
INTERVISTA / Sipas studiuesit David Mora, eliminimi nga ushtria i narkotrafikantit meksikan El Mencho mund të çojë në shpërthime të reja dhune.
Shteti i Jalisco-s po del me vështirësi nga tronditja pas operacionit ushtarak të së dielës, 23 shkurt, gjatë të cilit u vra drejtuesi i Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG), Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”. Operacioni la 25 të vdekur në radhët e Gardës Kombëtare dhe 46 mes narkotrafikantëve. David Mora është studiues, specialist i Meksikës, në International Crisis Group, një qendër kërkimore për krimin e organizuar dhe zgjidhjen e konflikteve të armatosura.
Ju ndodheshit në Guadalajara në momentin e vdekjes së “El Mencho”-s, të dielën 22 shkurt. Si e përjetuat atë ditë?
Ishte shumë tronditëse të shihje se si një qytet mund të zbrazet brenda pak çastesh: dyqanet mbylleshin njëra pas tjetrës dhe njerëzit zhdukeshin nga rrugët në një metropol si Guadalajara, qyteti i dytë më i madh i Meksikës, me mbi 6 milionë banorë. Qyteti po priste një gjysmë-maratone të dielën, me më shumë se 10 mijë vrapues, dhe shumë prej tyre mbetën të bllokuar, sepse rrugët u mbyllën dhe shumë fluturime u anuluan. Vetëm një shitës taco-sh ishte hapur dhe ishte plot, si me vrapues ashtu edhe me policë. Fola me disa anëtarë të Gardës Kombëtare që më treguan skena dhune të tmerrshme. 25 policët e vrarë në shtetin e Jalisco-s ishin kolegët e tyre.
Bilanci njerëzor është shumë i rëndë për forcat e rendit. Mendoni se operacioni ishte përgatitur mjaftueshëm për të shmangur këto skena lufte?
Është e vështirë të thuhet. Por ushtria kishte marrë disa masa paraprake, pasi kishte përjetuar situata të ngjashme më parë. Ushtarakët e kanë kuptuar se operacione të tilla në qytet mund të shkaktojnë viktima civile. Edhe pse “El Mencho” lëvizte shpesh në zona urbane, ushtria priti derisa ai të ndodhej në një zonë rurale, shumë më pak të populluar. Autoritetet ndoshta nuk prisnin një reagim në një pjesë kaq të gjerë të territorit dhe ky është një rrezik që mund ta kenë llogaritur gabim. Ata mund të imagjinonin që karteli do të reagonte në territorin e tij “tradicional” (Jalisco, Guanajuato, Michoacán, Nayarit, Colima), por jo në bregun e Gjirit të Meksikës si në Veracruz apo në qendër të vendit, në shtetin e Meksikës. Në total pati 250 bllokime rrugësh dhe dhjetëra të vdekur, si nga forcat federale ashtu edhe nga kriminelët. Forcat federale vendosën ta transportonin menjëherë trupin e “El Mencho”-s në Mexico City, që narkotrafikantët të mos përpiqeshin ta rimerrnin.
El Mencho dhe karteli më i fuqishëm
CJNG konsiderohet sot karteli më i fuqishëm në Meksikë. Pse?
Së pari, është një organizatë me fuqi zjarri të pazakontë. Ka armatim shumë të sofistikuar: dronë, granatahedhës, raketahedhës. Por ata dinë edhe të prodhojnë mina kundër personelit, të cilat i groposin në tokë ose i montojnë në dronë; një njohuri e transmetuar nga grupet kolumbiane.
Ata kanë krijuar gjithashtu një sistem për të rekrutuar vazhdimisht fuqi të re punëtore. Fillimisht mercenarë, veçanërisht ish-ushtarakë kolumbianë që i kanë trajnuar shumë; më pas krijuan “rekrutimin e detyruar”: të rinj nga jugu i vendit, të joshur me shpallje të rreme pune. Disa kampe trajnimi janë zbuluar pranë Guadalajara-s, ku janë gjetur trupa të varrosur. Sot dihet nga dëshmitë se ata që refuzojnë të punojnë për ta, vriten brutalisht. Fuqia e tyre shpjegohet edhe nga shumëllojshmëria e krimeve që kryejnë: prodhimi dhe trafiku i drogës, por edhe vjedhja e karburantit, zhvatjet dhe trafiku i migrantëve.
