Udhëheqësi suprem iranian nuk ka më letra për të luajtur. I mbetet vetëm martirizimi. Dhe, ashtu si imami Husein, lëshon një breshëri të fundit raketash. Por për të, vrasja është fundi më i lavdishëm dhe i dëshiruar
Ka një episod në mitologjinë shiite që rikthehet gjithmonë, i kujtuar në formë teatrale në kremtimet e “martirizimit” të imam Huseinit. Familja dhe ndjekësit e tij më të devotshëm janë të rrethuar nga ushtria e kalifit Yazid, (personazhi i keq) në një copë shkretëtire pranë lumit Eufrat. Vëllai i Huseinit, Abbasi, i quajtur “Hëna e Hashemitëve”, thyen rrethimin, arrin tek lumi dhe përpiqet të sjellë ujë për fëmijët dhe gratë që po vdisnin nga etja. Por ai vritet. Atëherë Huseini, në një moment vendimtar, vendos se ka ardhur edhe për të çasti për të sakrifikuar jetën e vet.
Propaganda iraniane e ka përdorur gjithmonë këtë episod për të justifikuar rezistencën e Hamasit palestinez në Gaza. Dhe mund të ndihen të sigurt disa që e shohin këtë histori të shkruar në ballin e Ali Khameneit, Udhëheqësit Suprem të Republikës Islamike dhe një pikë referimi për shiitët në të gjithë Lindjen e Mesme. Ky rol i dyfishtë ka përcaktuar fatin e tij.
Arkitektura institucionale e krijuar nga Khomeini e sheh Udhëheqësin Suprem si shtyllën e peshoreve mes pushtetit shpirtëror dhe atij laik. Në njërën anë qëndron borgjezia tregtare e bazaar-it dhe nga ana tjetër “bonyad”-et, fondacionet e shenjtëroreve të mëdha, shumë të pasura.
Presidentit, pra ekzekutivit, i vë përballë “Majlis”-in, Parlamentin. Dhe po ashtu, në planin ushtarak, në njërën anë janë forcat e armatosura, dhe në tjetrën “Pasdaranët”, Garda Revolucionare, që kanë mjete më të fuqishme. Khomeini e përdori këtë ekuilibër të pushteteve për të shmangur fundin si ai i Shahut Reza Pahlavi, i cili kishte përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij dhe në ato të shërbimit sekret, Savak-ut. Dhe ai u rrëzua nga një revolucion popullor.
Republika Islamike i mbijetoi protestave, revoltave, pushtimit nga Sadam Huseini, sanksioneve, për shkak të një arkitekture më solide. Tani ka ardhur momenti final. Në fjalët e Khameneit, “beteja ka filluar”, ndodhet shembulli i imam Huseinit, jo për të fituar, por për të mos u penduar, që të hidhet në sulmin e fundit kundër forcave më të shumta, me bindjen e misionit të tij hyjnor: në këtë koncept, “martirizimi” është fitorja e vërtetë.
Në moshën 86-vjeçare, me një kancer që është rikthyer, për një figurë fetare si Khamenei – edhe pse në plan të dytë në krahasim me Khomeinin – të vritesh është fundi më i lavdishëm dhe i dëshiruar. Kjo nuk do të thotë se ai nuk po përpiqet me çdo mënyrë që të lërë si pasardhës të birin, Mojtaba, 55 vjeç, por kjo është një histori më vete. Loja mbetet e hapur. Të paktën derisa ndonjë trupë perëndimore të mos jetë në portat e Teheranit, Udhëheqësi Suprem nuk do të zëvendësohet, të paktën formalisht, nga një ushtarak. Edhe vetë gjenerali Qassem Soleimani, që gëzonte një popullaritet qindra herë më të madh se ai i ajatollahut, nuk e ka menduar kurrë një zgjidhje të tillë.
Khamenei nuk ka rrugëdalje. Ai ka provuar fillimisht të modernizojë ekonominë në mënyrë moderne kapitaliste me Rafsanjanin, më pas ta radikalizojë regjimin, duke u përqendruar tek shtresat e varfra dhe fetare të popullsisë me Ahmadinezhadin dhe subvencionet e tij pa kriter. Më pas të pajtohej me Perëndimin, madje edhe mbi çështjen bërthamore, me reformistin Khatami.
Por në fund, në vitin 2018, ai u përplas me murin Trump. Nuk deshi të ndjekë rrugën e Koresë së Veriut, të largohej nga Traktati për Mospërhapjen bërthamore dhe të prodhonte bombën sa më shpejt, për shkak të natyrës bizantine të pushtetit në Teheran dhe paqartësive që përdorte si armë negociuese. Tani nuk i ka më letrat në dorë, do të thoshte vetë Trump. Të dorëzohesh do të thotë t’i imponosh vendit tënd një poshtërim që nuk ishte parë që nga fillimi i shekullit XX, kur Persia ishte një protektorat gjysmë britanik dhe gjysmë rus. Ikja do të thoshte të përfundoje në të njëjtin plan si Shah-u, në kulmin e poshtërimit dhe përbuzjes, përpara të gjithë pasuesve.
Dhe atëherë, arma e fundit: një breshëri e fundit raketash. Ashtu si imami Husein. Në mendje, ndoshta, është gjenerali Soleimani, që si Abbasi në imagjinatën shiite, kishte provuar të thyente rrethimin e sanksioneve, të aleatëve arabë të Amerikës, të izolimit ndërkombëtar. Dhe ka krijuar milicitë shiite të stërvitura nga Pasdaranët, në Irak, Liban, Siri – të gjitha përballë Izraelit. Një kërcënim dhe një mjet parandalues. Nuk ekziston asnjë, ose thuajse asnjë, tjetër. Soleimani është bërë “martir”, me dorën e Trumpit. Aleati më i besuar dhe më i efektshëm, Hassan Nasrallah, është ende gjallë. Loja për rrëzimin e Khamenei-t ka nisur. / la stampa – bota.al