Bota

Europa pas Frau Merkelit. A mund t’i mbijetojë eurozona, ikjes së Kancelares?

Screen Shot 2016-09-07 at 14.44.28

Kush mendon për shanset që ka Bashkimi Europian për të qëndruar i bashkuar, është mirë të ndjekë nga afër zhvillimet politike në Gjermani, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm. Këto zhvillime ka gjasa që të dëmtojnë më tej Kancelaren Angela Merkel, e cila ka qenë deri më sot, figura më dominuese europiane, e cila e ka udhëhequr kontinentin mespërmes krizës ekonomike.

“Ka shumë arsye për t’u shqetësuar mbi të ardhmen politike të Angela Merkelit”, thuhet në një artikull të American Enterprise Institute. Vitin e fundit, për shkak të politikave të saj mbi migrantët, Merkeli dikur shumë popullore dhe e pamposhtur politikisht, ka parë një rënie me 50% të popullaritetit. Kjo gjë ka bërë që të shtohen pikëpyetjet, nëse ajo do të kërkojë një mandat të katërt vitin e ardhshëm.

Eshtë jo pak ogurzi fakti që, përfituesit më të mëdhenj të kësaj rënieje të Merkelit kanë qenë populistët e Alternativës për Gjermaninë, të cilët duan të shohin fundin e Euros. Një parti që në nivel kombëtar ka rreth 12 përqind, ndërsa në disa qytete, arrin edhe 20 përqind të votave.

Por a ka arsye për shqetësim, nga pikëvështrimi i europianëve, në rast të një largimi të mundshëm të Kancelares së hekurt?

Artikulli i American Enterprise Institute rendit të paktën dy të tilla.

E para, Merkeli ka qenë forca dominuese në mbajtjen të bashkuar të një eurozone gjithnjë e më të përçarë. Ajo ka qenë një forcë nxitëse për mbështetjen e Gjermanisë përmes programeve të shpëtimit, për ekonomitë në telashe. Shembulli që përmendet më shpesh është kundërvënia që ajo i bëri ministrat të saj të financave, Schauble, në vitin 2015, kyr ky i fundit ishte kundër një tjetër pakete shpëtimit për Greqinë, e madje u shpreh se grekët duheshin nxitur të dilnin nga Euro.

Arsyeja e dytë e shqetësimit nga perspektiva e europianëve, është se viti i ardhshëm do të vërë seriozisht në provë eurozonën. Jo vetëm për shkak të telasheve politike dhe ekonomike, që mund të shfaqen në ndonjë prej shteteve të periferisë europiane. Mbi të gjitha, për shkak se është e vështirë të parashikosh që Italia, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, do të arrijë të shmangë një krizë të madhe ekonomike e politike. Ka një kombinim shpërthyes në Itali, mes një ekonomie që hiqet zvarrë, një sistemi bankar të zhytur në telashe, një mali me borxhe dhe një lëvizje populiste antieuropiane.

Dhe nëse do të kërkohet paketë shpëtimi për Italinë, do të duhet të jetë një shumëfish i paketave që FMN-BE dhanë për Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë.

Në këtë sfond, mbetet për të shpresuar që fati i Merkelit do të pësojë një kthesë për mirë. Pa të në krye të Gjermanisë dhe BE-së, rreziku që eurozona të shpërbëhet nuk është aspak fantazi. /www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button