„Është koha të eleminojmë konceptin e fitores, humbjes apo dështimit”
Elena Ferrante për The Guardian
Mu desh një kohë relativisht e gjatë për të kuptuar se këto klasifikime janë po aq mizore sa dhe të paarsyeshme.
Nuk më pëlqen t’i klasifikoj qeniet humane në fitues apo dështakë. Ose ndodhta thjesht nuk e kuptoj si ide. Mbaj në mendje simbolin që identifikon një fitues. Paraja, mbi të gjitha, mundësia e të përballuarit të sendeve të shtrenjta, dhe mënyra e të shfaqurit të provave që sigurojnë superioritet. Ose ushtrimi i pushtetit, duke demonstruar me mjete shumë delikate se ju jeni më lart në hierarki. Ose një lloj aristokracie që rrjedh nga fama mediatike, një gjak blu prej njeriu të famshëm, ju nuk duhet ta fitoni vëmendjen e njerëzve çdo herë – ju jeni të njohur tashmë, që në shikim të parë. Ose misioni i përhershëm i lumturisë: dikush që ka shumë para ushtron pushtet, gëzon statusin e një VIP-i, dhe për këtë arsye duhet të jetë i lumtur.
Të gjitha këto simbole të pozicionit të fituesit, zbulohen së shpejti se janë më pak se të vërteta dhe, mbi të gjitha, të pasigurta. Para, pushtet, famë, lavdi, lumturi – shumë shpejt mbi to do të duken të çarat e para. Dhe çdo herë që imazhi i fituesit bie, dhe shfaqja e fitores kthehet në një dështim, ideja e humbësit shembet gjithashtu; ajo kategori njerëzish që nuk kanë prona të shtrenjta, pa pushtet, pa famë, vetëm me një ndjenjë pakënaqësie që rrjedh nga përshtypja se kanë dështuar.
Ndoshta e vërteta reale që fshihet pas këtij klasifikimi në fitues dhe humbës, është pikërisht kjo, frika nga një dështim i mundshëm. Kjo ishte gjëja që, si një vajzë, kisha frikë më shumë. Dështimi në shkollë; dështimi në gjetjen e një pune; ngelja në ndonjë test, qoftë në atletikë apo në matematikë. Kam shpenzuar një sasi të madhe energjie në përpjekje shumë të lodhshme, në gjithçka që ka pasur edhe pamjen e një konkursi, sepse e ndjeja se një dështim do t’i hapte rrugën një tjetri, dhe kjo është faza e parë ku ka origjinen dhe lista e të mirës dhe e së keqes. Nëse përfundoni në listën e të këqinjve, do të jetë tepër e vështirë të kaloni sërish në listën e të mirës.
Mu desh shumë kohë për të kuptuar se ato klasifikime janë po aq mizore sa dhe arbitrare. Ata pretendojnë se as pabarazitë socioekonomike, as diskriminimi seksual dhe racor nuk ekzistojnë, as humbja jashtëzakonisht e fajshme e inteligjencës që vjen si pasojë. Ne hartojmë listat e të mirës dhe të keqes sikur privilegjet e shumta që rrjedhin nga rastësia nuk ekzistojnë: vendi i lindjes, familja juaj, pabarazia e mundësive.
Edhe sot, në këtë të ashtuquajtur pjesë të zhvilluar të botës, kushtet në pikën e fillimit janë shumë të padrejta për ta menduar jetën si një konkurs në të cilin shanset nuk janë bërë pirg. Nëse do mundja, do t’i eliminoja konceptet e tilla si dështimi, fitimi dhe humbja, të cilat nuk kanë më asnjë bazë. Po të ishte me të vërtetë e nevojshme, do ta burgosja veten në një konkurs të ngjashëm me garën e grupit që ka Liza në Botën e Çudirave. Askush nuk humbet, të gjithë fitojnë dhe nuk ka dështime./Bota.al