Analiza

Europa, një “shpërthim” nga e kaluara

eu leadersssJoschka Fischer
Nëse ka një episod historik që ende i bën shumicën e europianëve të dridhen, edhe pas një shekulli, ky është shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, katastrofa më e madhe e Europës, e cila nisi në ditët e fundit të korrikut 1914. Në fakt, plot 100 vjet më vonë, pas dy luftërash botërore dhe një lufte të ftohtë, këto drithërima janë më të forta se kurrë.
Duke patur parasysh historinë e përgjakur të Europës, shtetet që krijuan Bashkimin Europian të sotëm zgjodhën jo-dhunën, pashkelshmërinë e kufijve, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ata zgjodhën bashkëpunimin, madje edhe integrimin, në vend të konfrontimit ushtarak, dhe zhvillimin ekonomik në vend të politikës së fuqisë. Por kjo “Europë e BE” tani po hidhet pas në kohë dhe sfidohet, sërish, nga rikthimi i politikës së fuqive në kufijtë dhe në fqinjësinë e afërt të saj.
Në lindje, Kremlini i Vladimir Putinit dëshiron të ndryshojë kufijtë kombëtarë me forcë, e si pasojë të sigurojë rishfaqjen e Rusisë si një fuqi botërore imperiale. Ndërkohë, kaosi dhe dhuna – më të dukshëm në Siri, Irak dhe Gazë – rrëzikojnë të mbështjellin të gjithë Lindjen e Mesme, duke rrezikuar integritetin territorial të shteteve që janë kryesisht rezultat i Luftës së Parë Botërore dhe marëveshjes së paqes në fundin e saj.
Europa paqësore postmoderne do ta ketë të vështirë të përballojë sfidat që sjell rigjallërimi i politikës së fuqive. BE-së është më shumë se dyfishuar në madhësi që nga viti 1989, kur u shemb komunizmi në Europën Lindore dhe Qendrore. Por Europa e BE nuk e ka arritur formën e saj përfundimtare të integrimit politik. Më e rëndësishmja, ajo nuk është projektuar për të qenë në lartësinë e sfidave të politikës së fuqive. Shtetet kombe të vjetër të Europës janë shumë të vegjël dhe shumë të dobët, ndërkohë që politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë e BE mbetet e zhvilluar jo mjaftueshëm.
Megjithatë, shumë europianë besojnë se BE dhe perëndimi nuk duhet të lejojnë sjelljen e Putinit. Shumë gjëra janë në lojë në Ukrainën lindore – paqja dhe rendi i të gjithë kontinentit. Pasagjerët shumica europianë të Malaysia Airlines F17 që u rrëzua në një territor të kontrolluar nga rebelët, e paguan këtë me jetët e tyre.
Koha e ngjarjeve historike zakonisht nuk është çështje zgjedhjeje. Kështu që, pyetja themelore pas ngjarjeve të tilla është se sa shpejt do të identifikohen me saktësi pasojat e tyre. Iu desh një kohë shumë e gjatë udhëheqësve të Europës që të kuptonin se i gjithë besimi që kishin tek Putini, dhe toleranca që kishin treguar për politikën e tij të dhunës dhe kanosjes, kishin shkaktuar një përkeqësim të mëtejshëm dhe zgjerim të krizës në Ukrainë. Në të vërtetë, vetëm pasi pothuajse 300 civilë vdiqën në bordin e avionit MH17, Europa u tregua e gatshme të vendoste ato lloj sanksionesh ekonomikë që do të kishin impakt të rëndësishëm mbi ekonominë e Rusisë.
Sa i përket zhvillimit të një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, domethënia e sanksioneve të miratuar nga BE nuk duhet nënvlerësuar. Pasi BE arrin më në fund të bëjë hapin e parë (sanksione efektivë), më pas hapi i dytë – një “union energjetik” që i mundëson Europës t’i japë fund varësisë nga gazi dhe nafta e Rusisë – duhet të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Sa i përket Lindjes së Mesme, sfidat e aftësisë së Europës për aksion kolektiv do të jenë edhe më të vështira për t’u kapërcyer. Kjo reflekton praninë në BE të kampeve të fuqishëm pro Izrael dhe pro Palestinë, të cilët zakonisht bllokojnë njëri-tjetrin. Veç kësaj, konfliktet aktualë në Lindjen e Mesme janë shumë më të ndërlikuar se ai në Ukrainën lindore.
Vendeve që janë aktualisht më të prekur prej trazirave të rajonit – Iraku, Siria, Libani, Izraeli, Palestina, Egjipti dhe Libia – shumë shpejt mund t’u bashhkohen Jordania, Jemeni dhe shtetet e Gjirit. Dhe kriza plotësohet prej programit bërthamor të Iranit dhe konkurencës – e nxitur prej konfliktit sektarian – mes Iranit shit dhe Arabisë Saudite sunite, për supremacinë në rajon. Në fakt nuk ka një zgjidhje në horizont për Lindjen e Mesme.
Sot, vetëm një rezultat mund të parashikohet me një masë të lartë sigurie: përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, që rrezikon të zhysë të gjithë rajonin në kaos, duke shkaktuar më shumë dhunë dhe më shumë rrezik përhapjeje. Për shembull, ka një rrezik real që një pjesë e konfliktit në Lindjen e Mesme të eksportohet në Europën fqinjë. Do apo nuk do Europa, asaj do i duhet të përballet me këta konflikte, sepse vendimet për sigurinë e saj të brendshme dhe të jashtme me shumë gjasa do të merren në Lindjen e Mesme, po aq sa në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve anëtarë.
Europianët jetojnë në një fqinjësi që është bërë gjithnjë e më e pasigurtë- një zhvillim ky që kërkon ato lloj përgjigjesh strategjike që asnjë shtet europian nuk mundet t’i japë i vetëm. Thellimi i mëtejshëm i integrimit europian dhe rigjallërimi i dialogut për politikën e jashtme dhe të sigurisë duhet të jenë në rend të ditës.
Fatkeqësisht, një shekull pasi politika moderne e fuqive shkaktoi një luftë e cila vrau më shumë se 10 milionë paraardhës të tyre, shumë europianë të BE mbeten hezitues për t’u përgatitur për stuhinë që po vjen. Duhet ët shpresojmë që kjo do të ndryshojë: të përgatitesh është gjithmonë më mirë se sa të dridhesh.
Link:http://www.project-syndicate.org/commentary/joschka-fischer-worries-about-the-eu-s-lack-of-preparedness-for-the-return-of-power-politics#oOMc7rcB78G118yQ.99
Përshtatur në shqip nga BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button