MAINSport

Finalet nuk fitohen kështu

Kjo do të mbetet si një nga paraqitjet më të mëdha të futbollit. Fitorja 5-0 e Paris Saint-Germain ndaj Inter të dielën në mbrëmje në Mynih, është diferenca më e madhe e golave në historinë e finaleve të Champions League. Dhe ishte plotësisht e merituar.

Finalet e Kupave të Evropës nuk fitohen zakonisht në këtë mënyrë. Paraqitjet më të shquara këtë shekull janë fituar me rezultate relativisht modeste: fitorja e Barcelonës ndaj Manchester United në vitin 2011, si dhe fitorja e tyre ndaj Juventus katër vjet më vonë, ishin të dyja ‘vetëm’ 3-1. Porto e Jose Mourinhos mundi Monakon 3-0 në vitin 2004, por ishte në presion për pjesën më të madhe të pjesës së parë. Real Madrid zakonisht ka shënuar gola të vonë, duke i dhënë një shkëlqim të veçantë paraqitjeve të veta. Duhet të kthehemi te fitorja legjendare 4-0 e Milanit ndaj Barcelonës në vitin 1994 për të gjetur diçka të ngjashme.

Por kjo fitore ishte 5-0 dhe ajo tregoi të gjitha aspektet e lojës së PSG-së. Ata kaluan në avantazh me një kombinim të bukur pasimesh, treguan cilësinë e jashtëzakonshme me topin në zotërim dhe pasi kaluan në avantazh, ishin të pandalshëm në kundërsulm, duke kaluar me lehtësi mesfushorët dhe mbrojtësit e Interit.

Është e pabesueshme sa shpejt mund të ndryshojnë gjërat në futboll. Inter e nisi ndeshjen duke menduar se kishte një shans për t’u bërë kampion i Evropës, por e pa të shkërmoqet. Sistemi i tyre i lojës dukej i vjetëruar. Lojtarët duket se  kanë kaluar kulmin. Këto gjëra nuk janë domosdoshmërisht të vërteta, dhe Inter do të tregohej i pamatur po të reagonte me ekzagjerim pas një humbjeje të vetme.

Por kjo ishte një humbje e thellë, e tipit që të duhet vite për ta kaluar. Ishte prekëse, pas përfundimit të ndeshjes, të shihje turma tifozësh të Interit të mbuluar në lot; një lloj të qarash që të kujtonin humbjen 7-1 të Brazilit ndaj Gjermanisë në vitin 2014.

Nga këndvështrimi i PSG-së, një fitore kaq madhështore do të thotë që individë të ndryshëm duhet të shihen me sy ndryshe, krahasuar me disa ditë më parë. Luis Enrique tani ka udhëhequr dy skuadra të ndryshme drejt triumfit në Champions, me një diferencë prej 10 vitesh, dhe si Barcelona e tij e vitit 2015 ashtu edhe PSG-ja e vitit 2025 do të mbeten gjatë në kujtesë. Në ndërkohë, ai ishte edhe i pafat që nuk fitoi Euro 2020. Skuadra e Spanjës dominoi mbi Italinë në atë gjysmëfinale, por humbi vetëm me penallti.

Për çudi, njeriu që e pengoi atë natë në Wembley katër vite më parë është tani në krahun e tij. Gigi Donnarumma ka fituar si Kampionatin Evropian, ashtu edhe Champions League, dhe falë pritjeve të tij të penalltive në të dyja kompeticionet, si dhe paraqitjeve kundër Arsenalit në gjysmëfinale, mund të pretendojë se ka qenë lojtari më i mirë i skuadrës së tij në të dyja rastet.

Khvicha Kvaratskhelia kishte patur një ndikim të madh në fundin e pritjes së gjatë të Napolit për një titull të Serie A-së, që erdhi në vitin 2023, si edhe në fundin e pritjes së gjatë të PSG-së për një Champions League.

