Analiza

Gratë dhe mediat sociale. Armët e vërteta të Clintonit

hillaryNICHOLAS KRISTOF

Kur politikanët e kanë të vështirë t’u bëjnë reklamë sukseseve të tyre, do të thotë se kanë një problem. Kështu që, është e çuditshme që Hillary Clinton, në muajin prill, gjatë një takimi kur i bënë një pyetje për bilancin e saj si Sekretare Shteti, u përgjigj në mënyrë hezituese, duke ushqyer tezën (teksa pritej të dilte libri i saj me kujtime) e atyre që thonë se, si Sekretare Shteti ka rënë në sy, por ka ndryshuar shumë pak gjëra.

Por nuk është aspak e vërtetë: Hillary Clinton ka bërë shumë dhe ka lënë një trashëgimi të dukshme, vetëm se një trashëgimi të ndryshme nga zakonisht. Nuk bashkoi një koalicion aleatësh siç bëri James Bakeri, një prej sekretarëve të shtetit më të admiruar. Nuk çoi deri në konkluzion një marrëveshje historike paqeje, dhe as nuk realizoi një “doktrinë Hillary Clinton”, të njohëshme qartësisht. Jo, trashëgimia e saj është e një tjetër lloji. Si fillim, ka pranuar një fakt të dhënë, pra që në të ardhmen Azia do të ketë më shumë rëndësi se sa Europa për Shtetet e Bashkuara, dhe është angazhuar për riekuilibrimin e marrëdhënieve. Më pas, ka kuptuar gjithashtu që në diplomacinë e shekullit XXI, impakti dhe influenca shpesh herë arrihen duke luftuar kundër varfërisë dhe ndotjes, si dhe duke luftuar për arsimin dhe planifikimin familjar. Nuk do të thotë që është njeri që heq dorë. Shpesh herë ka qenë më e papërkulur se sa Obama: ishte për rritjen e angazhimit në Afganistan (një gabim, sipas mendimit tim) dhe për armatosjen e grupeve të armatosur në Siri (kjo ishte ide e mirë, por presidenti vuri veton).

Rrëmbimi i studenteve nigeriane, në prill është nga ai lloj çështjesh për të cilat Hillary ka qenë gjithmonë në vijën e parë. Eshtë e vetëdijshme që të arsimosh vajzat e reja nuk është gjë e lehtë, por është një mënyrë për të transformuar një vend. Askush nuk ka qenë aq i vendosur sa ajo kur këmbëngulte që të drejtat e grave janë një çështje e sigurisë. “Jam kundër atyre që thonë se Hillary Clinton ka qenë joefikase si sekretare shteti”, thotë Nicolas Burns, i cili ka qenë nënsekretar në kohën e George W. Bush. “Nëse i sheh gjërat në mënyrë të paanshme, shihet që në realitet ka qenë tejet efikase”.

Clintoni ka qenë në pararojë jo vetëm për faktin që ka zgjeruar agjendën diplomatike, por edhe për instrumentat që ka vënë në zbatim për ta promovuar. Ka nxitur marrëdhëniet mes qeverisë dhe njerëzve dhe lidhjet mes njerëzve. Hapat e parë në këtë drejtim ishin bërë që gjatë kohës së administratës Bush, por Hillary e ka shkelur shumë më fort pedalin e diplomacisë publike, duke hyrë në rrjetet socialë. “Ka qenë shumë e qartë për këtë: jemi në shekullin XXI të të marrëve nëse nuk i përdorim”, kujton Michael MCFaul, që në atë kohë ishte ambasador në Rusi.

Prandaj, është e vërtetë që kritikët kanë të drejtë të thonë se Hillary Rodham Clinton nuk ka mbikëqyrur arritjen e një marrëveshjeje paqeje, nga ato që janë gjëra e parë që të përmendin kur të bëjnë nekrologjinë. Por i duhet njohur merita që ka zgjeruar agjendën diplomatike dhe ka përdorur instrumenta të rinj për ta çuar përpara. Dhe kjo është një trashëgimi shumë e rëndësishme. Dhe ku i dihet, ajo mund të ketë ëndrra më ambicioze për reshtin e parë të nekrologjisë së saj. /the new york times/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button