Vite më parë, bota e fizikës kremtoi 100-vjetorin e teorisë së përgjithshme të relativitetit të Albert Ajnshtajnit, e cila hodhi bazat e kuptimit tonë modern mbi forcën e gravitetit. Teoria e Ajnshtajnit ka qenë antidoti më i fundit për një sjellje dembele që ndonjëherë infekton edhe shkencëtarët. Ajo hapi një univers që nuk pushon kurrë së na habituri – vrimat e zeza, Big Bengu, energjia e zezë, valët gravitacionale – duke na lëkundur nga hullia e mendimit ku në të gjithë binim shumë lehtë.
Por sapo boja qe tharë mbi atë teori, vetë Ajnshtajni konstatoi një problem. Ajo kundërshtonte mekanikën kuantike, duke sugjeruar se fizikantët kishin nevojë për një teori edhe më të thellë, për të bashkuar këto dy shtylla të fizikës themelore. Në qershor të vitit 1916 Ajnshtajni shkroi: ”Teoria kuantike do të duhet të ndryshojë jo vetëm elektrodinamikën maksuelliane, por edhe teorinë e re të gravitetit”.
Kjo qe një analizë mjaft e qartë, kur kihet parasysh se teoria kuantike nuk ekziston as sot. Ajo ishte ende një ide e mjegullt, që nuk do të konkrezitohej për një dekadë. Pra, ne kemi qenë duke festuar 100-vjeçarin jo vetëm të teorisë së Ajnshtajnit, por edhe rrugëtimin e gjatë për ta zëvendësuar atë. Ndërsa relativitetit të përgjithshëm iu desh një gjeni i vetëm dhe një dekadë për t’u krijuar, kjo teori e thellë – e njohur si teoria kuantike e gravitetit – ka habitur breza gjenijsh për një shekull.
Pjesërisht, fizikantët janë viktima të sukseseve të tyre të shkuara:kur arrijnë diçka në jetë, e ulin përqëndrimin, duke e bërë shumë më të vështirë hedhjen e hapit të ardhshëm. Por graviteti kuantik paraqet ndërkaq vështirësi, të cilat janë unike në historinë e shkencës. Një teori e gravitetit është ndërkohë edhe një teori e hapësirës dhe kohës – ky qe zbulimi i madh i Ajnshtajnit.
E megjithatë, fizikantët i kanë formuluar gjithmonë teoritë e tyre brenda hapësirës dhe kohës.
Pra, një teori e gravitetit e gëlltit ‘bishtin’ e vet. Për shembull, ajo supozon se kalimi i kohës ndryshon, por termi “ndryshon” nënkupton një proces të përkohshëm. Nëse koha është e ndryshme, atëherë ndryshon edhe standardi me të cilin është e ndryshme.
E gjithë situata rrezikon të bëhet paradoksale. Kjo qarkore konceptuale, krijon vështirësi të pazakonta matematikore. Për shembull, ‘t’ e vogël të cilën fizikantët e përdorin për të etiketuar kohën e kaluar të ekuacioneve të tyre, i lënë ata në errësirë për të shpjeguar ndryshimin në botë. Për të përshkruar se çfarë ndodh, fizikantët duhet të shkojnë përtej hapësirës dhe kohës. Çfarë do të thotë kjo? Një ide e tillë na çon (fjalë për fjalë) në një terren të panjohur.
Teoria e fijeve, graviteti kuantik i vazhdueshëm, teoria shkakësore:këto janë vetëm disa nga qasjet që kanë marrë teoricienët. Natyrisht, ithtarët e secilës teori janë të bindur se të tjerët janë në rrugë të gabuar madje edhe në një rrafsh joshkencor. Por, kur tërhiqeni nga një debat, vëreni se të gjithë janë dakord mbi një leksion thelbësor:hapësirë-koha ku ne jetojmë është një ndërtim. Nuk është thelbësore për natyrën, por del nga niveli më i thellë i realitetit. Në një mënyrë apo tjetrën, ajo përbëhet nga blloqe ndërtimi primitive – “atomet” të hapësirës – dhe varet nga mekanizmat e saj të njohura se si janë mbledhur këto blloqe.