Së fundi, ata kanë një kapacitet për të korruptuar autoritetet, të barasvlershëm me kartelin e Sinaloas, rivalin e tyre kryesor. E pamë së fundmi me arrestimin e kryetarit të bashkisë së qytetit Tequila, Diego Rivera Navarro, më 5 shkurt, për lidhje me CJNG-në; aty karteli drejtonte praktikisht qytetin. Për të gjitha këto arsye, ai është shtrirë pothuajse në të gjithë Meksikën. Sot, ndoshta është më i fuqishmi në vend, pasi karteli i Sinaloas është përfshirë në një luftë të brendshme.
A ka CJNG cilësi të veçanta krahasuar me kartelet e tjera?
Po. Para së gjithash, komunikimi i tyre në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok. Anëtarët e kartelit shfaqin në video kapacitetet e tyre ushtarake, armët dhe kamionët e blinduar. Këto video bëhen virale dhe shërbejnë për rekrutim vullnetar. Por janë edhe një metodë komunikimi.
Një tjetër veçori është se Karteli Jalisco Nueva Generación kryen sulme ndaj figurave politike, gjë që karteli i Sinaloas e shmang. CJNG organizoi një atentat në zemër të kryeqytetit në vitin 2020 për të vrarë ministrin aktual të sigurisë publike, Omar García Harfuch. Më së fundmi, ata vranë kryetarin e bashkisë së Uruapan-it (Michoacán), Carlos Manzo, më 1 nëntor 2025, pasi ai kishte refuzuar një pakt korrupsioni me ta.
A mendoni se CJNG mund të ndahet pas vdekjes së liderit të tij dhe të shkaktojë dhunë të re?
Mënyra si funksionon karteli i ngjan një modeli franchise: grupe lokale përdorin markën e tyre kundrejt pagesës së “taksës”. Megjithatë, “El Mencho” ushtronte një kontroll shumë të rreptë mbi të gjithë organizatën. Prandaj nuk ka pasur kurrë fraksione të fuqishme brenda kartelit. Asnjë grup i lidhur me ta nuk ka arritur një nivel pushteti që të përbëjë kërcënim serioz për kontrollin qendror të “El Mencho”-s. Ndryshe nga karteli i Sinaloas, ku ka pasur katër fraksione; dy prej tyre përplasen sot deri në rraskapitje, sepse kanë kapacitete të barabarta ushtarake.
Pyetja e madhe është se kush do ta zëvendësojë “El Mencho”-n dhe nëse ai person do të ketë legjitimitet, sepse një figurë më e dobët mund të sjellë paqëndrueshmëri dhe të nxisë ndarje, të cilat shoqërohen gjithmonë me dhunë. Për më tepër, grupe të tjera kriminale lokale, si karteli i Santa Rosa de Lima në Guanajuato apo karteli Unidos në Michoacán, mund të përfitojnë nga ky moment dobësie i CJNG-së për të rimarrë territoret e humbura vitet e fundit. Edhe kjo do të shkaktonte dhunë.
Çfarë roli luajti bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në këtë operacion?
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, ka përcaktuar një strategji me Shtetet e Bashkuara, që konsiston në bashkëpunim, ndarje informacioni dhe vendosjen e agjencive të sigurisë së të dy vendeve në të njëjtën tryezë. Por ajo ka vendosur qartë një vijë të kuqe për pjesëmarrjen e agjentëve amerikanë në operacione në Meksikë. Shtetet e Bashkuara e respektuan këtë: të dy qeveritë shpjeguan se operacioni u krye pas ndarjes së informacionit, duke theksuar se ishte ushtria meksikane ajo që e ekzekutoi. / Le Monde – Bota.al