Bota

Fytyrat e shumta të xhihadistëve evropianë

Screen Shot 2016-04-07 at 09.34.59

Nga Farhad Khosrokhavar

Xhihadizmi në Evropë, duket se është vazhdimisht një hap para shërbimeve të sigurisë, të cilat vazhdojnë të operojnë në nivel kombëtar, pavarësisht bashkëpunimit në rritje mes tyre. Paradoksalisht terrorizmi bashkon Evropën, duke forcuar ndjenjën e identitetit të përbashkët në mesin e qytetarëve, të cilët i përjetojnë sulmet në Paris dhe Bruksel, sikur të kishin ndodhur në vendin e tyre. Kjo qe pjesërisht e vërtetë që prej sulmeve në Spanjë në vitin 2004, dhe në Britaninë e Madhe në vitin 2005.

Që atëherë peizazhi i terrorizmit evropian ka përjetuar shumë ndryshime, të cilat duhet t’i marrim në konsideratë nëse duam ta luftojmë atë në mënyrë më efikase. Duhet theksuar para së gjithash ekzistenca e “nënhapësirave” terroriste, të cilat janë formuar në mënyrë të pavarur nga kufijtë kombëtarë, por mbeten të kufizuara në disa vende ose zona të veçanta. Nënhapësira e parë është ajo franko-belge. Terroristët belgë që përgatitën sulmet e 13 nëntorit 2015 në Paris, u nxitën edhe nga një ndjenje anti-franceze, e cila daton nga historia e vendeve të origjinës së familjeve të tyre, d.m.th ish-kolonitë franceze si Maroku dhe Algjeria.

Tipari i dytë i xhihadistëve pas vitit 2013, është rritja e tyre e shpejtë:rreth 5 mijë të rinj kanë shkuar në Siri për t’iu bashkuar kryesisht Shtetit Islamik, “shteti” që ka për qëllim të rikrijojë kalifatin në Siri dhe Irak. Janë mes 1200-1500 persona, dhe ndoshta më shumë, që kanë lënë Francën për të shkuar në rajonin e trazuar.  Në dekadën e kaluar, numri i xhihadistëve francezë nuk arrinte as në 200. Në mesin e atyre që janë trajnuar në Siri apo Irak, disa janë më të aftë në menaxhimin e eksplozivëve sesa “terroristët shtëpiakë” të ngathët të viteve 2000, formimi i të cilëve kryhej nëpërmjet internetit.

Karakteristika e tretë është shtimi i rekrutëve nga klasa e mesme. Më parë, shumica e xhihadistëve ishin të rinj të frustruar dhe të zemëruar, që shpesh vinin nga rrethinat. Sot, në mesin e tyre ka të rinj më të pasur, me më shumë burime intelektuale dhe kulturore. Nuk mund të përcaktohen lehtësisht të përjashtuarit, përderisa nuk kanë as sjelljen dhe as gjuhën e trupit të banorëve të periferive. Për më tepër nuk janë të skeduar nga shërbimet e inteligjencës, pasi nuk kanë një të kaluar kriminale. Ata mund të kenë më shumë burime të konsiderueshme ekonomike, dhe anëtarësimi i tyre i siguron Shtetit Islamik mjete të cilat Al Kaeda dikur nuk i kishte.

Roli i vëllezërve

Në mesin e xhihadistëve ka gjithnjë e më shumë të konvertuar. Numri i tyre është rritur në mënyrë dramatike nga viti 2013, deri në rreth një të katërtën e totalit. Ata nuk konvertohen thjesht për të marrë hak për statusin e tyre të pafavorshëm social (ashtu si ndodh me “të vegjlit e bardhë”, që sillen paksa si të rinjtë e periferisë), por edhe për një lloj “aktivizmi humanitar”, i cili parashikon reagimin ndaj dhunës për të mbrojtur viktimat.

Përzierja e klasës së mesme dhe rinisë periferike, apo edhe të lagjeve të varfra të Sirisë, mund të dëshmohet shpërthyese, përderisa çdo komponent i ofron tjetrit atë që i mungon, që është kapitali kulturor dhe etja për hakmarrje. Bashkëpunimi ndërmjet dy grupeve, mund të çojë në akte të tmerrshme si ato të 13 nëntorit 2015 në Paris, pikërisht për shkak të armaturës ideologjike të ISIS-it:ata ndjehen të destinuar për një mission, që është njëkohësisht edhe një vokacion.

Qëllimi është të “ndëshkohet” një shoqëri jobesimtarësh, që është kundër vullnetit të Perëndisë. Këta të rinj janë të motivuar nga një vizion euforik i jetës së tyre dhe i të ardhmes pas vdekjes, si martirë dhe të përzgjedhur. Ajo që i motivon nuk është, siç pretendonte André Glucksman, nihilizmi, por një sërë arsyesh.

Duhet ndërkaq të theksohet prania masive e grave (rreth 600 mes 5 mijë xhihadistëve që luftojnë në Siri), e cila kontraston dukshëm me numrin shumë të kufizuar të tyre para vitit 2013. Ky kontingjent femëror, paraqet një dimension të ri tek xhihadizmi. Gratë e reja ndjehen shoqe të afta për t’i dhënë kësaj aventure një kuptim “neokomunitar” ose “neoumatik”(uma është bashkësia e muslimanëve), ose krijuar një komunitet të ri mysliman.

