Analiza

A është Amerika në luftë me islamin radikal?

Për pjesën më të madhe të luftës së ftohtë, Shtetet e Bashkuara e luftuan Bashkimin Sovjetik, por jo Kinën komuniste. Në vitet ‘40, Shtetet e Bashkuara hynë në luftë kundër Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, por jo fashistëve në Spanjë. Dhe sot, Shtetet e Bashkuara janë në luftë me ato organizata “radikale myslimane”, që kërkojnë të vrasin amerikanët, ndërsa këta të fundit futen në aleanca me të tjera regjime “radikale myslimanë” që sillen ndryshe. Pse është kaq e vështirë për për ta kuptuar?

Peter Beinart

Screen Shot 2015-02-07 at 20.32.58

Nëse ka një gjë që republikanët e dinë mirë, kjo është se Amerika nuk mund të mposhtë terrorizmin nëse ne nuk e quajmë atë me emrin e tij të vërtetë. “Ne jemi në një luftë fetare me islamistët radikalë” – deklaroi së fundmi Lindsej Graham për “Fox News”. “Kur dëgjoj presidentin e SHBA dhe zëdhënësin e tij kryesor, që refuzojnë ta pranojë këtë, kjo më nervozon pa masë” – shtoi ajo. Rudi Xhuliani pajtohet me një konstatim të tillë: “Nëse ne s’mund të përdorim fjalët ‘terrorizëm radikal islamik’, ne nuk mund të shpëtojmë prej tyre”. Në të njëjtën linjë ishte edhe Ted Cruz në Samitin e Lirisë në Iowa në janar, kur ai deklaroi se “ju nuk mund të luftoni dhe fitoni luftën kundër terrorizmit radikal islamik, në rast se nuk keni dëshirë të thoni të vërteten”.
Këtu ka disa probleme. Edhe nëse dikush do të besonte se duke e quajtur armik “islamin radikal” është një ide e mirë, ajo vështirë se do të shpjegojë sesi mundet të mposhtet ky lloj terrorizmi. Republikanët kritikojnë ende Obamën për dështimet e tij gjuhësore, duke u ndalur kryesisht këtu.
Pasi bëri fajtor presidentin se nuk shqipton dot termin “islami radikal”, sugjerimi i vetëm i Ted Kruzit ishte se Obama duhet të kishte marrë pjesë në protestën anti-terror në Paris dhe se amerikanët që i bashkohen ISIS-it, duhet të humbasin automatikisht shtetësinë e tyre. Në televizionin “Fox”, edhe Xhuliani përmendi marshimin e Parisit, pastaj ra sërish në shprehjet prozaike të tipit: “Ju e dini çfarë duhet të të bëni me gangsterët? T’i godisni drejt e në fytyrë”.
Në të vërtetë, denoncimi i “islamin radikal” ofron pak udhëzime mbi dilemat aktuale të politikës amerikane. Si mundet që thirrja e armikut me “emrin e tij vërtetë” të ndihmojë të përcaktohet nëse Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një qëndrim më të ashpër apo më të butë ndaj qeverisë në Bagdad? Ne kemi nevojë për ndihmën e kësaj të fundit, për të rimarrë kontrollin e Irakut qëndror nga ISIS-i, por është rryma shiite e qeveritarëve irakenë ajo që i shtyn sunitët drejt Shtetit Islamik. Ose si do të përcaktonte ky ndryshim gjuhësor, nëse mënyra më e mirë për të dobësuar ISIS-in në Siri është duke mbështetur Bashar Asadin apo duke kërkuar largimin e tij?
Pas sulmeve të 11 Shtatorit, “skifterët” e mbështetën retorikën e tyre agresive me një politikë po aq agresive. Me urdhër të tyre, SHBA pushtoi dy vende myslimane. Përkundrazi sot, ndërsa opsionet e ndërhyrjeve në terren kërkohen të lihen jashtë diskutimeve, retorika është shndërruar në një qëllim në vetvete. Ajo çfarë republikanët po deklarojnë në fakt mbi luftën është “korrektësia politike”.
Ata janë të sigurt se ndjeshmëritë liberale rreth Islamit po e pengojnë Amerikën të ketë një qartësi morale, të cilën ajo ka nevojë ta rifitojë. Vetëm mos i pyeni ata se si. Por është më keq se kaq. Sepse larg nga ofrimi i një qartësie morale, kërkesa e republikanëve se Amerika është në luftë me “islamin radikal”, në fakt dëmton e atë. Si mundet ky term të ofrojë qartësi, kur ajo vetë nuk është e përcaktuar qartë?
