Analiza

Fati i kryqëzuar i aleancave

Maturia e SHBA kundrejt Iranit, shpesh herë e kritikuar, tashmë po zbulohet se është e dobishme përballë një Iraku të destabilizuar nga përparimi i xhihadistëve. Dhe lë të hapur rrugën për një ekuilibër të lashtë të forcave

Jean-Marie Colombani

Fati i kryqwzuar i aleancaveI duhet dhënë Cezarit ajo që i takon Cezarit. Për shumë kohë, Barack Obama është kritikuar për mungesën e vendosmërisë, sidomos kundrejt Iranit. Ideja dominuese ishte që vullneti i iranianëve për të ndërtuar armë bërthamore përbënte rrezikun kryesor strategjik të fillimit të shekullit XXI. Në fakt, dëshira e Iranit shkonte në një hap me qëllimet luftëdashëse kundër vetë ekzistencës së shtetit të Izraelit, që me ritme të rregullt fliste për hapa përpara të bërë nga iranianët drejt ndërtimit të bombës, si edhe kërcënonte se do të ndërhynte ushtarakisht kundër vendndodhjeve të impianteve bërthamorë. Megjithatë, SHBA ka vënë gjithmonë veton. Kjo maturi e amerikanëve, shpesh herë e denoncuar nga Kryeministri Netanjahu – gjithmonë njeri me shumë ndikim në brendësi të republikanëve amerikanë – mundëson sot një lloj përmbysjeje të aleancave, gjë që bëhet e domosdoshme pas përparimit të rrufeshëm dhe tragjik të Al Bagdadit në Irak, udhëheqësit të një organizate të tmerrshme xhihadiste. Një përparim që i lejon të kontrollojë një pjesë të rëndësishme të territorit sirian, dhe mbi të gjitha iraken.

Ndoshta maturia e Obamës ishte e diktuar vetëm nga … maturia. Megjithatë, është e vërtetë që ka lehtësuar përmbysjen aktuale, të cilës i parapriu fillimi i një negociate ndërkombëtare me Iranin në lidhje me përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime ushtarake. Sigurisht, një Iran që “ka hequr qafe” Ahmadinexhadin, dhe presidenti aktual i të cilit, Hassan Rouhani ka dëshirën të rikthehet në tryezën e diplomacisë.

Kjo perspektivë aleance SHBA-Iran – që ka të bëjë edhe me Izraelin, për shkak të afrimit të xhihadistëve në kodrat e Golanit – shkakton tashmë relativizimin e rrezikut bërthamor iranian. E dinim tashmë që Mossadi dhe Shtabi i Gjeneralëve izraelitë ishin kundër goditjes së objektivave iraniane. “Ideja më idiote”, e kishte quajtur Meir Dagan, kur la komandën e Mossadit. Tani e kuptojmë përsenë: zyrtarisht, shërbimet izraelitë thonë se përfundimi i bombës nga iranianët mund të kryhet në 2015. Një herë kishin thënë 2007 dhe më pas 2011. Në të vërtetë lënë të kuptohet se Irani nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë bombën e vet atomike në më pak se dhjetë vite. Kjo situatë e risjell Izraelin në problemin thelbësor, që është rikthyer tragjikisht në faqet e para të gazetave, pra problemin palestinez. Dhe mungesës së zgjidhjes së këtij poblemi i duhet shtuar edhe marrja e disa zonave të Irakut nga ISIS-i.

Si ka mundësi që kreu i organizatës, Al Bagdadi, duket më i frikshëm se sa al Kaeda? Ndërkohë që kjo e fundit mbetet një mjegullnajë, Al Bagdadi dëshiron të vendoset në një territor që dëshiron ta “pastrojë”, përveçse ta zgjerojë. Kështu që, ai paraqet në rajon një rrezik veçanërisht serioz, duke parë që mund të jetë në gjendje të godasë Izraelin apo Turqinë, dhe në atë pikë do i vinte zjarrin të gjithë Lindjes së Mesme. Vija që ndan shiitët dhe sunitët shndërrohet kështu në çelësin për çfarëdolloj analize strategjike të rajonit.

Një aleancë e re e perëndimit me Iranin, e imponuar nga rrethanat, do tëishte gjithashtu një mënyrë për t’u rikthyer tek ekuilibri i forcave i para revolucionit khomeinist. Në atë periudhë, Irani dhe Turqia ishin aleatët kryesorë të SHBA dhe Izraelit. Irani ka më shumë burime se sa Arabia Saudite dhe Katari, të cilët dyshohen se financojnë përparimin xhihadist në Siri dhe në Iran, si dhe zotëron një pozicion gjeografik strategjik që peshon mbi fatin e Afganistanit dhe Irakut.

Janë këto arsyet që shpjegojnë përzierjen e pabesueshme të letrave që po merr formë në një rajon, i cili vazhdon të përqëndrojë tek vetja rreziqet më të mëdhenj të luftës. /Sette/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button