Nunc est Bibendum

Fundviti me Sommelierinë Shqiptare

Andi Qinami

unnamedEshtë thënë e stërthënë tashmë, që enologjia shqiptare është në hapat e saj të parë (edhe pse ndonjë prodhues mendon se nxjerr xhevahirë në gjendje të “rrinë” përkrah emrave me të njohur e historikë në botë, e ndonjë tjetër ka bindjet e të atit të doktor Gjilpërës, se verërat nga fshati i tij janë më të mirat), e që shumë ngelet akoma për të bërë, një kontribut në këtë drejtim duhet dhënë nga më shumë aktorë, përveç se nga vetë verëtarët. Një aktor disi më aktiv, Shoqata Shqiptare e Somelierisë, prej disa vitesh bën përpjekjet e saj për të kontribuar sadopak në nxitjen drejt disa standarteve që ndihmojnë të gjithë të përfshirët në botën shqiptare të verës, fut këtu edhe konsumatorin. Arritur në fundin e vitit të nëntë të jetës (themeluar me 25.5.2005), mbrëmjen e së enjtes së shkuar, kjo shoqatë organizoi një mbrëmbje Gala’, siç është bërë ndërkohë traditë për të festuar ardhjen e Vitit të Ri dhe përmbylljen e aktiviteteve të atij që shkoi. Këto aktivitete, për Shoqatën e Sommelierisë, nisën me një vizitë në Kantinën “Stone Castle” të rajonit të Rahovecit në Kosovë e përfunduan me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të kësaj Shoqate, në cilësinë e anëtarit të jurisë vlerësuese, në Konkursin e organizuar edhe këtë vit nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave me qëllim vlerësimin e verërave Shqiptare që u paraqitën garuese.
image-1418760033475-VNuk është fort e qartë në ç’masë aktivitete të tilla vijnë në ndihmë të konsumatorit shqiptar, po të kemi parasysh vëmendjen e munguar të këtij ndaj produkteve shqiptare sidomos në shishe, por duke qenë përçapje që stimulojnë prodhuesin, janë gjithësesi të mirëpritura. Edhe përzgjedhja e listës së verërave për drekën shqiptare të Atit të Shenjtë gjatë vizitës së Tij në vend në shtator të këtij viti, midis të tjerash, ka qenë pjesë e aktivitetit të Shoqatës për vitin 2014. Evenimenti i mbrëmjes Gala’, gjatë së cilës u shërbye ekskluzivisht verë shqiptare prodhuesish të ndryshëm, mblodhi së bashku jo vetëm sommelier-rë apo teknikë të sektorit, por edhe personalitete, miq shqiptarë e të huaj, të apasionuar, të ndjeshëm e të vëmendshëm ndaj verës shqiptare.
Si për të theksuar edhe më elementin kombëtar që karakterizoi vetë mbrëmjen, kolona zanore u ofrua përmes tingujsh prodhuar mjeshtërisht nga  instrumentet e “Kuartetit Etnik”.
Në këndin e posaçëm të sallës së Restorantit “Helios”, ishin vënë në dispozicion të të ftuarve, për degustim, një shumëllojshmëri verërash shqiptare sjellë aty nga vetë prodhuesit. Ata që e kishin gjetur me vend, të paktën. Pikërisht aty, pati biseda kokë më kokë, njohje e shkëmbime përshtypjesh e opinionesh të sinqerta mbi shijime e pritshmëri. Evitojmë recensione ndaj produktit të kujtdo sepse nuk ishim ftuar aty për gjykime, por për të festuar shqip e me verë shqiptare. Rrjedha e të festuarit nuk u cënua e nuk u ndal  aspak nga ky minitubim afër etiketave shqiptare, përkundrazi, u shtua “sikleti” i të zgjedhurit e dozës së socializimit mes të ftuarve. Tek e fundit, gjetjet e vazhdueshme të aktivitetit të hershëm njerëzor, na flasin për degustime të këtij lëngu si pjesë të një rituali social.
Në linjë me urimin e Presidentit të Shoqatës së Somelierisë Z. Elezi, në fund përshëndetjes së tij, “Pini pak, po pini mirë”, të gjithë të apasionuarit e verës, dhe jo vetëm ata që ishin të pranishëm në këtë mbrëmje, urojnë që për sa i përket produkteve Shqiptare, për vitin që vjen – meqë duhet shpresuar më shumë tek hyji se tek njeriu – … qoftë një vjelje më e lumtur se ajo e këtij viti!

Leave a Reply

Back to top button