Analiza

Gorbaçov: Rusët dhe gjermanët duhet të “dëgjojnë” Bismarkun

Angela Merkel, Mikhail Gorbachev, Lech Walesa, Marianne Birthler

PJESA E DYTE E INTERVISTES PER DER SPIEGEL / Sanksionet do dëmtojnë ekonomitë e të dyja vendeve. Edhe vendimi për të përjashtuar Rusinë nga G8-ta ishte i gabuar. Kjo është një lloj hakmarrje, që nuk mund të nxjerrë asnjë të fituar. Nëse ne duam të ruajmë marrëdhëniet tona shembullore, sanksionet nuk janë një instrument që duhet përdorur. “Nëse është e nevojshme, kemi nevojë të “thërrasim” sërish në skenë Bismarkun. Ky i fundit, thoshte se Gjermania nuk duhet të zhvillojë kurrë luftë me Rusinë”

PJESA E PARE (Kliko): Gorbaçov: Rusi-Perëndim, kjo është Lufta e re e Ftohtë

Spiegel: Është interesante, që një brez i vjetër i politikanëve si  ish-sekretari amerikan i Shtetit Henri Kisinger, ish-kancelari gjerman Helmut Shmid dhe ish-Ministri i Jashtëm gjerman, Hans Gensher, po kërkojnë një takim të nivelit të lartë mbi krizën e Ukrainës. Ju vetë i jeni drejtuar me një thirrje të ngjashme presidentëve Putin dhe Obama.
Po, dhe kjo ndodhi një vit më parë, në datën 23 janar. U bëra thirrje të dyve për të negociuar me njëri-tjetrin, për shkak se konflikti në Ukrainë, është një kërcënim për të gjithë botën dhe jo vetëm për Kievin apo fqinjët e tij. Letrat e mia, ishin një britmë nga thellësia e shpirtit.

Spiegel: A morët një përgjigje?
Apeli im ra në vesh të shurdhër.

Spiegel: Ju patët një përvojë të ngjashme nëntorin e shkuar në Berlin. Paralajmërimet që ju dhatë me rastin e përvjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit u cilësuan si ato të një politikani të mplakur. Gjermanët ju kritikojnë, për shkak të qëndrimit tuaj pro-Putinit. Ju mërzit kjo gjë?
Gjermanët e duan Angela Merkelin. Kjo është arsyeja, se përse njerëzit më kritikojnë mua dhe jo Merkelin. Por një vend i zgjuar si Gjermania nuk duhet të mbështetet në llojin e nivelit të bisedës që ju mund të prisni të gjeni në një pab.

Spiegel: Ju u takuat me kancelaren Angela Merkel. Si shkoi biseda?
Kaloi në një frymë miqësore. Folëm me njëri-tjetrin për rreth 1 orë. Por balanca e pushtetit ishte e pabarabartë. Në takim, ishte e pranishme edhe një këshilltare grua e kancelares, kështu që unë kisha dy gra kundër meje. Unë e ndjeva shumë qartë, që kancelarja është nën presion, si brenda vendit ashtu dhe në aspektin e politikës së jashtme.  I shpjegova asaj, që njerëzit janë nevojë të ulen dhe bisedojnë me njëri-tjetrin, derisa të gjejnë një zgjidhje dhe shtova se nuk do arrini asgjë duke shmangur njëri-tjetrin me deklarata të nxituara. Angela Merkel ra dakord me mua, edhe nëse ajo vepron ndryshe.

Spiegel: Gjatë bisedës tuaj me kancelaren, a kritikuat sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë?
Pyesni Angela Merkelin.

Spiegel: Por ne do të dëshironim një përgjigje nga ju…
Kam harruar çdo gjë që është thënë lidhur me këtë çështje (qesh). Ju duhet të pyesni kancelaren. Rastësisht, unë nuk i tregova asgjë as Putinit rreth bisedës së zhvilluar. Kështu që jam edhe më pak i prirur për t’ia treguar Spiegel-it. Nëse dëshironi, mund të më pyesni për herë të tretë, por nuk ka asnjë mundësi që unë të lëshoj në këtë pikë.

Spiegel: Përse ju i konsideroni sanksionet të gabuara?
Sanksionet do dëmtojnë ekonomitë e të dyja vendeve. Edhe vendimi për të përjashtuar Rusinë nga G8-ta ishte i gabuar. Kjo është një lloj hakmarrje, që nuk mund të nxjerrë asnjë të fituar. Nëse ne duam të ruajmë marrëdhëniet tona shembullore, sanksionet nuk janë një instrument që duhet përdorur.

