Bota

Hacker-a, rrjedhje informacioni, lajme të rreme: makthet e Gjermanisë, para zgjedhjeve të shtatorit

“Pas ndërhyrjeve të hacker-ave në zgjedhjet në SHBA dhe Francë, Gjermania është e shqetësuar se tashmë mund t’i ketë ardhur radha asaj”, shkruan Andrea Shalal në një artikull për Rojters. Sipas tij, agjencia gjermane e spiunazhit, BSI ka paralajmëruar tashmë partitë politike të Gjermanisë, që të fuqizojnë mbrojtjen në kompjuterat e tyre.

Kreu i shërbimit të inteligjencës në Gjermani, jo më larg se një javë më parë, akuzoi Moskën se ka mbledhur sasi shumë të mëdha të dhënash politike përmes sulmeve kibernetike, dhe tha se ishte në dorë të Kremlinit, nëse do të fuste hundët në zgjedhjet e 24 shtatorit.

Pavarësist shtimit të vigjilencës dhe financimeve, ligjvënësit dhe zyrtarët në Gjermani që janë intervistuar nga Rojters, janë shprehur se vendi më i fuqishëm i Europës përballet me një sfidë shumë të madhe, nëse do të gjendet në shënjestër të sulmeve, si ata kundër kandidates për presidente në SHBA, Hillary Clinton, apo presidentit të sapozgjedhur të Francës, Emmanuel Macron.

Nga Amerika, sipas artikullit të Rojters, zyrtarët e sigurisë janë shprehur se kanë qenë hacker-at rusë prapa sulmeve në SHBA, dhe ata kanë paralajmëruar Berlinin, se tashmë Moska ka kthyer shënjestrën nga Gjermania.

Sipas Rojters, autoritetet gjermane e kanë konkret shqetësimin e tyre. Në vitin 2015, një sulm kibernetik ndaj parlamentit gjerman vodhi shumë emaile. Tashmë, autoritetet shqetësohen se ata do të nxirren para zgjedhjeve të 24 shtatorit. Burimet që kanë dijeni bënë të ditur se një prej llogarive të emaileve që ishte vjedhur, ishte dhe ajo e Merkelit.

SIZIFI

Shërbimi i inteligjencës gjermane beson se Merkeli dhe kristian demokratët janë veçanërisht në shënjestër të APT28, një grup hacker-ash rusë, që zyrtarët në SHBA kanë fajësuar edhe për rrëmbimin e emaileve të Hillary Clintonit.

Rusia e mohon përfshirjen në sulme, duke thënë se kurrë nuk ndërhyn në çështjet e brendshme politike të vendeve të tjera. Një zëdhënës i Kremlinit tha se nuk kishte asnjë ide se kush ishte prapa APT 28: “Ne nuk e dimë se kush janë këta njerëz dhe nuk kemi asnjë lidhje me ta”.

Por zyrtarët e SHBA dhe ata gjermanë thonë se lidhjet janë të qarta. Kreu i agjencisë gjermane të inteligjencës BfV, Hans-Georg Maassen, javën e kaluar tha se Rusia po orkestron sulme kibernetike dhe po ndikon në operacione për të destabilizuar shoqërinë gjermane. Dhe ndërsa Gjermania ka forcuar mbrojtjen e saj, boshllëqet janë të pashmangshme, tha ai.

“Më vjen vazhdimisht në mendje Sizifi, që rrotullon një gur deri në majë të malit, por i cili bie për shkak të fatit të tij të pashmangshëm”, tha ai duke iu referuar mitit grek që simbolizon një veprim të kotë. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button