Analiza

Gati për luftë

Screen Shot 2015-02-06 at 20.35.21Para ekzekutimit të egër të pilotit të tyre, shumë jordanezë ishin të shqetësuar se roli i tyre në luftën kundër Shtetit Islamik sillte problemet e rajonit brenda vendit

Nga Martin Chulov

Tashmë imazhet tronditëse të Moaz El-Kasasbeh, që digjet i gjallë kanë tronditur gjithë vendin, duke bërë që edhe skeptikët më të mëdhenj mbi kontributin e Jordanisë në koalicionin ndërkombëtar, të kërkojnë haptazi hakmarrje, duke u zotuar se do të bëjnë “gjithçka që duhet” për t’a luftuar grupin terrorist.
Një ditë pas transmetimit të imazheve të tmerrshme të pilotit, që digjej i gjallë brenda kafazit të hekurt, rrugët e kryeqytetit Aman u zbrazën, ndërsa turma të mëdha njerëzish u rreshtuan rrugës nga aeroporti për në pallatin mbretëror për të mirëpritur në shtëpi monarkun e tyre, mbretin Abdullah nga vizita e tij e shkurtër në Uashington.
Ndërkohë që edhe privatisht brenda shtëpive të çajit, universiteteve, qendrave tregtare dhe restoranteve, njerëzit shkumëzonin nga inati. Stacionet e radiove dhe televizioneve, luajtën himne patriotike dhe brenda 23 minutash nga transmetimi fillestar, imazhet e tmerrshme qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale.
Herë pas here, pasionet përndizeshin. “Unë betohem për Zotin se do t’i vras të gjithë ata derra”- thotë Musab Ibrahim, brenda një kafeneje në pjesën e vjetër të Amanit. “Çfarëdo që duhet për t’i shkatërruar ata, ne do ta bëjmë”- shton ai. Në tavolinën përbri,  4 burra ndërpresin një lojë me letra, duke dënuar aktin e xhelatëve dhe thurrur elozhe për Kasasbehun. “Ai është djali ynë, është një hero. E gjitha Jordania është me të dhe me mbretin tonë”- tha Juusf Barguti, drejtor i një shkolle fillore.
“Ne jemi të gjithë Hashemitë dhe do të ndjekim qeverinë pa rezerva, në luftën kundër këtyre terroristëve të pafe”- tha një burrë tjetër, Jusuf Maxhid Al-Zarbi. “A e patë videon ? Vërtet, si mund të ekzekutohet njeriu në atë mënyrë?”.
Tek kryqëzimet në zemër të Amanit, tregtarët në rrugë shisnin flamuj dhe buqeta për funeralin e  përgatitur për Kasasbeh. Megjithatë shumë pak qytetarë. Një shoqëri e kapluar prej gati 1 muaji nga çështja e Kasasbehut, dhe lutjeve për mëshirë nga prindërit e tij të dëshpëruar, pa me tmerr djegien e tij të gjallë, që eklipsoi edhe frikërat e tyre më të këqija.
Infermierja Gader Shatra shrpehet se është e shokuar nga lajmi. Sipas sak kjo ngjarje ka gjasa të çojë vendin drejt luftës. “Ne kemi parë sesi rajoni është shpërbërë. Kemi pranuar deri tani gati 2 milionë refugjatë, duke shpresuar se nuk do të përballemi me luftën. Por ndonjëherë duhet të dalësh dhe të luftosh. Nuk kemi asnjë opsion tjetër”- thotë ajo.
Të mërkurën, zyrtarët jordanezë e afruan mundësinë e shpalljes së luftës, ndërsa shumë prej qytetarëve duken të gatshëm për të. “Të gjitha agjensitë ushtarake dhe të sigurisë, po diskutojnë opsionet e tyre”- tha zëdhënësi Muhamed Momani. Sipas tij “përgjigja e Jordanisë do të dëgjohet nga e gjithë bota, por kjo përgjigje do të shpallet në kohën e duhur”.
Deklarata u prit me entuziazëm, ndërsa avionë bombardues F-16, i njëjti që pilotohej nga Kasasbeh para se të rrëzohej mbi qytetin lindor sirian të Rakas, patrulluan mbi qiej. Ata fluturuan mbi Aman dhe në vendlindjen e Kasasbeh në Karak, 140 km në jug të kryeqytetit, ku prindërit e ish-pilotit kishin hapur dyert e mortit dhe po prisnin ngushëllimet.
