Analiza

Erdogani dhe paradoksi i populizmit

Jan-Werner Mueller
erdogan winsNuk është surprizë triumfi i Erdoganit në zgjedhjet e para presidenciale në Turqi. Erdogani është popullor, dhe si Kryeministër që nga viti 2003, ai ka patur një seri suksesesh ekonomikë. Por ai është gjithashtu një populist, që e ka shtrënguar fort kontrollin e tij mbi shtetin dhe median, duke demonizuar ndërkohë të gjithë kritikët (duke përfshirë edhe ish aleatët e tij, si kleriku në mërgim Fetullah Gylen).
Ashtu si me të gjithë liderët e tjerë populistë, si Kryeministri hungarez, Viktor Orban apo i ndjeri Hugo Chavez në Venezuelë, të pajtosh premtimet elektoralë të Erdoganit me performancën e tij në detyrë është një enigmë. Figura të tilla fillojnë duke sulmuar kundërshtarët për korrupsion dhe i akuzojnë se kanë marrë peng shtetin, për një establishment politik që u shërben vetëm interesave të veta dhe që përjashton interesat e njerëzve të zakonshëm. Megjithatë, kur vijnë në pushtet, ata përfundojnë duke bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë, duke e trajtuar shtetin si të tyrin ose si pronën e partisë së tyre, si dhe duke u përfshirë, apo të paktën duke mbështetur, korrupsionin.
Zakonisht, kjo hipokrizi nuk i dëmton shanset elektoralë të populistëve, siç e tregoi edhe suksesi i Erdoganit në zgjedhjet presidenciale. Përse?
Populizmi nuk është i përcaktuar nga një grup i veçantë elektoral, si për shembull klasa e mesme – apo përmes politikave thjeshtësuese që kënaqin masat, siç argumentojnë shpesh vëzhguesit liberalë. Populizmi është një koncept tërësisht i moralizuar i politikës, dhe një populist është një politikan që pretendon se ai apo ajo – dhe vetëm ai apo ajo – përfaqësojnë me të vërtetë popullin, duke i çuar automatikisht të gjithë kundërshtarët politikë në rolin e pretendentëve me pa të drejtë.
Prapa këtij qëndrimi qëndron supozimi i mëtejshëm se populli ka një vullnet të përbashkët i cili pashmangshmërisht ka si objektiv të mirën e përbashkët, dhe se udhëheqësi autentik i popullit – si Erdogani, i cili bëri fushatë me sloganin “Vullneti kombëtar, fuqia kombëtare” – mundet që ta identifikojë dhe ta vërë në zbatim. Kështu që, populistët janë jo vetëm anti-elitistë. Ata janë domosdoshmërisht edhe anti-pluralistë, e si pasojë edhe anti-liberalë. Politika e tyre është gjithmonë polarizuese, duke e ndarë popullin në njerëz të pastër dhe moralë, dhe të tjerët, imoralë – të cilët Erdogani i ka quajtur thjeshtë “tradhëtarë”.
Në sytë e populistit nuk mund të ekzistojë diçka e tillë si një opozitë legjitime. Kushdo që është kundër udhëheqësit, i bie të jetë automatikisht kundër popullit. Dhe sipas kësaj logjike, kushdo që është kundër popullit, nuk mund t’i përkasë popullit.
Kjo i shpjegon akuzat e Erdoganit se protestuesit në Gezi Park verën që kaloi, të cilët demonstruan kundër planeve të qeverisë për të ndërtuar aty një qendër tregtare, nuk ishin aspak turq të vërtetë. Dhe kjo shpjegon deklaratën shastisëse të tij në fillim të këtij viti, kur pranoi kandidimin nga ana e partisë së tij për postin e presidentit: “Ne jemi populli. Po ju kush jeni?”
Eshtë thënë shpesh se populistët nuk mund të qeverisin, ose do të ekspozohen si të paaftë, kur zgjidhen në detyrë. Sipas këtij këndvështrimi, partitë populiste janë në thelb parti proteste, dhe protesta nuk mund të qeverisë, sepse është e pamundur të protestosh kundër vetvetes.
Por gjërat nuk janë aq të thjeshta. Populistët zakonsht adoptojnë një stil qeverisjeje që pasqyron pikërisht akuzat që ata kanë bërë kundër establishmentit të mëparshëm politik. Ata marrin çfarëdo pushtet që të munden, zhbëjnë “kontrollin dhe ekuilibrin”, mbushin gjithë zyrat shtetërore me njerëz të tyret, dhe shpërblejnë mbështetësit (dhe vetëm mbështetësit) me përfitime në shkëmbim të besnikërisë së tyre – ajo që politologët e quajnë “klientelizëm i masës”. Populisti austriak, Jorg Haider për shembull u jepte kartëmonedha 100 Euro “njerëzve të tij” në rrugë.
Sigurisht, të gjithë partitë përpiqen të kujdesen për bazën e tyre pikësëpari. Ajo që dallon politikanët populistë është se ata mund ta bëjnë haptaz dhe me një ndërgjegje të pastër. Në fund të fundit, nëse vetëm mbështetësit e tyre janë me të vërtetë “populli”, të gjithë të tjerët nuk e meritojnë.
Në po të njëjtën mënyrë, partitë populiste kanë prirjen të kolonizojnë shtetin me zell. Nëse vetëm një parti përfaqëson me të vërtetë popullin, atëherë përse të mos bëhet shteti instrument i popullit? Dhe kur populistët kanë mundësinë të hartojnë një kushtetutë të re, përse të mos e shkelin çdo lloj opozite, e cila për definicion duhet të përbëhet nga armiqtë e popullit (që shpesh akuzohen se janë agjentë të huaj)?
Kjo shpjegon përse klientelizmi dhe korrupsioni i qeverive populiste nuk e zvogëlon mbështetjen e udhëheqësve të tyre tek elektorati. Praktika të tilla perceptohen sikur i shërbejnë një “NE”-je morale, në dëm të “Atyre” imoralë.
Kështu që, besimi i liberalëve se mjafton të ekspozohet korrupsioni i populistëve për t’i diskredituar është një shpresë e kotë. Ata duhet të tregojnë gjithashtu se për pjesën dërrmuese të qytetarëve, edhe klientelizmi nuk sjell dobi, dhe se mungesa e llogaridhënies demokratike, një burokraci jofunksionale dhe dobësimi i sundimit të ligjit, në terma kohëgjatë do e dëmtojë popullin – të gjithë. /PROJECT SYNDICATE/
Jan-Werner Mueller është Profesor i Politikës në Universitetin e Princetonit. Ai është edhe pjesëtar i Shkollës së Studimeve Historike në Institutin për Studime të Përparuar. Libri i tij i fundit është: “Kontestimi i Demokracisë: Ide politike në Europën e shekullit 20”
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button