopsht.

Bormani hyri më pas në dhomë, mori trupin e Eva Braun-it, e nxori në korridor dhe ia dha Kempka-s, i cili e çoi deri te shkallët. Aty ajo iu dorëzua Günsche-s dhe më pas një oficeri tjetër të SS-ve, i cili e nxori në kopsht.

Për siguri, dyert që lidhnin bunkerin me Kancelarinë dhe ato që nga Kancelaria dilnin në kopsht u mbyllën me ngut, që të shmangej ardhja e ndonjë të paftuari. Por pikërisht kjo masë e tepruar bëri që dy persona të paautorizuar të shihnin skenën.

Erik Mansfeld, një nga rojet e kullës së vrojtimit në cep të bunker-it, kishte vënë re lëvizje të dyshimta dhe zhurmë dyersh. Zbriti për të parë se çfarë po ndodhte dhe u ndesh me një kortezh mortor që po dilte pikërisht atë çast. Dy oficerë të SS-ve mbanin një trup të mbështjellë me batanije, nga e cila dukeshin dy këmbë me çorape të errëta. Pas tyre vinte një tjetër me trupin e Eva Braun-it, lehtësisht i dallueshëm. Pas tyre ecnin Bormani, Burgdorfi, Gëbelsi, Günsche, Linge dhe Kempka. Günsche e urdhëroi Mansfeldin të largohej menjëherë dhe roja u kthye në postin e tij.

Pas kësaj ndërprerjeje, riti rifilloi. Të dy kufomat u vendosën pranë njëra-tjetrës, jo larg hyrjes së emergjencës, dhe mbi to u derdh benzina. Një bombardim sovjetik e bëri ceremoninë edhe më të rrezikshme, ndaj të gjithë u strehuan nën portik. Günsche lagu me benzinë një copë dru, e ndezi dhe e hodhi mbi kufomat. Menjëherë flakët i përpinë.

Të pranishmit morën pozicion gatitu dhe bënë përshëndetjen hitleriane. Pastaj u kthyen në bunker dhe u shpërndanë. Më vonë, Günsche ua përshkroi skenën atyre që nuk kishin qenë aty. Tha se pamja e trupit të Hitlerit duke u djegur kishte qenë përvoja më e tmerrshme e jetës së tij. / Hugh Trevor-Roper ka qenë profesor i Historisë Moderne në Universitetin e Oksfordit nga viti 1957 deri më 1980. (nga libri “Ditët e fundit të Hitlerit) Përgatiti: ARMIN TIRANA

 

Leave a Reply

Back to top button