“I pata mësuar djalin tim, të shërbente për mbretërinë dhe ai e bëri këtë”- tha Saif Al-Kasasbeh. “Ai u bë një ndër pilotët më të mirë dhe dha jetën e tij, për të mbrojtur vendin. Moaz është një bir i Jordanisë dhe unë kërkoj nga mbreti të mbajë premtimin e tij se do merret hak. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, që të shkatërrojë ISIS-in, i cili nuk ka të bëjë fare me Islamin dhe parimet e tij”- deklaroi ai.
Shteti Islamik përdori mediat sociale, për të deklaruar se mizoria e tij e fundit mbështetet tek ligji islamik. Por për synimet e hapura të Jordanisë për nisjen e luftës, nuk pati asnjë mbështetje nga klerikët-së paku jo publikisht- as edhe nga figurat kryesore të botës islame, që gjithësesi e dënuan qartazi vrasjen. Jashtë xhamisë “Mbreti Abdullah” në zemër të Amanit, ku lutjet e mesditës i kushtohen ish-pilotit Kasasbeh, Ajman Basam Hafez kërkon ekzekutimin e më shumë terroristëve të dënuar, si një formë hakmarrje ndaj vrasjes së Moazit.
Dy të burgosur të dënuar me vdekje u varën të mërkurën, mes tyre kamikazi që dështoi në operacionin e tij, Saxhida Al-Rishavi e të cilin ISIS-i donte ta këmbente me gazetarin japonez, që i prenë kokën një javë më parë. Tre të burgosur të tjerë, ka të ngjarë që të dërgohen në trekëmbësh në ditët e ardhshme.
Tashmë më shumë sesa të marrin hakun e Kasasbehut, çështja kryesore të cilën ushtria jordaneze duhet ta konsultojë me udhëheqësit e vendit, është hartimi i një strategjie për të mbajtur ISIS-in jashtë kufijve të vendit. Zemërata e madhe në opinionin publik i ka dhënë mbretit Abdullah, komandant i forcave të armatosura, një mandat për të filluar përgatitjet për luftë.
Përgjatë gjithë fushatës ajrore 6-mujore, Jordania kishte qenë një partner i profilit të ulët, duke mos e publikuar përfshirjen e saj në operacionet kundër ISIS-it, deri kur avioni Kasasbehut u rrëzua mbi Siri. Dhe për 3 vjet më rradhë, nuk pati ndonjë sinjal pozitiv nga Jordania mbi kërkesat amerikane dhe saudite, për të trajnuar në territorin jordanez rebelët e moderuar sirianë që janë kundër ISIS-it por edhe regjimit të Asadit.
Kjo bedohej se ishte një politikë e përshtatshme, për të mbrojtur krahun verior të Jordanisë, por të cilën Siria dhe aleatët e saj e mendojnë se mund të jetë një shenjë paralajmëruese për një marshim në Damask. Ngjarjet e kësaj jave e kanë transformuar rrënjësisht mënyrën sesi jordanezët e mendojnë luftën kundër ISIS-it, një armik po aq i rebelëve kryengritës sirianë, ashtu edhe ndaj mbretërisë Hashemite.
“Para vrasjes së Kasasbeh, unë mendoja se nuk duhet të përfshiheshim në këtë luftë”-tha Omar Abdyl Hamid, 35-vjeç nga Zarka pranë Amanit. “Por tani kam ndryshuar mendim. Ne absolutisht duhet t’i luftojmë ata”- deklaroi ai. Said Gani, 53-vjeç shton:”Populli i Jordanisë tani është më i bashkuar se kurrë”. Megjithatë disa dyshojnë se Jordania mund të arrijë të mbrojë veten duke filluar zyrtarisht luftën kundër ISIS-it. “Ne kemi nevojë të shmangim aventurat, që mund të na sjellin shumë probleme”- tha Isa Muhamed, 25-vjeç. “Edhe pa të ne kemi mjaft probleme”- shton ai. /“The Guardian”/

Leave a Reply

Back to top button