Bota

Gjermania sheh me ankth, nga Franca që zgjedh të ardhmen

Një fitore e Marine Le Pen, udhëheqëses populiste të Frontit Nacional, që duket se e ka pothuaj të garantuar kalimin në raundin e dytë në maj, do të ishte sfida më kritike për fqinjen e Francës, Gjermaninë, shkruhet në një artikull special, në numrin e djeshëm të Financial Times. Por edhe nëse fiton kandidati i qendrës, Emmanuel Macron, gjë që e tregojnë edhe sondazhet, Berlini gjithësesi nuk është i sigurtë, nëse do të mundet që të nxjerrë rancën nga gjendja e saj e vështirë, politike dhe ekonomike.

Fatet ekonomike të të dy vendeve, janë ato që shkaktojnë shqetësimet e Gjermanisë për zgjdhjet presidenciale në Francë. Teksa partneri më i rëndësishëm politik dhe ekonomik i Berlinit, shkon drejt zgjedhjeve më të rëndësishme ndoshta në dekadat e fundit, qeveria e Angela MErkelit është jo pak e shqetësuar për rezultatin, si dhe impaktin që ai do të ketë, mbi rolin ndërkombëtar të Gjermanisë.

Sipas Financial Times, njerëzit janë të shqetësuar në Gjermani, jo vetëm nëse fiton Le Pen. Edhe nëse president i ardhshëm do të jetë Macron, sërish gjermanët nuk kanë garanci që problemet e brendshme të Francës do të zgjidhen.

Pa një fqinj të fortë, argumentojnë zyrtarët gjermanë, atyre u mungon një partner në BE, që të jetë në gjendje të përballojë probleme të tilla si, imigrimi dhe papunësia. Sidomos pas largimit të Britanisë së Madhe, thotë Henrik Enderlein i think tankut “Delors Institute” në Berlin, Gjermania ka nevojë shumë për Francën, me qëllim që të mos portretizohet si një hegjemon.

Ndërkohë që është pjesë e Eurozonës, defiçiti i Francës është më i lartë se sa 3 përqindëshi i lejuar. Berlini nga ana e vet, ka sufiçit. E njëjta gjë ndodh edhe me tregtinë. Ndërsa papunësia mes të rinjve në Francë është 24 përqind, në fqinjin e saj ajo është vetëm 7%. Në një debat i cili është në fakt, në themel të politikës ekonomike të eurozonës, Gjermania thotë se Parisi ka nevojë për ulje taksash dhe liberalizim të rregullave të punës.

Një fitore e Macronit duhet të jetë lajm i mirë për Gjermaninë. Ish bankieri dhe ish ministri socialist i Ekonomisë, që ka vizituar Berlinin gjatë fushatës së tij, ka qenë kaq pozitiv kundrejt Gjermanisë, saqë në një debat televiziv e kanë akuzuar si ‘zëvendës kancelar”. Ai ka premtuar të lançojë menjëherë reforma të tregut të punës nëse fiton, si dhe të kërkojë bashkëpunimin e Gjermanisë për të krijuar “një mjedis pro rritjes ekonomike”.

Por, nga ana tjetër, zyrtarët gjermanë kujtojnë premtimet e mëparshme të papërmbushura nga Franca. Ata druhen gjithashtu se Macroni – një rishtar në politikë që udhëheq një lëvizje të krijuar rishtaz – nuk ka eksperiencën dhe mbështetjen e duhur partiake, për të kaluar ndryshime dhe reforma të dhimbshme në Ansamblenë Kombëtare. / Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button