Analiza

Farsa e referendumeve

Screen Shot 2016-03-18 at 07.28.08

Ian Buruma

Referendumet janë shumë në modë në Europë. Në qershor, votuesit britanikë do të vendosin nëse Mbretëria e Bashkuar duhet të qëndrojë në Bashkimin Europian. Qeveria hungareze ka thirrur një referendum për pranimin e kuotës që i është caktuar nga BE, për refugjatët. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë tashmë se Hungaria do të rezistojë dhe nuk do i lërë që të futen. “Të gjithë terroristët janë praktikisht migrantë”, tha ai. Me shumë gjasa, referendumi do i shkojë atij pas qejfit.

Ndoshta referendumi më i çuditshëm do të zhvillohet në prill në Holandë, pas një fushate të suksesshme peticioni. Pyetja që do u parashtrohet qytetarëve holandezë, është nëse Holanda duhet që të firmosë një marrëveshje asociimi mes BE dhe Ukrainës. Të gjithë shtetet e tjerë anëtarë të BE-së kanë rënë dakord tashmë, por pa holandezët, ajo nuk mund të ratifikohet.

Mund të mendosh se hollësitë e marrëveshjeve tregtare dhe pengesave tarifore mund të hutojnë shumicën e votuesve holandezë, e madje edhe mund të pyesësh nëse atyre u bëhet aq vonë sa të mbajnë një referendum. Por referendumet i shkojnë për shtat populizmit që ka pushtuar shumë shtete, që nga Amerika e Donald Trumpit, deri tek Hungaria e Orbanit.

Referendumet janë një shembull i asaj që njihet si “demokracia e drejtpërdrejtë”. Zëri i popullit (ose Populli) nuk dëgjohet përmes përfaqësuesve të tj të zgjedhur në qeverisje, por në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes plebishiteve. Kur Uinston Churchilli sugjeroi në vitin 1945 se populli britanik duhej të votonte në një referendum, nëse qeveria e koalicionit e luftës duhej të vazhdonte punën, udhëheqësi laburist Clement Attlee e kundërshtoi. Ai i quajti referendumet jobritanikë dhe një “mjet të diktatorëve dhe demagogëve”.

Attlee kishte të drejtë. Edhe pse referendumet përdoren ndonjëherë në demokracitë me përfaqësim, si përshembull kur votuesit britanikë zgjodhën të qëndrojnë në Komunitetin Ekonomik Europian në vitin 1975, diktatorët janë më të prirur për referendume. Pasi pushtoi Austrinë në vitin 1938, Histleri u kërkoi austriakëve në një plebishit, nëse ata dëshironin të aneksoheshin prej Gjermanisë. Ishte një zgjedhje që ata nuk mundeshin në fakt ta refuzonin. Despotëve u pëlqen të mbështeten prej plebishiteve, sepse ata jo vetëm pretendojnë të përfaqësojnë popullin; ata janë Populli.

Moda e referendumeve sot reflekton mosbesimin e përfaqësuesve politikë. Normalisht, në një demokraci liberale, ne votojmë për burrat dhe gratë, duke pritur që ata të studiojnë dhe vendosin mbi çështjet që shumica e qytetarëve të zakonshëm nuk kanë as kohën, as njohuritë për t’u marë vetë.

Marrëveshjet tregtare janë zakonisht diçka për të cilat votuesit nuk do të donin të merreshin personalisht. Një referendum, zakonisht nuk është një jehonë e saktë e aftësive racionale të popullit, apo një test i ekspertizës së tij. Referendumet ndjekin më shumë instiktet, të cilët mund të manipulohen lehtësisht prej demagogëve. Prandaj demagogëve u pëlqejnë referendumet.

Deri tani, debati për Brexit-in në Britaninë e Madhe ka qenë pothuaj i gjithi emocional, i fokusuar në madhështinë historike të Britanisë, tmerret e tiranive të huaja, ose, në të kundërt, frikërat se çfarë do të ndodhte nëse do të prishej status quo-ja. Shumë pak votues britanikë e kanë idenë se si funksionon në realitet Komisioni Europian, apo për rolin e Këshillit Europian, por disa prej tyre kanë mendimet e tyre për Britaninë që qëndroi e vetme përballë Hitlerit, apo mundësia e vërshimit të imigrantëve.

Zakonisht, në referendum, njerëzit vendosin se cili është qëndrimi i tyre për arsye që shumë pak kanë të bëjnë me pyetjen që u parashtrohet. Disa njerëz në Britani mund të vendosin të largohen nga BE, vetëm se atyre nuk u pëlqen Kryeministri David Cameron, i cili është në favor të qëndrimit. Votuesit në Holandë dhe Francë votuan kundër kushtetutës së propozuar të BE në vitin 2005. Me shumë gjasë, shumë pak prej tyre e kishin lexuar Kushtetutën; në fakt ajo është një dokument i palexueshëm. Vota “jo” buronte prej pakënaqësisë së përgjithshme me elitat politike, që në mendjet e lexuese asociohen me “Brukselin”.

Deri në një farë mase, kjo ishte e kuptueshme – dhe jo pa justifikim. Negociatat e BE janë komplekse dhe të paqarta për shumë njerëz, dhe institucionet e BE janë të largët. Nuk është çudi që shumë qytetarë ndiejnë se kanë humbur kontrollin mbi çështjet e tyre politike. Qeveritë demokratike të shteteve u ngjajnë gjithnjë e më pak të fuqishme, dhe BE nuk është demokraci. Dëshira për referendume nuk është vetëm shenjë e ndarjeve të brendshme kombëtare; ajo është një tjetër simptomë e një kërksese populiste globale për “të rimarrë mbrapsht vendin”.

Në fakt mund të jetë kryesisht iluzion (jashtë BE, Britania mund të ketë më pak kontroll mbi fatin e saj se sa nëse qëndron në BE), por kriza e besimit duhet që të merret seriozisht. Në fund të fundit, edhe nëse referendumet janë shpesh herë të pavlerë, pasojat e tyre nuk janë. Ajo që ndodh në Ukrainë është e rëndësishme. Dalja e Britanisë nga BE mund të ketë pasoja të rënda jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për pjesën tjetër të Europës. Shembulli i suksesshëm i Hungarisë i refuzimit për të bashkëpunuar në krizën e refugjatëve, mund të provokojë vendet e tjerë që ta ndjekin pas.

Problemi themelor është se një numër i madh njerëzish ndihen të papërfaqësuar. Politika e vjetër partiake, qeverisur prej elitave të vjetra që punojnë me rrjetet tradicionale të influencave, nuk u japin më shumë qytetarëve ndjesinë e pjesëmarrjes në demokraci. Ndikimi i jashtëzakonshëm i një grushti miliarderësh në SHBA, dhe mungsa e transparencës në politikën e BE, e përkeqësojnë këtë problem.

Demokracia e drejtpërdrejtë nuk do të rikthejë besimin e njerëzve tek përfaqësuesit e tyre politikë. Por nëse nuk rikthehet një shkallë më e madhe besimi, pushteti do u shkojë udhëheqësve që pretendojnë se flasin me zërin e popullit. Dhe asnjëherë nuk ka ardhur ndonjë gjë e mirë prej kësaj. /Project Syndicate-Bota.al

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Referendum Charade

bota.al

Leave a Reply

Back to top button