Histori

Gandi ishte racist ?

Një libër në Afrikën e Jugut shkatërron imazhin e liderit indian: “Ai i ka përçmuar zezakët”

Screen Shot 2015-10-03 at 10.28.02

Gati shtatëdhjetë vjet pas vdekjes së një prej figurave më me ndikim të shekullit XX-të, një ese e botuar së fundmi në Afrikën e Jugut, e rrëzon imazhin e deritanishëm të Gandit, duke e akuzuar atë për racizëm kundër zezakëve. Libri titullohet “Gandi Afrikano-Jugor”, dhe dokumenton periudhën në të cilën udhëheqësi i madh indian, që u bë ikonë e pacifizmit në botë, qëndroi në Afrikën e Jugut nga viti 1893 deri në 1914. Autorët e veprës janë dy profesorë universitarë, Ashvin Desai dhe Golam Vahed, respektivisht nga Universiteti i Johanesburgut dhe KvaZulu Natalit.

E tyrja nuk është thjesht një hipotezë. Duke gërmuar nëpër arkiva, dhe lexuar tekstet që vetë Gandi shkroi gjatë qëndrimit të tij të gjatë në Afrikën e Jugut, studiuesit kanë zbuluar detaje shokuese: Mahatma i cilësonte zezakët të “egër” dhe “primitivë”, të përkushtuar ndaj një jetë “apatike dhe të zbrazët”

Për këtë, gjithnjë sipas librit, udhëheqësi i ardhshëm i mospërdorimit të dhunës, bënte një fushatë të pamëshirshme për të bindur qeveritarët britanikë, se komuniteti indian ishte në thelb më superior ndaj vendasve të zinj afrikanë. Me pak fjalë, portreti i Gandit Afrikano-jugor, shtrembëron ndoshta përgjithmonë atmosferën e mirësisë dhe shenjtërisë, me të cilat bota e ka parë përherë njeriun që kundërshtoi kolonializmin britanik, fitoi pavarësinë e Indisë, duke e paguar në fund me jetën e vet. Një goditje tepër e rëndë, aq sa shkrimtari indian Arundati Roi, ka pranuar se pas publikimit të kësaj biografie të re – të planifikuar për këtë muaj – askush s’mund të mendojë më në të njëjtën mënyrë për këtë personazh të madh.

Gazeta amerikane “The Washington Post” i paraprin botimit të  librit me disa nga gjykimet, që Gandi rezervon për zezakët në Afrikën e Jugut:

– Një nga betejat e para, në të cilën Gandi u angazhua sapo erdhi në Afrikën e Jugut, ishte ajo e hyrjeve të veçanta për zezakët dhe të bardhët në zyrën postare në Durban. Gandi nuk e shihte të drejtë që indianët të caktoheshin “në të njëjtën kategori me vendasit e Afrikës së Jugut”, që ai i quante “kaffiri”, duke bërë thirrje për një hyrje të veçantë për qytetarët e Indisë.

– “Na lëndonte shumë ajo mungesë respekti … dhe u kërkuam autoriteteve të eliminonin atë diferencim të urryer, dhe tanimë janë ndërtuar tre hyrje për zezakët, aziatikët dhe evropianët”

– Në një peticion të vitit 1895, Gandi shprehu gjithashtu shqetësim se njohja e më pak të drejtave ligjore për indianët, do të rezultonte në një degjenerim “aq e fortë sa zakonet e tyre të qytetëruara, do të degradoin si ato të vendasve, dhe në hapësirën e një brezi do të kishte pak dallim në veshje, zakone dhe mënyrat e të menduarit, ndërmjet komunitetit indian dhe zezakëve”.

– Në një letër të hapur drejtuar parlamentit të Natalit në vitin 1893, Gandi shkruan:”Pata guximin të vë në dukje se si britanikët dhe indianët vijnë nga i njëjtit trung, i quajtur indo-arian Duket se mbizotëron një besim i përgjithshëm në koloni, sipas së cilës indianët janë vetëm pak ‘më të mirë’, apo edhe identikë me të egrit, domethënë vendasit e Afrikës. Fëmijët rriten me këtë ide, dhe rezultati është se indianët zvarriten në të njëjtën pozitë me primitivët ”kaffiri”.

– Gjatë një fjalimi në Mumbai, në 1896, Gandi tha se evropianët e Natalit donin të na “degradonin në nivelin e primitivëve, për të cilët punësimi i vetëm është gjuetia, dhe ambicja e vetme është të kenë një numër të caktuar bagëtish për të blerë një grua, dhe pastaj e shpenzojnë pjesën tjetër të jetës së tij në plogështi dhe lakuriqësi”./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button