BotaMAIN

Gjimnastja, modelja, ish pastruesja. Të gjitha historitë e fshehta të Carit “të dashuruar”

Putini e ka mbrojtur gjithmonë privatësinë e tij si një kufi strategjik. Asnjë rrëfim intim, asnjë ekspozim, asnjë narrativë familjare. Megjithatë, me kalimin e kohës, rreth figurës së tij është ndërtuar një hartë femërore e përbërë nga martesa zyrtare, thashetheme këmbëngulëse, hetime gazetareske dhe hije që nuk janë shpërndarë kurrë. Një mozaik që flet shumë për natyrën e pushtetit rus dhe mënyrën si ai e koncepton botën

“I besoj dashurisë me shikim të parë”. E thënë nga Vladimir Putin, kjo fjali tingëllon si një çarje e papritur në granitin e pushtetit. Pak fjalë, të shqiptuara gjatë “Linjës së Drejtpërdrejtë” të fundvitit, mjaftojnë për të hapur kapitullin më enigmatik të liderit të Kremlinit: jetën sentimentale.

“Jam i dashuruar”, shton ai, pa emra, pa detaje. Dhe pikërisht kjo heshtje, e kultivuar prej vitesh si doktrinë, ringjall pyetjen që e shoqëron që nga momenti kur u ngjit në majën e pushtetit: kush janë, në të vërtetë, gratë e jetës së Putinit?

Putini e ka mbrojtur gjithmonë privatësinë e tij si një kufi strategjik. Asnjë rrëfim intim, asnjë ekspozim, asnjë narrativë familjare. Megjithatë, me kalimin e kohës, rreth figurës së tij është ndërtuar një hartë femërore e përbërë nga martesa zyrtare, thashetheme këmbëngulëse, hetime gazetareske dhe hije që nuk janë shpërndarë kurrë. Një mozaik që flet shumë për natyrën e pushtetit rus dhe mënyrën si ai e koncepton botën.

Martesa zyrtare dhe fundi i familjes publike

E vetmja martesë e njohur zyrtarisht është ajo me Ljudmila Skrebneva, ish-stjuardesë, me të cilën Putini u martua më 28 korrik 1983. Bashkë kaluan vitet e formimit dhe shërbimit në KGB, përfshirë edhe periudhën në Dresden të Gjermanisë Lindore. Nga kjo martesë lindën dy vajza: Marija (1985) dhe Ekaterina (1986).

Kur Putini u bë president në vitin 2000, Ljudmila ishte formalisht Zonja e Parë, por jeta e përbashkët kishte kohë që ishte shpërbërë. Divorci u njoftua në vitin 2013, në një dalje televizive me ton të ftohtë dhe burokratik. Fund martese, fund familjeje zyrtare. Që nga ai moment, jeta private e presidentit zhduket pothuajse krejtësisht nga skena publike.

Alina Kabaeva, “mbretëresha” e heshtur

Emri që lidhet më fort me Putinin është ai i Alina Kabaevas, ish-kampione olimpike e gjimnastikës ritmike, simbol i disiplinës dhe elegancës, më pas figurë politike dhe mediatike. Sipas shumë burimeve dhe hetimeve jozyrtare, Kabaeva është partnerja aktuale, dhe ndoshta bashkëshortja e fshehtë e presidentit rus, me të cilin thuhet se ka dy fëmijë.

Asgjë nuk është konfirmuar kurrë. Por gjurmët të çojnë larg Moskës: Zvicër, Lugano, klinika luksoze, rezidenca të mbrojtura. Pikërisht aty Alina mendohet se jeton me fëmijët e Carit. Emri i saj ka qenë gjithashtu objekt i sanksioneve ndërkombëtare, ndërsa në Zvicër u promovua edhe një peticion publik për largimin e saj nga vendi.

Nga gruaja e pastrimit te milionerja

Një tjetër histori duket sikur vjen nga një roman mbi kapitalizmin rus post-sovjetik. Svetlana Krivonogikh, ish pastruese në Shën Petersburg, është përmendur nga disa hetime si një ish-partnere e mundshme e Putinit. Sot ajo është një sipërmarrëse shumë e fuqishme: magnate e pasurive të paluajtshme, anëtare e bordit të Bank Rossiya dhe aksionere në resortin luksoz të skive Igora.

Sipas rindërtimeve gazetareske, nga kjo marrëdhënie mendohet të ketë lindur Elizaveta Krivonogikh, e njohur edhe si Luiza. Nënë e bijë kanë jetuar për vite në një pronë luksoze mbi 4 milionë dollarë në Monte Carlo, e blerë përmes një kompanie offshore të dalë në dritë nga Pandora Papers.

Në vitin 2020, pas një hetimi të medias ruse Proekt, Luiza u kthye papritur në një personazh shumë të ndjekur në rrjetet sociale, me mbi 100 mijë ndjekës. Foto luksi, udhëtime, jetë jet-set. Pastaj erdhi lufta në Ukrainë: komentet kundër pushtimit dhe kundër “babait të supozuar kriminel lufte” përmbytën profilet e saj. Llogaritë u fshinë. Heshtja u rikthye.

Miss Rusia dhe sërish zëra

Mes emrave që qarkullojnë prej vitesh është edhe Victoria Lopyreva, Miss Rusia 2003, figurë televizive dhe ambasadore e Kupës së Botës 2018. Sot ajo lidhet me biznesmenin rus Igor Bulatov, por emri i saj mbetet pjesë e atij kori zërash dhe hamendësimesh që shoqërojnë prej kohësh jetën private të presidentit.

Pushtet absolut, privatësi absolute

Në fund, historitë e grave të Putinit nuk janë thjesht kronikë thashethemesh. Ato janë pasqyrë e një pushteti që kontrollon gjithçka, edhe narrativën personale. Në Rusi, ashtu si në oborret perandorake të së shkuarës, dashuria, familja dhe intimiteti nuk janë çështje private, por pjesë e arkitekturës së pushtetit. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, Carit të Kremlinit i lejohet të thotë vetëm kaq: “Jam i dashuruar”. Pa emra. Pa prova. Pa përgjigje. / il giornale – bota.al

Back to top button