Kinema & TV

Filmat që nuk duhet të shihni, përpara se të hipni në një avion

Screen Shot 2015-09-01 at 7.09.08 PM

Statistikat nuk gënjejnë, avioni mbetet mjeti i transportit më i sigurtë në qarkullim. E megjithatë nuk janë të paktë ata që, pak përpara se të hipin në avion, nxjerrin djersë të ftohta vetëm kur mendojnë se do të ngrihe në ajër.

Asgjë nuk mund të bësh: sado që dëshira për të fluturuar i ka rrënjët të lashta – e mbani mend Ikarin? – ideja e udhëtimit në brendësi të një mjeti fluturues prej metali, që ngrihet në 10 mijë metra lartësi, mbetet për disa një përvojë krejt e padëshirueshme. Për gjithë ata që kanë frikë: mos i shihni filmat që po rendisim më poshtë.

“Flight” – “Fluturimi”

Në këtë film të Robert Zemeckis të vitit 2012, Denzel Uashington luan rolin e një piloti avionësh civilë, i cili konsumon kokainë dhe alkool. Pra, një kapiten që askush nuk do ta donte në kabinën e pilotimit. Në një prej skenave të para, uip Uiteker – ky është emri i personazhit – detyrohet të bëjë një manovrim emergjence prej makthi, i cili i detyron gjithë pasagjerët të kthehen me kokë poshtë. Që në fillim drithërima. 

“Alive” – “të mbijetuarit”

Hollivudi i ka dhuruar botës këtë film, për të na kujtuar se ndonjëherë një vdekje e shpejtë dhe pa dhimbje në një përplasje me avion, mund të jetë më e dëshirueshme se sa mbijetesa. I frymëzuar nga një histori e vërtetë, “Alive” flet për një aksident në lartësi të madhe që ndodhi në vitin 1972, në Ande, mbi Argjentinë. Instikti i mbijetesës i shtyu të mbijetuarit që të ushqehen me trupat e shokëve të vdekur. Tmerr.

https://www.youtube.com/watch?v=WOzXECzchTk

“United ’93″

Me regjisor Paul Greengrass, “United ’93” është sjellja në ekranin e madh e atentatit terrorist, më pak të njohur nga ata që ndodhën në mëngjesin tragjik të 11 shtatorit 2001. Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë film në krahasim me titujt e mëparshëm, është stili prej dokumentari i zgjedhur nga regjisori, për të rrëfyer pengmarrjen nga katër terroristë të al Kaedës. Fluturimi i avionit u përmbyll me një përplasje në një fushë në Pensilvani – askush nuk shpëtoi – por objektivi i vërtetë i atentatorëve ishte Shtëpia e Bardhë.

“Snakes on a plane” – “Gjarpërinj në avion”

Keni frikë nga avionët dhe nga gjarpërinjtë? Atëherë mos guxoni të shihni “Snakes on a plane”. Titulli e përmbledh shumë mirë dramën: një ngarkesë me gjarpërinj çlirohen gjatë fluturimit, për “gëzimin” e pasagjerëve. Fatmirësisht, mes dritareve dhe korridoreve ndodhet Nevil Flin, agjenti i FBI i luajtur nga Samuel Xhekson. Në kohën e daljes në sallat e kinemasë, filmi nuk pati shumë sukses. POr me kalimin e viteve, arriti të fitojë statusin e filmit kult, mbi të gjitha për shkak të absurditetit të situatës. Sepse e dinë të gjithë që gjarpërinjtë nuk fluturojnë në avionë. Apo…

“Cast Away” – “I humburi”

Me interpretimin e tij tek Cast Away, Tom Hanksi fitoi Golden Globe si aktori më i mirë në një film dramatik. Me regjisor Robert Zemeckis, film vërtitet përreth Cak Nolandit, një drejtues i FedEx që i mbijeton një aksidenti ajror, por gjendet i humbur në një ishull të Paqësorit. Dënimi i tij? Kalon katër vite në izolim të potë nga pjesa tjetër e botës, përveç pranisë së Uilsonit, një mik që e ka sajuar me një top volejbolli. Ka mjaftueshëm për t’u trembur dhe mos bërë fluturime trans oqeanike. Mbi të gjitha me destinacion Honolulunë.

“The Terminal” – “Terminali”

Sërish Tom Hanksi si protagonist. Me sfond avionë.  Ose më mirë, me sfond aeroportual. Në këtë rast, aktori amerikan luan rolin e Viktor Navorskit, një udhëtar që vjen nga Europa Lindore dhe dëshiron të vizitojë Nju Jorkun. Aventura e tij në Amerikë ndërpritet që pa nisur, që pa vënë këmbë jashtë aeroportit, kur vendi i tij përfshihet në një luftë civile. Trazirat në vendlindje e detyrojnë që të qëndrojë në terminalin ku ka zbarkuar, në pritje që vendi i tij të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me SHBA. Sigurisht, në fillim ideja e të jetuarit në një vend ku mund të takojë dhe stjuardesën Kethrin Zeta Xhons është e bukur. Por në të vërtetë, jeta e tij bëhet shumë e vështirë prej praktikave të mërzitshme burokratike. Një makth i vërtetë!/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button