Droni i vogël, i lidhur me një kabllo pothuajse të padukshme me fibër optike, vërshëllen lart mbi prenë e tij, e cila po rend me shpejtësi përgjatë autostradës.
Duke u nisur në pikiatë, ai rrit shpejtësinë, teksa ndjek një automjet të mbushur me ushtarë ukrainas përgjatë shtigjeve me baltë të kësaj “rruge të vdekjes”. Teksa shkon të japë goditjen fatale, transmetimi i videos ndërpritet përpara se të ndodhë e pashmangshmja.
Rruga R200, e cila lidh Ukrainën me pikën e saj të fundit të kontrollit brenda territorit rus, tani është e mbushur me mbetjet e automjeteve si ky.
Ukraina pothuajse e ka përfunduar tërheqjen e vet, shtatë muaj pas inkursionit të beftë në Kursk, dhe trupat e saj nuk janë të rrethuara, siç sugjeruan Donald Trump dhe Vladimir Putin të premten.
Por tani po dalin detaje të një tërheqjeje të çorganizuar dhe madje kaotike, me ushtarët që janë detyruar të kthehen në Ukrainë në këmbë dhe të lëvizin vetëm natën, për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga dronët sulmues.
“Ne i kishim të gjitha furnizimet tona logjistike këtu, në autostradë,” tha një ushtar ukrainas. “Të gjithë e dinin që [rusët] do të përpiqeshin ta bllokonin.”
Ndërprerja e ndarjes së informacioneve nga Trump në fillim të këtij muaji përshpejtoi kundërofensivën ruse për të larguar Ukrainën nga Kursku.
Por realiteti është se Rusia e gjeti për herë të parë pikën e dobët të Ukrainës, një natë në fund të dhjetorit. Ishte hera e parë që një automjet ukrainas u raportua të ishte shkatërruar nga një sulm rus në rrugën R200.
Ajo që pasoi ishin disa muaj bombardime intensive, teksa Rusia rimerrte territoret përreth rrugës centimetër pas centimetri, duke ndikuar në furnizimet e Ukrainës, rotacionin e trupave dhe moralin e tyre.
Paaftësia e Ukrainës për të lëvizur lirshëm përgjatë autostradës ishte një nga arsyet kryesore pse tërheqja e saj në disa zona ishte kaq kaotike, sipas burimeve të brendshme.
Sulmet e vazhdueshme me artileri dhe dronë nga Rusia lanë dhjetëra automjete të djegura – dhe trupa – të shpërndarë përgjatë autostradës, duke krijuar aq shumë bllokime trafiku saqë lëvizja u bë pothuajse e pamundur.
Disa ushtarë, mes atyre të fundit që u tërhoqën nga qyteti Sudzha – i cili ndodhet në fund të rrugës R200 në Rusi – u detyruan të largoheshin përsëri në Ukrainë në këmbë.
Një komandant njësie i tha “The New York Times”, se i ishin dashur dy ditë për të përshkuar në këmbë 19 km, nga pozicionet e njësisë së tij në Kursk deri në kufirin ukrainas. Kur më në fund arritën kufirin, pozicionet që kishin lënë pas ishin tashmë të zaptuara nga rusët, të cilët po përparonin me shpejtësi.
Forcat ruse u afruan shpejt në autostradë, duke u përpjekur të bllokonin plotësisht trupat ukrainase, duke lënë shumë pak mundësi për një tërheqje të rregullt, sipas disa dëshmive.
“Kjo sërish e zuri të papërgatitur komandën tonë,” tha një ushtar në Telegram.
Megjithatë, paralajmërime kishte pasur. Më 8 mars, një bloger ushtarak ukrainas shkroi: “Situata në rajonin e Kurskut është shumë e vështirë dhe mund të kthehet në një katastrofë nëse nuk veprojmë urgjentisht për të pastruar rrugët logjistike.”
Më 9 mars, një bombë lundruese ruse FAB-3000 u hodh mbi një urë pranë fshatit Kazachya Loknya në Kursk, e cila ishte nën kontrollin e Ukrainës, në një sulm ndaj furnizimeve ukrainase.
Tre ditë më vonë, ndërsa Ukraina u përpoq të parandalonte mbylljen e plotë të rrugës, zona u mbush me dronë rusë me fibër optike.
Dronët, të kontrolluar nga një distancë 19 milje larg objektivit, kanë një rreze të shkurtër veprimi, por janë imunë ndaj bllokimeve elektronike të Ukrainës. “Dy ose tre dronë shfaqeshin brenda një minute,” tha një ushtar, “ose shpërthenin përpara një automjeti, ose binin në tokë dhe vepronin si mina tokësore të improvizuara.”
Në fund, komandantët ukrainas urdhëruan njësitë e tyre të tërhiqeshin. “Pothuajse vdiqëm disa herë. Dronët janë gjithmonë në qiell,” i tha një ushtar BBC-së.