Fabian Ruiz ishte ndoshta lojtari më i mirë i Spanjës kur ata fituan Kampionatin Evropian vitin e kaluar dhe tani është gjithashtu kampion i Evropës në nivel klubesh. Ndoshta vetëm Lamine Yamal ka pasur një dymbëdhjetëmujor më të mirë si me klubin, ashtu edhe me kombëtaren.

Transformimi i Ousmane Dembele në një qendërsulmues i klasit botëror ka qenë krejtësisht i papritur — si pjesa ‘klas botëror’, ashtu edhe pjesa ‘qendërsulmues’ e këtij ekuacioni. Mbrëmë, Luis Enrique sugjeroi që ai duhet të fitojë Topin e Artë, jo vetëm për golat, por edhe për presionin që ushtron.

Nga ana tjetër, lojtarë si Vitinha dhe Joao Neves mund të luajnë në këtë nivel për disa vite. Dhe për emra si Desire Doue dhe Senny Mayulu, kush e di? Të dy mund të bëhen legjenda të futbollit. Edhe nëse nuk arrijnë asgjë tjetër, do të mbeten përgjithmonë heronj në Paris.

Por kjo nuk kishte të bënte, në përgjithësi, me individët. Ashtu si të gjitha skuadrat më të mira, PSG është më e fortë sesa shuma e pjesëve të saj. Rotacioni i mesfushës së tyre, në veçanti, ka qenë magjik për t’u parë gjatë gjithë fazës me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve.

Mënyra se si Vitinha nisi një aksion me pasime nga thellësia dhe më pas përshkoi mbrojtjen e Interit për t’i dhënë topin Doues në golin e tretë, tregoi super mirëkuptim në mes të fushës. Fabian shpesh zbriste në mbrojtje për t’i dhënë hapësirë Achraf Hakimit që të dilte përpara në krahun e kundërt. Shpërthimet sulmuese të mbrojtësit të djathtë janë të rrezikshme dhe i kanë kushtuar PSG-së disa herë këtë sezon në Ligën e Kampionëve, por ai e justifikoi pozicionimin e tij duke shënuar golin e parë.

Në sulm, sulmuesit ndryshonin pozicionin pa humbur ekuilibrin, me Doue dhe Kvaratskhelian që shfaqeshin si qendërsulmues, dhe Dembele që ishte efektiv si kur zbriste thellë, ashtu edhe kur shkonte në krah. Të duket sikur PSG po luan një zhanër të ndryshëm futbolli krahasuar me skuadrat e tjera, të cilat janë fokusuar te loja me zotërim të topit, duke u mbështetur më pak tek loja pozicionale dhe më shumë tek bashkëpunimi i grupeve të lojtarëve. Ata nuk janë të vetmit që bëjnë këtë, por janë padyshim më të mirët.

Është e tepërt të thuash se kjo është një epokë e re e dominimit të PSG-së — njerëzit gjithmonë e thonë këtë për skuadrat e reja që shpërthejnë dhe fitojnë. Në fund të fundit, kjo nuk është mënyra se si funksionojnë kompeticionet me eliminim direkt në një sport ku vendosin detajet më të vogla.

Madje, PSG-së iu deshën penalltitë për të kaluar Liverpool-in dhe shumë pritje të Donnarummës për të eliminuar Arsenalin. Ata nuk e kaluan me lehtësi fazën me eliminim direkt dhe rezultatet e tyre në fazën e grupeve ishin edhe më të dobëta.

Por kjo nuk ka rëndësi tani, ashtu si askush nuk e kujton që Milani shënoi vetëm gjashtë herë dhe fitoi vetëm dy ndeshje në gjashtë ndeshjet e fazës së grupeve në 1993-94, para se të fitonte 4-0 kundër Barçës. Paraqitja në finale është ajo që mbahet mend, dhe kjo do të mbahet mend përgjithmonë. / The Athletic – Bota.al

Back to top button