Bota

Fronti tjetër evropian për Vladimir Putinin

Screen Shot 2016-04-08 at 10.50.46

Një konflikt në Kaukaz, është shansi i fundit i Kremlinit për të krijuar probleme tek fqinjët e tij, teksa Uashingtoni ri e vështron

Nga Svante Kornell

Përleshjet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë këtë javë shkaktuan të paktën 60 viktima, në luftimet më intensive midis vendeve fqinjë që nga viti 1994, kur një armëpushim “ngriu” konfliktin mes tyre. Tensionet dukej se qenë shpërshkallëzuar deri të mërkurën, por qartazi lufta mes azerbajxhanasve dhe armenëve nuk është më e ngrirë.

Në rrezik është e ardhmja e një rajoni të ndjeshëm të dominuar nga Kremlini, dhe vijat e kuqe më të mëdha politike dhe ideologjike të Eurazisë. Administrata Obama duket se beson se konflikti armeno-azer ekziston në një boshllëk, i izoluar nga tensionet rajonale dhe me rolin destruktiv të luajtur nga Rusia e Vladimir Putinit.

Është koha që Uashingtoni të konstatojë se Moska është pjesë e problemit, dhe jo zgjidhja, si dhe të marrë rolin udhëheqës në vendosjen e konfliktit në rrugën e paqes. Ky është një konflikt i vjetër mbi një krahinë në Azerbajxhan, Nagorno-Karabakun, popullsia e të cilit është në shumicë armene.

Lufta shpërtheu në fillim të viteve ’90, pasi të dyja palët arritën të imponohen në rajon, gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Që nga armëpushimi i vitit 1994, “linja e kontaktit” ndërmjet krahinës dhe pjesës tjetër të territorit azberbaixhanas ka përjetuar vetëm akte dhunë të shkëputura. Kjo ka ndryshuar gjatë 2 viteve të fundit.

Në verën e vitit 2014, shpërthyen luftime serioze, ku mbetën të vrarë të paktën 19 ushtarë. Azerbajxhani rrëzoi në nëntor të po atij viti një helikopter armen, ndërsa 2015-a pa periudha të shkurtra të reja luftimesh në të cilat gjetën vdekjen dhjetëra ushtarë të tjerë. Këtë vit luftimet duket se kanë filluar sapo bora në male ka filluar të shkrijë.

Konflikti është përshkallëzuar tani për një arsye:Kaukazi është gjithnjë e më i dobët. Që nga fillimi i viteve ‘90, konflikti Armeni-Azerbajxhan ka qenë në qendër të një ndarje politike në rajon. Moska mbështeti Armeninë, dhe konflikti i pazgjidhur e mbajti fort Jerevanin në kampin e Moskës. Kjo e alienoi Azerbajxhanin, që në kundërpërgjigje lidhi aleancë të ngushtë me Turqinë dhe Perëndimin.

Irani, i frikësuar nga një Azerbajxhani laik dhe i pasur me naftë dhe që po joshte SHBA-në, u rreshtua  në një linjë me Armeninë dhe Rusinë. Pastaj erdhi “rivendosja” e raporteve që presidenti Obama kreu me Rusinë, dhe që dukej se shpërbleu agresionin e Moskës kundër Gjeorgjisë në vitin 2008. Kohët e fundit, zoti Obama i rezistoi këshillave nga anëtarët e kabinetit të tij dhe kundërshtoi me gjysmë zëri copëtimin e Ukrainës nga Rusia, dhe mbajtjen në këmbë të regjimit të Asadit në Siri.

Kur raketat ruse filluan të godasin Sirinë nga luftanijet në Detin Kaspik vitin e kaluar, politika e ish-hapësirës sovjetike dhe Lindjes së Mesme filloi të shpërfaqet. Ballafaqimi turko-rus e vonoi procesin, qëkur Azerbajxhani është një linjë me të parin dhe Armenia është aleate me këtë të fundit.