Nëse Amerika është në luftë me “islamin radikal”, a nuk përfshihet këtu edhe Arabia Saudite, një aleat kyç i SHBA që për dekada të tëra ka praktikuar dhe eksportuar rrymën radikavet Vahabite?
A përfshin kjo luftë edhe Iranin, një gjysmë-teokracie që ka sponsorizuar terrorizimin “islamik radikal” kundër SHBA-së, por që aktualisht është ‘de fakto’ aleati ynë kundër ISIS-it? A përfshihen në këtë qerthull partitë e “Vëllazërisë Myslimane”, si ajo që mbajti për një kohë të shkurtër pushtetin në Egjipt, që garoi dhe fitoi përmes zgjedhjeve demokratike, por deshi më pas një qeveri të bazuar në ligjin islamik? Duke dëgjuar disa nga retorikat e Këshillit Kombëtar Republikan, ju mund të mendoni se përgjigja është po.
Por të sugjerosh se SHBA është në “luftë” me aleatët kryesorë si Arabia Saudite dhe Egjipti, e zhvesh atë nga çdo lloj kuptimi i vërtetë. ISIS-i dhe Al-Kaeda janë organizatat aktuale në Gadishullin Arabik. Njerëz të arsyeshëm mund të përshkruajnë se ku ato fillojnë dhe mbarojnë, dhe në mënyrë artizanale të hartojnë strategji specifike për t’i luftuar. Një fat i mirë të bësh këtë me “islamin radikal”. Sikurse ndodh sot shpesh, republikanët që kërkojnë një luftë kundër “islamit radikal” janë duke punuar mbi një analogji të rremë me Luftën e Ftohtë. Që prej supozimit se ishte “qartësia morale” e Ronald Reganit kundër komunizmit që përmbysi Bashkimin Sovjetik, e si pasojë Amerika tani duhet të bëjë të njëjtën gjë me “islamin radikal”.
Por, në fakt, Shtetet e Bashkuara ishin më të suksesshme kur nuk e panë armikun si “komunizëm”.  Ishte besimi se Amerika duhet të luftojë vetë komunizmin, që çoi administratat e Kenedit dhe Xhonsonit në luftë kundër regjimit komunist në Vietnamin e Veriut, edhe pse ai nuk përbënte përbën asnjë kërcënim real për sigurinë amerikane.
SHBA u paraqit shumë më mirë kur e kufizoi fokusin e saj vetëm mbi një regjim të veçantë, Bashkimin Sovjetik, dhe bëri aleanca me qeveritë e tjera komuniste në mënyrë për ta dobësuar Moskën. Në fund të viteve ‘40, administrata Truman bashkëpunoi me Jugosllavinë komuniste për të minuar kontrollin sovjetik të Evropës Lindore. Dhe nën Riçard Niksonin, Uashingtoni shkriu marrëdheniet me Pekinin, që pavarësisht se ishte edhe më ideologjikisht i zellshëm sesa Moska, e ndihmoi SHBA-në të përmbante pushtetin sovjetik. Me gjithë retorikën e tij anti-komuniste, Regani ruajti partneritetin me Kinën, pasi objektivi i tij i vërtetë ishte Bashkimi Sovjetik.
Natyrisht, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë ideologjikisht agnostike. Presidentët amerikanë duhet të thonë se ata besojnë që demokracia liberale është moralisht superiore ndaj teokracisë islame, ashtu sikurse ishte më e preferueshme në raport me fashizmin dhe komunizmin. Por kjo është shumë larg nga shpallja e luftës ndaj çdo regjimi të bazuar mbi një -izëm, që ne nuk e pëlqejmë.
Për pjesën më të madhe të luftës së ftohtë, Shtetet e Bashkuara e luftuan Bashkimin Sovjetik, por jo Kinën komuniste. Në vitet ‘40, Shtetet e Bashkuara hynë në luftë kundër Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, por jo fashistëve në Spanjë. Dhe sot, Shtetet e Bashkuara janë në luftë me ato organizata “radikale myslimane”, që kërkojnë të vrasin amerikanët, ndërsa këta të fundit futen në aleanca me të tjera regjime “radikale myslimanë” që sillen ndryshe. Pse është kaq e vështirë për Ted Kruzin për ta kuptuar? /“The Atlantic”/

Leave a Reply

Back to top button