Spiegel: Por duket sikur marrëdhënie të tilla i përkasin tashmë së shkuarës ?
Pas rënies së Murit të Berlinit, është shënuar një progres i madh në marrëdhëniet ndërmjet Gjermanisë dhe Rusisë. Ne ndërtuam marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, dhe nuk mund të lejojmë që ato tani të shkatërrohen. Aktualisht, Perëndimi po tenton të përjashtojë Rusinë nga përpjekjet për të zgjidhur problemet globale, për çështje që variojnë nga lufta kundër terrorizmit dhe Shtetit Islamik dhe deri tek ndryshimet klimatike. Çfarë ka pozitive në gjithë këtë? Ne kemi nevojë përsëri të “ç’akullizojmë” marrëdhëniet tona, kemi nevojë urgjente për një shkrirje të re. Ne rusët do të bëjmë gjithçka, që kjo të ndodhë. Unë mendoj se Rusia po e orienton politikën e saj në këtë drejtim. Ndërsa në Gjermani, duket sikur ka një konkurrencë se kush do të jetë më i palëkundur, kur është fjala për Rusinë.

Spiegel: Gjithësesi ka shumë nga ata që i shohin gjërat ndryshe. Ish-kreu i socialdemokratëve gjermanë, Matias Plaçek ka propozuar mbajtjen e një referendum të ri në Krime, nën vëzhgimin e OSBE-së, në mënyrë që të sigurohet legjitimiteti i aneksimit rus sipas ligjeve ndërkombëtare. Çfarë mendoni për këtë ide?
Germania e re dëshiron të ndërhyjë kudo. E çfarë legjitimiteti nevojitet për Krimenë? Edhe nëse referendumi ka mangësitë e veta, nuk mund të ketë dyshim që njerëzit atje u shprehën qartë dhe pa ekuivok se duan të jenë pjesë e Rusisë.

Spiegel: Pozicioni juaj mbi referendumin është çuditërisht i butë. Edhe komisioni i të drejtave të njeriut që përfaqëson Putinin, zbuloi manipulime në proçes. A ndiheni i zhgënjyer nga gjermanët?
Shumë vetë në Gjermani duket se duan të marrin pjesë në ndarjen e re të Evropës. Dhe ndoshta është më mirë, që unë të ndaloj këtu. Mos më provoko më tej. Unë jam një rus, dhe nuk duhet të flas shumë për punët e brendshme të Gjermanisë.

Spiegel: Çështjet e brendshme të Gjermanisë prekin të gjithë Evropën…
Mënyra sesi qëndrojnë gjërat mes Gjermanisë dhe Rusisë ka shkaktuar pasoja në të gjithë klimën politike botërore. Ne nuk duhet ta harrojmë kurë këtë, edhe përsa i përket krizës në Ukrainë.

Spiegel: Cila mendoni se do të ishte zgjidhja e duhur për këtë krizë ?
Një armëpushim i menjëhershëm, i pasuar nga një përpjekje ndërkombëtare për të rindërtuar zonat e shkatërruara. Nëse është e nevojshme, kemi nevojë të “thërrasim” sërish në skenë Bismarkun. Ky i fundit, thoshte se Gjermania nuk duhet të zhvillojë kurrë luftë me Rusinë. Gjermania u përpoq gjatë Luftës së Dytë Botërore, të zgjeronte sferën e saj të ndikimit në lindje. Çfarë mësimesh duhen nxjerrë ende? Në vendin tim, nuk është harruar ende shkatërrimi masiv, gratë që prisnin burrat që kurrë nuk u kthyen në shtëpi. Është diçka e mire, që dy popujt tanë u pajtuan me njëri-tjetrin.

Spiegel: Megjithatë zonja Merkel ka deklaruar se Vladimir Putin jeton në një botë tjetër. A e kuptoni ndërkaq botën prej nga vjen Merkeli?
Jo tërësisht. Dhe unë nuk jam i vetmi, që nuk e kupton. Ju lutem, kujtoni fjalimin e presidentit Putin në Konferencën e Sigurisë në Mynih në vitin 2007. Asokohe Putin, u shpreh qartë mbi ato që ishin vijat e kuqe të Rusisë, sipas së cilës Moska nuk është dakord të shohë NATO-n në kufijtë e saj. Meqë ra fjala, për ne rusët, Putin nuk ishte duke thënë ndonjë gjë të re. Pra, cila ishte ajo gjë që habiti aq shumë partnerët tanë? Unë kam përshtypjen, që në atë kohë populli gjerman, e kuptoi shumë mirë Putinin, madje në çdo rast shumë më mirë, sesa elita politike në Gjermani. Është gabim që përpiqen të heqin qafe Putinin.