Një tjetër ushtar e përshkroi tërheqjen si “një skenë nga një film horror”, me automjete që shkatërroheshin vazhdimisht dhe disa ushtarë që vriteshin gjatë rrugës. “Rrugët janë të mbushura me qindra makina të shkatërruara, mjete të blinduara dhe ATV (automjete për të gjitha terrenet). Ka shumë të plagosur dhe të vrarë,” tha një tjetër ushtar.
Disa trupa ukrainase janë të zemëruara që komandantët nuk u urdhëruan të tërhiqeshin disa javë më parë, kur do të kishte qenë më e sigurt. Një ushtar tha se ata nuk ishin të sigurt se si komandantët do të organizonin evakuimin e rajonit, “sepse të gjitha zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë”.
Pyetjet mbi tërheqjen hedhin më shumë dyshime mbi arsyetimin e gjithë operacionit në Kursk. Bombardimi i vazhdueshëm rus mbi autostradën R200 nuk ishte arsyeja e vetme për tërheqjen e vështirë të Ukrainës. Një faktor i rëndësishëm ishte vendimi i Donald Trump për të pezulluar ndarjen e informacioneve, sipas një ushtari, i cili tha se nuk mund të përdorte më raketat amerikane Himars.
“Nuk mund të lejonim që raketat e shtrenjta të hidheshin mbi objektiva të gabuar,” shpjegoi ai.
Rikthimi i trupave koreano-veriore, të cilët ishin tërhequr nga fronti në janar, gjithashtu vuri nën presion të madh linjat mbrojtëse. Fillimisht, forcat e Phenianit pësuan humbje të mëdha, por tani janë shndërruar në një forcë luftarake shumë efektive.
“Shumë prej tyre ekzekutuan manovra taktike shumë të zgjuara,” tha Boroda, një komandant i një toge sulmi, për The New York Times.
Përparimi vendimtar i Rusisë në Kursk ndodhi kur trupat u infiltruan pas vijave armike dhe ecën për milje të tëra përmes një tubacioni të braktisur të gazit, nga ku nisën një sulm të papritur. Ukraina pretendoi se kishte goditur tubacionin, duke shkaktuar humbje të mëdha për Rusinë, megjithëse mendohet se ky sulm kontribuoi në vendimin e Kievit për të tërhequr trupat e veta.
Megjithatë, sipas atyre që ishin në terren, asnjëherë nuk u rrethuan numra të mëdhenj trupash ukrainase.
“Është një gënjeshtër,” tha Kriegsforscher, një operator ukrainas dronësh që luftoi në Kursk. “Tërheqja ishte përgjithësisht e organizuar, por herë pas here kaotike. Nuk ka kërcënim për rrethim dhe nuk ka asnjë provë që sugjeron të kundërtën.” Disa raporte thonë se trupave ukrainase madje mund t’u jetë lejuar të largohen në këmbë.
“Në thelb, Sudzha është marrë, ukrainasit po tërhiqen, dhe neve na thuhet të mos i prekim. Le t’i lëmë të ikin ngadalë përmes fushave,” tha një ushtar rus në një video të postuar në Telegram, e cila nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Putin kishte premtuar të kursente forcat ukrainase në Kursk nëse dorëzoheshin – megjithëse presidenti rus ka një histori premtimesh të tilla përpara se të urdhërojë një pritë, siç ndodhi gjatë pushtimit të Krimesë në 2014.
Më 16 mars, rreth dy javë pas fillimit të kundërofensivës ruse, shtabi i përgjithshëm i Ukrainës më në fund konfirmoi tërheqjen e plotë nga Sudzha, disa ditë pasi Moska pretendoi se e kishte marrë qytetin.
Tani vëmendja e Ukrainës është përqendruar në mbrojtjen e Sumyt, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se trupat ruse po grumbulloheshin në kufi përpara një sulmi të ri.
“Ne vazhdojmë të mbajmë pozicionet në frontin e Kurskut,” tha Boroda. “I vetmu ndryshim është se pozicionet tona janë zhvendosur ndjeshëm më afër kufirit.”
Kërcënimi i një tjetër pushtimi të Sumyt, nga i cili forcat ruse u tërhoqën në 2022, ka shkaktuar frikë dhe ankth mes popullsisë lokale, por nuk ka një thirrje të menjëhershme evakuimi.
“Situata është vërtet e tensionuar,” tha për The Telegraph Liza Sherstyuk, një punonjëse ndihmash në rajon. “Banorët e qytetit janë shumë të shqetësuar, dronë rrëzohen çdo ditë. Forcat armike janë pikërisht në kufirin e rajonit tonë… ne vazhdimisht i pyesim njerëzit nëse duan të largohen – por, deri tani, askush nuk ka pranuar.” / The Telegraph – Bota.al