Duke iu shtuar problemit të zotit Putin në rajon, Azerbajxhani është i vetmi vend në kufi si me Rusinë ashtu edhe Iranin, ndaj dhe është i rëndësishëm për çdo korridor Lindje-Perëndim, që lidh Europën me Azinë Qëndrore dhe më gjerë. Kontrolli i kësaj arterie, është thelbësor për projektin imperialist të Putinit. Marrëdhëniet ndërmjet Azerbajxhanit dhe SHBA-së qenë të ftohta për vite me rradhë, pasi Azerbajxhani nuk e pëlqeu mungesën e angazhimit të Amerikës në sigurinë e rajonit, ndërsa Uashingtoni fokusohej tek shkeljet e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan.

Por vitin e kaluar raportet filluan të shkrijnë. Disa delegacione amerikane të nivelit të lartë vizituan Azerbajxhanin për të diskutuar lidhjet politike dhe ushtarake, në një kohë që kanë rifilluar negociatat e Bakusë me Bashkimin Evropian mbi partneritetin strategjik.

Në një gjest të vullnetit të mirë, Azerbajxhani liroi dhjetëra të burgosur politikë, dhe administrata Obama në mënyrë reciproke e ftoi presidentin azer Ilham Alijev, së bashku me presidentin armen Serzh Sargzian në Uashington. Prandaj nuk është shumë e çuditshme që zoti Putin kërkon të përdorë një konflikt të pazgjidhur, në përpjekje për të minuar këtë qeveri fqinje, sikurse veproi më herët në Ukrainë.

Ka pak dyshime mbi aftësinë e fshehtë Moskës për ta bërë këtë. Për shembull është e dukshme se përshkallëzimi i konfliktit në vitin 2014, përkoi me përpjekjet e zotit Putin për të nxjerrë jashtë loje Francën dhe SHBA-së nga procesi i paqes, me anë të një samiti të njëanshëm që u mblodh në Soçi. Këtë vit, luftimet e përtërira përkuan me Samitin e Sigurisë Bërthamore të organizuar në Uashington nga presidenti Obama dhe vizitën e parë të zotit Alijev në Uashington në 10 vjet.

Putin përfiton nga rikujtesa ndaj të dyja palëve (dhe Perëndimit) të aftësisë së tij për të realizuar aneksime të mëtejshme në një rajon tashmë të dëmtuar nga konflikti, nëse ata cënojnë linjën e tij.

Për herë të parë në 20 vjet, Azerbajxhani ka arritur të rimarrë kontrollin mbi territorin në luftimet e fundit. Kjo mund ta nxisë për më shumë veprime, ndërsa Armenia mund të dëshirojë t’i zhbëjë këto ndryshime.  Kështu, në vitin e fundit të administratës së Obamës, ne mund të jemi lehtësisht dëshmitarë të një përshkallëzimi në rritje të konfliktit në Kaukaz. Por me gjithë këto zhvillime, administrata Obama e beson legjendën urbane që “shihet sy për sy” me Rusinë në konfliktin Armeni-Azerbajxhan, sipas fjalëve të ambasadorit Xhejms Uorlik, përfaqësuesit të SHBA-së në procesin e paqes.

Politika aktuale e mohimit e SHBA-së, vetëm sa tregon që Uashingtoni nuk po e merr seriozisht rajonin. Nëse Amerika do të shmangë një luftë të madhe në Kaukaz, ajo duhet të marrë rolin udhëheqës në një nismë serioze diplomatike, ku të angazhojë Armeninë dhe Azerbajxhanin. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Uashingtoni pranon se Kaukazi është pjesë e harkut të gjatë të konfliktit që fillon nga Ukraina dhe mbaron në Siri, dhe nëse interesat e Amerikës janë krejtësisht të kundërta me ato të Putinit.

Shënim: Zoti Cornell është drejtor i Institutit Qëndror të Azi-Kaukazit në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Xhon Hopkins. Ai është autor i librit “Azerbajxhani që nga pavarësia”.

Burimi: “W.S.J” – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button