Spiegel: Përse do të ishte një gabim?
Do të ishte një shpresë “budallaqe” dhe shumë e rrezikshme. Putini duhet të largohet nga posti në fund të mandatit të tij. Mjerisht, ideja e gjermanëve është shumë e ndryshme. Ajo parashikon shtrëngimin e mëtejshëm të sanksioneve, derisa rusët të dalin në rrugë dhe të rrëzojnë Putinin.

Spiegel: Ju nuk dukeni se mendoni mirë për Angela Merkelin…
Përkundrazi, unë e pëlqej atë si person dhe politikane. Por kjo nuk do të thotë, që unë nuk kam të drejtë ta kritikoj atë, ashtu siç edhe ajo ka të drejtë të më kritikojë mua. E njëjta gjë vlen edhe për marrëdhëniet e mia me Putinin. Ai është një president me përvojë, që ka bërë dhe po vazhdojë të bëjë shumë për Rusinë. Por në të njëjtën kohë, disa gjëra duhet të thuhen haptas edhe për të.

Spiegel: A jeni sot një njeri i lumtur?
Disa vjet më parë kam shkruar se në të vërtetë nuk ka ndonjë reformator të lumtur. Asokohe unë nuk isha në gjendjen shpirtërore më të mirë. Po, kur shikoj prapa në kohë, mendoj se jam një person i lumtur. Vënia në jetë e projekteve të mëdha, dhe drejtimi i një shteti të rëndësishëm, sigurisht ishte diçka madhështore.

Spiegel: Si është një ditë tipike për ju tani? Si e kaloni kohën e lirë?
Unë dhe gruaja ime Raisa, kishim një pasion të përbashkët. Ne kryenim shëtitje të gjata, 5-6 kilometra çdo ditë. Kjo më ndihmoi në trajtimin e stresit. Për fat të keq, këmbët nuk më binden më si dikur, por ky nuk është problem i vetëm. Kohët e fundit kam vizituar Helmut Shmidin. Ai qëndronte lart kur më përshëndeti dhe më tha se shpesh përdor një karrige me rrota për të lëvizur. Helmut Koli dhe Xhorxh Bush i Vjetri, kanë gjithashtu probleme shëndetësore, duke u asistuar vazhdimisht. Druaj se edhe për mua po vjen koha kur do të më duhet të ‘motorizoj” veten time.

Spiegel: A është e vështirë për ju të pranoni se po ju lënë fuqitë?
Me shëndet jam ndjerë shumë mirë, deri sa mbusha 75-vjeç. Unë vazhdoi të udhëtoj anembanë botës. Vdekja e gruas sime Raisa në vitin 1999, ishte një goditje e tepër e fortë. Vitin e kaluar, nuk kam qenë shumë mirë, pasi kam kryer 3 operacione serioze, rastësisht që të treja në Gjermani. E gjithë bota, është duke luftuar kundër plakjes, por nuk ka asgjë që mund të bëni kundër saj. Në disa aspekte ndihem i moshuar, në disa të tjera ndihem ende i ri. Ky jam unë.

Spiegel: Çfarë ka më shumë rëndësi për ju në vitet që ju kanë mbetur për të jetuar?
Ta jetoj jetën dhe jo thjesht të mbijetoj, ose të vegjetoj duke pritur vdekjen. Dua të udhëtoj sërish në shkurt në Amerikë për të dhënë leksione. Përveç librave të mi, ato janë burimi im i vetëm i të ardhurave. Unë kam ende qëllime dhe janë ato që më mbajnë në jetë.

Spiegel: Cilat  janë këto qëllime ?
Dua të vazhdoj të jem pjesë e diskutimit, për të ardhmen e Rusisë, rreth paqes globale dhe mbrojtjes mjedisore. Dua të shkruaj libra, të jap leksione, të marr pjesë në konferenca dhe të jap intervista.

Spiegel: Për të provuar edhe njëherë të ndryshosh botën dhe ta bësh atë një vend më të mirë?
Kjo nuk është më e nevojshme. Gllaznosti dhe Perestrojka jetojnë ende dhe nuk mund të ndalen.

Spiegel: A keni frikë nga vdekja?
Jo aspak. Unë nuk e di pse, por unë kam asnjë frikë të tillë. /Spiegel/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button