Nga Andi Qinami
Në 13 shkurt na la një tjetër verëtar. Ashtu, pa lajmëruar… Emri Franz Haas zgjon kujtime rinie, shijimin tim të parë të një Pinot Noir-i të denjë për shënim. Isha në fillesat e mia asokohe. Një mik verëshitës më thotë se mund të gjente me një çmim të mirë, edhe për xhepin e një studenti, një karton 6 shishesh, me verën bazë të prodhuesit të njohur Franz Haas. I entuziazmuar e porosita sakaq. Ishte një verë ndryshe nga shumë ç’kisha pirë deri atëherë. Ndjeva se kisha filluar të kuptoja diçka dhe unë nga verërat.
Franz Haas ishte verëtar prej shtatë brezash. Pasioni i tij ishte Pinot Noir, një varietet i vështirë, delikat dhe shumë elegant, të cilin e kishte interpretuar për mbi 30 vjet me një stil unik dhe të rafinuar: Aty nga lartësitë e Bolzano-s prej kohësh punonte të arrinte një verë “të madhe” nga Pinot. Por ndërkohë konsiderohej nga të gjithë si “mbreti italian” i Pinot Noir.
Një përkujtimore është përherë e trishtë, por kësaj here përveç se për t’i dhënë lamtumirën Franzit, shërben edhe për të thënë dy fjalë për lexuesin e “Nunc Est Bibendum”, që s’ka dëgjuar për të apo verërat e tij.
Si mbështetës i biodinamikës, ishte tejet i bindur mbi përgjegjësinë e njeriut e në vlerën punës së tij, në të bërit e verës, e prandaj nuk besonte në konceptin e verës natyrale.
Si kërkues i fisnikërisë në shijen e një vere, dhe i vëmendshëm ndaj ndryshimeve klimatike të viteve të fundit, që prej vitit 2000 kishte zgjedhur të mbillte sa më në lartësi, sa të sfidonte hërë pas here jo vetëm natyrën, por edhe institucionet. Ia doli të çojë hardhinë në 1150 m mbi nivelin e detit.
Partizan i përdorimit të tapave me filetim, gjë që sidomos në kontinentin e vjetër është parë gjithnjë me dyshim, kishte zgjedhur këtë metodë, sepse përmbajtja e secilës shishe ishte për të aq e vyer, sa të meritonte një ruajtje të sigurtë.
Ishtë një verëtar i zellshëm dhe padyshim eksperimentuesi më i suksesshëm i varietetit Pinot, aspak i lehtë për t’u mbarështuar, kudo në botë. Pinot Noir, Spatburgunder apo Blauburgunder, pararendësi i të gjithë të tjerëve, sipas dikujt apo më ‘’tekanjozi’’ për disa të tjerë, jep verëra të rafinuara fantastike (edhe për nga çmimi), sidomos në rajonin e Bourgougne-s (Shih shkrimin “Bourgogne’ e kërcënuar?” në “Nunc Est Bibendum”) . Një ditë, siç kujtonte edhe ai vetë, i ndodhi të provonte një prej këtyre. Një Grands Échezeaux,… e që atëherë, Franz Haas i kishte vënë vetes si qëllim të realizonte verëra po kaq të mëdha.
Pak ditë përpara se të lexoja për vdekjen e verëtarit, më ndodhi të vizitoja zonën e Leskovikut, Radovën, për të qënë më i saktë. Një zotëri i apasionuar kishte realizuar disa vreshta me varietete të ndryshme. I shtyrë nga peizazhi dhe lartësia, pyeta nëse kultivonin aty edhe Pinot. “Po, më thanë, e kemi mbjellë dhe këtë varietet. Se edhe atë tradita e ka pasur”. Nuk pata mundësi kësaj here ta shijoja. Ndoshta së shpejti. Shpresojmë që edhe tek ne, dikush t’ia dalë të bëjë një Pinot “të madh”. Deri atëherë le të udhëhiqet nga çfarë nuk lodhej së përsërituri Franz Haas: “Shkenca dhe llogaritja janë të nevojshme për të përftuar verëra të shkëlqyera, por është dashuria, pasioni dhe vendosmëria ato që janë thelbësore për t’u dhënë atyre karakter dhe kompleksitet”.
Verërat e tij të mrekullueshme do të na ngushëllojnë gjatë.