Analiza

Hakmarrja e Valérie: Hollande më dërgon 29 sms në ditë

Valérie Trierweiler in  Paris Matcra“Punët private zgjidhen privatisht”, ishte përgjigjur disa muaj më parë François Hollande, pas ndarjes nga Valérie Trierweiler. Ish zonja e parë nuk e mendon kështu. “Merci pour ce moment”, faleminderit për momentin është hakmarrja e Trierweiler përmes shtypit: nga sot, 200 mijë kopje në libraritë franceze, dhe në pak orë ka patur një rekord shitjesh në Amazon.
Ishte e vështirë të besohej që ish gazetarja politike do të kishte lënë pa botuar kronikën e kalimit të saj në Elize, “tetëmbëdhjetë muaj të akullt”. Dëshmia e gjatë është shkruajtur këtë verë, në kushtet e një romani të verdhë. Trierweiler përdori një kompjuter pa lidhje në internet dhe libri u shtyp prej botuesit të pavarur Les Arenes në Gjermani, për të shmangur daljen e lajmit. Një bombë në 320 faqe. Fejtoni, të cilit aq shumë i druhen në Elize mund të vazhdojë.
“Nuk do ta lexoj”, ka thënë Hollande. Sipas disa miqve, Presidenti është “i tronditur”. Edhe pse nuk zbulon sekrete shtetërorë, ish shoqëruesja e tij rrëfen detaje të patreguar, distilon batuta vrasëse, si për shembull kur shpjegon se udhëheqësi socialist i përçmon të varfërit, që i quan të padhëmbë. Një politikan i “çhumanizuar” i cili e la zonjën e parë me një komunikatë të ftohtë të AFP, por pastaj vazhdon të luajë në më shumë tryeza. “Do të të rifitoj si një palë zgjedhje”, i ka shkruajtur presidenti ish-it të tij disa muaj më parë, duke i dërguar lule, ftesa për darkë dhe duke i shkruajtur deri 29 sms në ditë, ndërkohë që revistat vazhdonin të shkruanin për takimet e tij të fshehtë, por të rregullt me aktoren Gayet.
Kriza e çiftit ka nisur në qershor 2012, kur Trierweiler, e çmendur prej xhelozisë, shkruan në Tëitter për të mbështetur kundërshtarin politik të Segolene Royal. “E kam shtypur unë butonin e shpërthimit dhe jam e vetmja përgjegjëse. Por bomba me shpërthim të vonuar u fabrikua nga Hollande dhe Royal, me lojën e tyre konstante mes privates dhe publikes. Eshtë një labirint në të cilin unë u humba”. Në shtator të vitit 2012, shkruan gazetarja, Hollande i afrohet sërish dhe premton të martohen. “Kishim parashikuar një martesë menjëherë pas Krishtlindjeve, me shumë pak njerëz”, shkruan Trierëelier. “Më tej u rimendua, duke mu drejtuar me disa fjalë me një mizori të parrëfyeshme. Julie Gayet ishte tashmë në jetën e tij, por nuk e dija ende”. Në lidhje me aktoren flasin për herë të parë në mars 2013. Trierweiler i ka dëgjuar zërat dhe këmbëngul: “Mu beto që nuk është e vërtetë”. Ai betohet. Në janarin e këtij viti, dy ditë para scoop-it të të përjavshmes Closer, një mikeshë paralajmëron Zonjën e Parë. E cila ia ridërgon sms-në Hollande. “Kush ta tha?” ishte përgjigja e tij. “Nuk ka lidhje, dua të di nëse ka diçka për të cilën duhesh qortuar”. “Jo, asgjë”, përgjigja e tij.
Kur Closer del në botim, e gjithë Franca mëson për tradhëtitë e Presidentit. Trierweiler zgjohet dhe ndez radion. “U shemba, nuk mundesha të dëgjoja, rashë në banjë. Mora qesen plastike me hapet e gjumit.  François më ndoqi pas dhe u përpoq të ma marrë. Renda drejt dhomës. Ai emori dhe qesja u hap. Pilulat ranë në shtrat dhe në dysheme. Arrita të marr disa. Futa në gojë aq sa mundesha”. Më pas, shtrimi në spital dhe komunikata lakonike për ndarjen.
Eshtë dëshmia e një gruaje në dhimbje dhe e pasigurtë, në fillim si e dashur, më pas si zonjë e parë konkubine, dhe tani si ish. “Ilegjitime”, ishte titulli i përkohshëm i librit. Me pushtetin, shkruan Trierweiler, Hollande bëhet egoist, cinik, maskilist. Si atëherë kur e pyeti: “Të duhet shumë kohë për t’u bërë kaq e bukur?” Dhe ajo: “Pak”. Përgjigja e tij: “Nga ana tjetër, nuk është se të kërkoj gjë tjetër”. Trierweiler bie bashkë me popullaritetin e Presidentit. “Në çdo sondazh të ri, shihja që kalbej. Kish nevojë për një fajtor që të shpjegonte rënien e tij. U bëra unë rrufepritësja”.
Goditja më e ulët është batuta për të padhëmbët, siç i quan Hollande të varfërit, sipas Trierweiler, e rritur në një familje modeste në Angers, me një baba invalid dhe një mama punonjëse në bashki. “Ishte prezantuar si ai që nuk i do të pasurit, por në të vërtetë ai nuk do të varfërit”. Trierweiler ka rrëfyer se kishte hezituar një herë për të shkruajtur këto detaje. Por jo shumë. Kjo e saja është një hakmarrje, që duhet shërbyer shumë e nxehtë. /Corriere della Sera/

PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button