Analiza

Europa në 2015: Një vit pasigurie

Në intervista në rrugë shumë të rinj e shohin veten si “brezi i pasigurtë”. Me qëllim që Europa të rigjejë stabilitetin dhe rikthejë besimin në projektin europian, atëherë duhet të merremi me pasiguritë e brezit të ri. Herman Van Rompuy, presidenti i parafundit i Këshillit Europian, e përmblodhi shumë mirë atë që është në lojë: “Pa Mbretërinë e Bashkuar, Europa do të ishte e lënduar, madje e sakatuar – kështu që duhet bërë gjithçka për të shmangur që kjo të ndodhë. Por do të mbijetojë. Pa Francën, Europa – ideja europiane – do të ishte e vdekur”

Gavin Hewitt

Europe 1Për Europën, 2015 do të jetë një tjetër përpjekje për të arritur në një vend të sigurtë. Gjatë dy viteve të fundit, zyrtarë dhe udhëheqës europianë kanë shpallur se kriza ekonomike ka marrë fund. Por në gjashtë muajt e fundit, është rikthyer një lloj parandjenje jo e mirë.
Rreziqet nuk janë të njëjtë si në 2012-ën. Nuk ka rrezik shtetesh që nuk janë në gjendje të financojnë borxhin e tyre. Tani, rreziku vjetn prej stanjacionit dhe deflacionit.
Zyrtarët europianë kanë paralajmëruar herë pas here se dështimi në krijimin e rritjes ekonomike dhe vendeve të reja të punës rrezikon jo vetëm tensione socialë, por edhe mbështetje për projektin europian. Gjasat janë që ekonomia e Europës nuk do i arrijë nivelet e 2007-s para vitit 2020.
Në vitin 2015, rimëkëmbja ekonomike do të jetë e pabarabartë. Kërkesa është e dobët. Gjermania do të mbetet motorri i ekonomisë europiane, por gjithësesi nuk do të jetë “centrali” që ishte dy vjet më parë. Rritja ekonomike në Francë do të jetë rreth 0.7%. Italia do i largohet recesionit, por eurozona nuk pritet të ketë një rritje ekonomike më të lartë se 1% dhe kjo nuk do të mjaftojë për të zbutur një normë papunësie që mbetet në 11.7%.
Edhe një herë sytë janë kthyer nga Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi. Pritet që në tremujorin e parë të vitit ai të hapë rubinetat, të forcojë kërkesën dhe të blejë bono sovrane. Por, mund të mos jetë e lehtë. Ka kundërshtime të fortë në Gjermani; mund të ketë edhe sfida ligjore ndërkohë që ka dyshime për impaktin që mund të ketë kjo lëvizje.
Kundër masave të kursimit
Europa duket se vazhdon të mbështesë “bastin” e saj në mbajtjen ulët të vlerës së Euros si dhe eksportet më të lirë, për të rritur kërkesën brenda saj. Pakënaqësia popullore me programin e kursimit po rritet. Edhe një herë ka gjasa të ketë tensione mes Berlinit, që vazhdon të kërkojë reduktim të deficiteve nën 3% si dhe që të reformohen ligjet e punësimit, si dhe Parisit dhe Romës, të cilët besojnë se Europa ka nevojë për rritje ekonomike dhe investime në projekte të mëdhenj infrastrukturorë.
2015 do u japë edhe një herë partive që janë kundër establishmentit shansin për të shfrytëzuar pakënaqësinë në Europë. Ka zgjedhje ku këto parti mund të luajnë role kyçë. Brenda pak javësh, Greqia mund të votojë për partinë radikale të krahut të majtë, Syriza, që aktualisht kryeson në sondazhe. Nëse fiton, kjo parti do të kërkojë ristrukturim të borxhit si dhe do të rrisë frikën për një rikthim të krizës greke.
