Në Mesjetë, shpata e kalorësve përfaqësonte jo vetëm një simbol fuqie, por edhe një objekt me domethënie fetare. I tillë ishte rasti i Excalibur-it, shpata që, sipas legjendës, mbreti Artur nxori nga një shkëmb dhe që, para se të vdiste, e hodhi në ujërat e një liqeni.
Beteja e fundit e Arturit
Në fushën e përgjakshme të Camlann-it, kur gjëmimet e luftës kishin pushuar, vetëm klithmat e të plagosurve dhe gulçimet e atyre që po vdisnin thyenin heshtjen. Trupat e kalorësve, dikur të fuqishëm, shtriheshin tani të pajetë. Në këtë vend, bota e mbretit Artur dhe kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët do të merrte fund përgjithmonë.
Po ku ishte mbreti? Në errësirën e kaosit, Arturi i plagosur rëndë u largua nga fusha e betejës i ndihmuar nga dy besnikët e tij, Lucan dhe Griflet. I ndërgjegjshëm për fundin që po ia frohej, ai dha një urdhër të fundit: shpata e tij, Excalibur, duhej të kthehej në ujërat nga ku kishte ardhur, sepse askush tjetër nuk ishte i denjë ta mbante.
Shpata si simbol në kulturën mesjetare
Në legjendat e mbretit Artur, të zhvilluara gjatë shekujve XII dhe XIII, Excalibur luan një rol qendror. Në kulturën kalorësiake mesjetare, shpata nuk ishte vetëm një armë, por një zgjatim i krahut të kalorësit dhe një simbol i identitetit të tij.
Shpata ishte shpesh e personalizuar, duke marrë emra dhe cilësi të veçanta. Për shembull, shpata Hneiter (që do të thotë “prerëse”) e Olafit II të Norvegjisë, ose Durindana, shpata e Rolandit, nipit të Karlit të Madh.
Shpatat si Excalibur merrnin shpesh edhe fuqi magjike, të lidhura me objektet e shenjta ose me kushtet e veçanta të krijimit të tyre.
Origjina e Excalibur-it
Sipas legjendës, Excalibur ishte farkëtuar në ishullin legjendar të Avalonit dhe fillimisht quhej Caliburn. Etimologjia e emrit është komplekse, duke lidhur rrënjët e tij me latinishten, gjuhën uellsiane ose legjendat irlandeze. Në disa versione të legjendës, shpata ishte e lidhur me hyjnitë dhe fuqinë e drejtësisë.
Rrëfime të ndryshme tregojnë sesi Arturi e fitoi Excalibur-in. Sipas njërit version, shpata ishte ngulur në një shkëmb dhe vetëm Arturi, si djali i ligjshëm i mbretit Uther, arriti ta nxirrte. Në një tjetër rrëfim, shpata iu dorëzua nga një dorë magjike që doli nga ujërat e një liqeni, nën mbikëqyrjen e Zonjës së Liqenit.
Fundi i legjendës
Excalibur ishte jo vetëm simbol i fuqisë mbretërore, por edhe i sakrificës dhe drejtësisë. Në momentet e fundit të jetës së tij, Arturi e ktheu shpatën te Zonja e Liqenit, duke përmbushur kështu ciklin e saj mitik.
Legjenda e Excalibur-it dhe e mbretit Artur vazhdon të frymëzojë rrëfime, duke simbolizuar një botë të humbur të drejtësisë, trimërisë dhe magjisë. / bota.al