Bota

Gjermani, “tym i bardhë” për koalicionin?

Angela Merkel dhe Martin Schulz, duket se kanë gjetur akordin për të nisur negociatat qeveri-krijuese në Gjermani. Lajmi raportohet nga e përditshmja gjermane Bild, që shkruan se palët kanë rënë dakord për rikthimin e një koalicioni të madh qeverisës, në vend të zgjedhjeve të reja apo krijimit të një qeverie pakice.

Konservatorët e kancelares gjermane Angela Merkel dhe Social-Demokratët kanë rënë dakord për nisjen e negociatave qeveri-formuese.

E përditshmja gjermane Bild raporton se akordi është arritur nga takimi i një dite më parë të zhvilluar mes palëve në prezencën e presidentit Frank-Walter Steinmeier.

Sipas Bild, pjesëmarrësit në këtë takim, Merkel, aleati i saj bavarez Horst Seehofer dhe lideri i Social-Demokratëve Martin Schulz, diskutuan një sërë opsionesh për krijimin e një qeverie, duke filluar nga një koalicion i madh e duke vijuar deri tek një qeveri pakice të udhëhequr nga Merkel apo mundësia e zgjedhjeve të reja.

Por në fund, duket se palët kanë rënë dakord për një rikthim të “koalicionit të madh” konservator.

Merkel është vënë në kërkim të një aleati për të krijuar qeverinë e re gjermane, pas një rezultati zhgënjyes nga zgjedhjet federale.

Fillimisht, kancelarja kërkoi të krijonte një koalicion trepalësh me Demokratët e Lirë pro-biznesit dhe të Gjelbrit, por negociatat mes tyre dështuan. / Oranews.tv

Leave a Reply

Back to top button