Më vonë gjatë vitit, në sondazhe do të shkojnë spanjollët. Edhe aty ka një parti radikale të majtë me emrin Podemos, e cila është pozicionuar fort kundër masave të shtrëngimit. Dhe në Britani, në maj, Partia për Pavarësi e Mbretërisë së Bashkuar mund të ketë një rol të rëndësishëm në negociatat për ndarjen e pushtetit pas zgjedhjeve.
Një prej faktorëve kryesorë që redukton mbështetjen për partitë kryesore është papunësia. Në Francë, numri i atyre që kërkojnë punë ka arritur nivele rekord. Në nëntor, shifra e papunësisë u rrit me 27400, duke arritur në 3 488 300. Numri i atyre që kërkojnë punë është rritur me 5.8% vitin që kaloi. Kjo gjë rrezikon të ardhmen politike të presidentit Hollande. Nëse administrata e tij nuk fillon të krijojë vende pune në 2015-ën, ai do të jetë një president “i çalë” dhe kjo shkon në favor të Frontit Nacional të Marine Le Penit.
2015-a do të testojë gjithashtu nëse ish presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, jo vetëm do të ketë një kontroll të fortë të partisë së tij, por edhe nëse populli francez do t’i japë një shans të dytë.
Në Itali, Matteo Renzi po përballet me kundërshtime ndaj reformave të tij, por testi i vërtetë do të jetë nëse ato reforma do të zbuten dhe nëse do të zbatohen në mënyrë rigoroze. Gjendja në Itali është e brishtë; një vend që ka parë shumë pak rritje ekonomike në dhjetë vitet e fundit. Dy prej partive të opozitës në vend janë haptas kundër BE-së, ndërkohë që njëra kërkon të hidhet në votim qëndrimi në euro.
Imigrimi
europe 2Asnjë çështje nuk e pasqyron më mirë luhatshmërinë e humorit në Europë, se sa migrimi dhe imigrimi. Edhe një herë, gjatë muajve të verës do të kemi numra të mëdhenj njerëzish që largohen prej paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, në përpjekje për të kaluar Mesdheun dhe mbërritur në Europë.
Politikanët e partive kryesore do të mundohen shumë me këtë sfidë. Gjermania, që ka pranuar shumë më tepër refugjatë nga Lindja e Mesme se sa çdo vend tjetër, kohët e fundit është trinditur prej protestave. Pak përpara Krishtlindjeve, 17500 vetë marshuan në Dresden me banderolën: “Europianët patriotë kundër islamizimit të Perëndimit”. Pati protesta edhe në qytete të tjerë. Establishmenti politik gjerman është tronditur prej këtyre protestave në rrugë dhe udhëheqësit politikë kanë bërë thirrje për “mirëkuptim dhe hapje”.
Kjo demonstron se shqetësimi për migrimin nuk është i kufizuar në Britani. Në shumë vende europianë, kjo është një çështje politike shumë e fortë, e cila po kontribuon në ngjitjen e partive që janë kundër establishmentit. Udhëheqësve të Europës u duhet të gjejnë një përgjigje bindëse.
Europa do të presë me një farë ankthi që të zbulojë rezultatin e zgjedhjeve në Britani. Një zyrtar i lartë europian tha se Mbretëria e Bashkuar – pas ekonomisë së BE – do të jetë tema qendrore europiane gjatë tre viteve të ardhshëm.
Nëse David Cameroni mbetet në detyrë, pritet që në gjysmën e dytë të vitit të fillojnë diskutimet se si do të jetë lista e tij e rinegociimeve – përpara një referendumi për të qëndruar ose jo në BE, i cili do të mbahet në 2017-ën. Në samitin e Këshillit Europian në qershor pritet që ai të parashtrojë në vija të përgjithshme se çfarë kërkon. AI do të përballet edhe me një dëshirë për ta mbajtur Britaninë në BE, por dhe një mungesë gatishmërie për të ofruar lëshime që do ta bënin Mbretërinë e Bashkuar një rast special, apo që do të dëmtonin parimet themelorë të BE-së, si për lëvizja e lirë.
