Analiza

Franca voton, Evropa në provë

Ka një episod që zbulon shumë, në lidhje me rastit Macron. Në një takim të kohëve të fundit, kandidati ndërpriteu tubimin e zakonshëm, mori një qëndrim si në bisedë mes miqsh, dhe iu drejtua dhjetë mijë të pranishmëve: “Dua t’ju tregoj një anekdotë. Ju e dini që kam qenë pranë filozofit Paul Ricoeur. Në vitin ’68, mësuesi im i ardhshëm ishte rektor i Universitetit të Nanterre. Një ditë, një student i derdhi një kovë plehrash mbi kokë. Ricoeur e pyeti: “Pse vepron kështu?”. Studenti iu përgjigj: “Sepse nuk të njoh si autoritet mbi veten time”. Dhe Ricoeur ia ktheu: “Autoriteti im mbi ju, është se kam lexuar më shumë libra”.

Të citosh një episod të tillë, pak ditë para votimit, është me të vërtetë një sfidë për frymën e kohës. Edhe sepse pas kësaj, Macroni lëshoi një breshëri kritikash mbi “anonimët që, të fshehur pas një maske, shkruajnë çdo gjë në rrjetet sociale. Në vend të kësaj, ne duhet të bëjmë dallimin. Fjalët nuk kanë të gjitha të njëjtën peshë. Ka nga ata që dinë, dhe ata që nuk dinë. Që janë të talentuar, dhe që nuk kanë talent”. Ai padyshim është pjesë e “atyre që e dinë” (por ndoshta ekzagjeron: secili ka formën e vet të talentit, edhe asnjëherë nuk konsiston në të shkruarit filozofi apo shkenca sociale). Atij i pëlqen që të rrethohet me njerëz që i ngjajnë: u takua me mikun e jetës, Marc Ferracci, kur ishte në bangat e “Sciences Po”, me të përgatiti provimin e hyrjes në Ena. Tani Ferracci është këshilltar ekonomik, gruaja e tij Sophie është shefe kabineti.

Peshkopi i Uber

Marine Le Pen u shfaq pothuajse dyshues, e gjendur në televizion përballë syve blu të Macronit. Ajo e përshkroi atë si bartës i standardit të ‘’uberizimit” të Francës. Uber, në fakt hodhi rrënjë në Francë, kur ministër ishte Macroni: kategoria e vetme e parizienëve që do të votojnë masivisht Marinen, janë taksistët, përveç atyre me origjinë nga Afrika Veriore. Por Uber për gruan e Frontit Nacional, është edhe metaforë e pasigurisë, fragmentimit shoqëror, triumfit të tregut.

Ngjitja e Macronit kompleton metamorfozën e të majtës reformiste: një grup të diplomuarish, borgjezë, banorë të qyteteve të mëdha, zotërues të gjuhës angleze dhe të teknologjisë, të sigurt në botën globale dhe të ardhmen, optimistë, shpesh të rinj; por edhe pensionistët që nuk kanë ndërmend të luajnë kursimet e tyre, në eksperimentet sovraniste, si për shembull një kthim tek franga. Por kjo është një e majtë që nuk e kap më votën popullore; jo rastësisht Mélenchon, lideri i radikalëve, refuzon të mbështesë Macronin. Nga ana tjetër, si kompensim, për të është mobilizuar sistemi.

E vërtetë, nuk ndjehet fryma e vitit 2002, kur një gjysmë milioni francezë marshuan kundër Jean-Marie Le Penit, që në balotazh mori praktikisht të njëjtat vota si në raundin e parë. Tani vajza e tij ka për qëllim të dyfishojë 21,3% e saj, dhe në Paris të vetmet tubime, janë radhët e gjata në rrugët e mbyllura prej alarmeve të rreme të terrorizmit. Por të gjitha mediat janë të vendosur haptaz pro Macronit. E përditshmja “Présent” u shpall si “gazeta e vetme në Francë që mbështet Marine”.

Nuk ka sondazh që nuk e nxjerr Macronin në krye. Vetëm një çudi e madhe do ta privonte sot nga Presidenca. Por përtej shifrave, do të jetë më shumë një fitore kundër Marine, se sa një votë për Macronin. Me të marrë fund muaji i mjaltit, që u ndez prej syve të kaltër dhe mirëkuptimi i bukur me brigitte, edhe Macroni do të paguajë çmimin e kthesës që imponoi balotazhi. Dhe nuk do të ketë me vete të gjithë francezët që do e votojnë sot. Që tani 60% e tyre thonë se e votojnë për shkak se “nuk ka më mirë”.

Festa në Louvre

Tashmë është montuar skena për natën e festës në vendin e zgjedhur nga Emmanuel & Brigitte: Cour du Carrousel në Louvre, zemra e lashtë e Parisit me piramidën e xhamit. / Marrë me shkurtime nga Corriere della Sera – Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button