Kur janë shtatzëna ato sjellin në jetë, pavarësisht martirizimit të shokut të tyre, një djalë i cili nga ana e tij do të jetë martir. Burrat dhe gratë vihen në shërbim të një uma-je që merr një rol të rëndësishëm, dhe që është mishërohet tek Kalifati, kujdestari i së shenjtës. Nëse dëshiron, gruaja e re mund t’i bashkohet brigadës Al-Khansa, ku i mësohet si të përdorë armët.

Ajo mundet, nëse është e aftë, të bëhet një xhihadiste në kuptimin e plotë të kësaj fjale, duke u rrikthyer në Evropë, ose qëndruar në vend, dhe iu i bërë thirrje grave hetizuese t’i nënshtrohen rregullave të Kalifatit. Përveç femrave, një prani tjetër e rëndësishme është ajo e adoleshentëve. Hyrja në rradhët e ISIS-it u duket të rinjve si një mënyrë për t’u rritur para kohe dhe kaluar më moshë madhore.

Ushtrimi i dhunës bëhet një rit kalimi nga një faze e jetës në tjetrën, të cilën adoleshentët e përdorin për t’i dhënë fund periudhës së pafundme post-adoleshenciale të shoqërive evropiane, ku momenti i emancipimit bëhet gjithnjë e më i vonuar për shkak të mungesës së punës. ISIS-i ofron mundësinë e ndërprerjes së kësaj adoleshence që nuk përfundon kurrë, në një Evropë ku tashmë mungon çfarëdolloj vizioni politik, që mund t’i japë një kuptim jetës së të rinjve.

Në fund, rrethinat apo getot, vazhdojnë të prodhojnë të rinj që aspirojnë të bëhen xhihadistë. Xhihadi ofron një mënyrë për të kanalizuar urrejtjen e tyre ndaj shoqërisë, fajtore për margjinalizimin dhe stigmatizimin, ku viktimat janë të rinjtë që jetojnë atje.

Etja për hakmarrje

Shteti Islamik premton ndërkohë një avantazh shtesë:pa të, xhihadisti i ri do të qe i detyruar t’i drejtohej Al-Kaedës dhe diskursit të saj teologjik të mërzitshëm kundër një armiku të largët. Me Kalifatin e ri, ai ka qasje tek një heroizëm i pavdekshëm në videot flmike, tek ekzotizmi (udhëtuar larg nga shtëpia për të jetuar më intensivisht) dhe romantizmi (të bëhen heronj të mëdhenj në një botë që sheh rilindjen e Kalifatit të zhdukur në vitin 1924, dhe prestigji i të cilit është i krahasueshëm, për këta të rinj entuziastë, me atë të shtetit të parë komunist që u shfaq në vitin 1917 në Rusi).

Nën flamurin e ISIS-it bashkëjetojnë dy lloje xhihadistësh, të cilat dallojnë për nga motivimet e tyre të brendshme. Ka nga ata që vuajnë, dhe kërkojnë t’ia shkarkojnë këtë vuajtje shoqërisë, të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për problemet e tyre. Por ka edhe nga ata që janë mërzitur, dhe kërkojnë një jetë më emocionuese, në një luftë pa mëshirë, gëzimin e një jete elektrizuese që gjen tek vdekja kulmin e saj të lavdishëm.

Kjo është arsyeja pse disa të rinj e përjetojnë luftën në Siri si një eufori të pandërprerë, ku të vrasësh dhe të vritesh janë pjesë e këtij glorifikimi, të një ekzistence transgresive, të një feste të pambarimtë. Shumëllojshmëria e profileve të xhihadistëve, tregon se shoqëritë europiane nuk gjenden përballë një lloji të përcaktuar të rinjsh (qofshin ata të periferisë apo lagjeve të varfëra të Mbretërisë së Bashkuar ose Belgjikës), por një diversiteti që tashmë përfshin një numër të konsiderueshëm të rinjsh të zhgënjyer nga një Evropë që nuk ka më asnjë utopi politike, dhe në kërkim të një vitaliteti dhe një ekzaltimi të dhunshëm.

Kërkimi i zgjidhjeve për të kundërshtuar radikalizimin e të rinjve, duhet të marrë parasysh këtë diversitet. Mungesa e utopive politike, e bën më delikate këtë detyrë në një botë ku dimensioni i brendshëm (pakënaqësia e të rinjve) dhe ai i jashtëm (lindja e ISIS-it), shkrihen në një përzierje shpërthyese që është rezultat i globalizimit të ideve, të cilat kombi-shtet evropian e ka të vështirë t’i kontrollojë. Ky i fundit, nga ana e tij, e ka të vështirë për t’u hapur në një dimension të vërtetë evropian, pavarësisht se sulmet e kohëve të fundit kanë treguar paaftësinë e një dimensioni kombëtar të shërbimeve të inteligjencës, brenda Evropës pa kufij të zonës Shengen.

“Le Monde” – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button