Mbetet e paqartë se cili do të jetë procesi për këto negociata. Disa udhëheqës europianë janë shpresëplotë se ndryshimet mund të vijnë përmes legjislacionit dytësor, por në fund gjasat janë që një rinegociim për Britaninë mund të kërkojë ndryshim të traktatit.
Disa vende, si Gjermania, besojnë se traktatet do të duhet të ndryshojnë për të mbështetur arkitekturën e re të eurozonës. Ata besojnë se BE është tashmë në skajet e asaj që lejojnë traktatet. Por ka shumë pak dëshirë për të thirrur një konferencë ndërqeveritare dhe Franca do të ishte kundër çdo lloj hapi që çon në një referendum.
Kështu që, për Britaninë rruga drejt rinegociimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë si dhe do të jetë një test madhor për diplomacinë britanike, e cila kohët e fundit nuk e ka lexuar gjithmonë saktësisht humorin e Europës.
Në vitin 2015, Komisioni Europian do të duhet të demonstrojë se ka vullnetin dhe fleksibilitetin për të realizuar reforma domethënëse. A do të vihet në lëvizje fondi i tij 300 miliardësh i investimeve? A do të ndërmarrë BE hapa konkretë drejt një tregu të përbashkët digjital apo një unioni energjetik?
Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker është shfaqur plot vetëbesim. Ai është një takticien i zhdërvjellët, që udhëheq një Komision pragmatist. Megjithatë, mbetet i goditshëm sa i përket kohës së tij si kryeministër i Luksemburgut, kur kompanitë vendoseshin në këtë dukat të vogël për t’i shpëtuar taksimit gjetkë.
Duhet që të mbijetojë, për arsye se dy partitë më të mëdha në Parlamentin Europian e mbështesin. Megjithatë, Junckeri do të jetë në rrezik nëse do të rezultojë të ketë qenë një kryeministër aktivist, që inkurajonte kompanitë të rroknin skema që i ndihmonin të shmangnin taksat.
Ylli i Komisionit të ri duket se do të jetë Frans Timmmermans, zëvendëspresidenti i parë. Ai është shfaqur tashmë si një avokat i zoti i BE-së në disa gjuhë dhe me siguri do të luajë një rol kyç në një referendum të ardhshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Testi i Rusisë
Europe 3Rusia do të mbetet një e panjohur trazuese. Një llogaritje e gabuar në Ukrainën Lindore mund ta zhysë Europën në një tjetër Luftë të Ftohtë. Ekonomia e Rusisë është në telashe. Kohët e fundit, ish ministri i Financave, Alexei Kudrin ka deklaruar: “Ne kemi hyrë ose jemi duke hyrë në një krizë të plotë ekonomike”.
Kjo gjë do ta dëmtojë më tej ekonominë europiane. Në 2015, uniteti europian me gjasë do të testohet sërish në çështjen e Rusisë. Disa vende – si Franca dhe Italia – mund të tundohen të kërkojnë një lehtësim të sanksioneve. Rusia e ka potencialin që të shndërrohet në lajmin dominues të Europës për vitin 2015.
Në intervista në rrugë shumë të rinj e shohin veten si “brezi i pasigurtë”. Me qëllim që Europa të rigjejë stabilitetin dhe rikthejë besimin në projektin europian, atëherë duhet të merremi me pasiguritë e brezit të ri. Herman Van Rompuy, presidenti i parafundit i Këshillit Europian, e përmblodhi shumë mirë atë që është në lojë: “Pa Mbretërinë e Bashkuar, Europa do të ishte e lënduar, madje e sakatuar – kështu që duhet bërë gjithçka për të shmangur që kjo të ndodhë. Por do të mbijetojë. Pa Francën, Europa – ideja europiane – do të ishte e vdekur”.
Edhe një herë, në 2015-ën Europa do të përballet me pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e saj. /BBC/
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button