Këto “atome” nuk kanë asgjë të ngjashme me atomet e thjeshta si hidrogjeni apo oksigjeni. Ato nuk janë të vogla, për shkak se fjala “i vogël” është një përshkrim hapësinor, dhe këto atome janë menduar të krijojnë hapësirën, nuk e presupozojnë atë. Megjithatë, zbatohen shumë prej parimeve të njëjta. Për shembull uji përbëhet nga molekulat H2O. Ai mund të pësojë një ndryshim të gjendjes – i ngrirë ose i valuar – teksa molekulat rikorrigjojnë veten në strukturat e reja.
E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë për hapësirën. Nëse këto atome mund të mblidhen në hapësirë, me sa duket ato mund të rigrupohen në struktura të tjera. Dhe kjo mund të shpjegojë shumë prej mistereve të fizikës moderne. Merrni vrimat e zeza. Nëse, Zoti mos e dhëntë, ju bini në një nga ato, Teoria e Ajnshtajnit parashikon që afati juaj do të përfundojë. Ju do të vdisnit, dhe ky do te qe fundi. Atomet në trupin tuaj thjesht do të pushonin së ekzistuari. Në vend të eshtrave, ju do të ishit një hiç.
Teoritë e reja mbi hapësirë-kohën, sugjerojnë një pamje të ndryshme, në të cilën hapësira pëson një ndryshim të gjendjes në një vrimë të zezë. Vrima e zezë nuk ka një vëllim të brendshëm; perimetri i saj shenjon vendin ku hapësira shkrihet. Pasoja është një gjendje e re, e cila nuk është më hapësinore, dhe zor se është e përfytyrueshme në terma njerëzorë.
Nëse ju bini në të, ndoshta sërish do të vdisnit, por atomet në trupin tuaj do të vazhdonin të ekzistonin në një formë të re. Mendoni ndërkohë për Big Bengun. Ashtu si vrimat e zeza, ai është paraqitur gjithmonë si një farë paradoksi. Ligjet e zakonshme të fizikës, që veprojnë në kuadër të kohës, janë në thelb të paafta të shpjegojë fillimin e kohës. Sipas këtyre ligjeve, diçka duhet t’i paraprijë Big Bangut për ta vënë këtë të fundit në lëvizje.
Megjithatë, asgjë është menduar se e paraprin atë. Një mënyrë për të dalë nga ky paradoks, është të mendojmë për Big Bengun jo si fillim por si një tranzicion, kur hapësira kristalizohet nga një gjendje e hershme e pafundësisë. Së fundmi, konsideroni fenomenet misterioze të kuantikes së palokalizuar – atë që Ajnshtajni e cilësoi një “veprim drithërues në distancë”.
Dy ose më shumë grimca mund të veprojnë në një mënyrë të koordinuar, pa marrë parasysh sa larg mund të jenë ato, dhe e bëjnë këtë pa dërguar një valë tingulli, një sinjal radio apo komunikuar nëpër hendekun që i ndan ato. Grimcat sillen sikur ato nuk janë në fakt të ndara. Dhe një shpjegim i mundshëm është se ato janë të rrënjosura në nivelin më të thellë të realitetit, ku distanca nuk ka kuptim.
Sigurisht, ky është ende një spekulim – por i kufizuar. Shkencëtarët nuk ëndërrojnë mbi këto ide, gjatë konsumit të ndonjë pije pas punës. Ata shkuan drejt tyre duke kombinuar parimet e teorisë së Ajnshtajnit dhe teorisë kuantike, dhe panë se ku i çon kjo rrugë. Nga vetë natyra e hulumtimit, ne nuk e dimë se çfarë do të thonë këto ide apo edhe në qoftë se ato janë të drejta.
Por ne e dimë që njerëzit nuk kanë kuptuar ende gjitha ato që duhen rreth universit. Dhe kur ne të hedhim hapin e ardhshëm, efektet me siguri do të përhapen në kulturën tonë më të gjerë. Ashtu si mësimi i diçkaje të re ju bën një person më të mirë, edhe mësimi i diçkaje të re rreth universit e çon njerëzimin në një nivel tjetër. / bota.al