Your Life

Harroji problemet. Kujto momentet e lumtura. Gëzuar Vitin e Ri!

Jeta nuk është një fushë me lule. Për të gjithë ajo rezervon momente të lumtura dhe momente të trishta. Me siguri, kështu ka qenë edhe për ty. Edhe ti ke pasur raste, kur të është dukur sikur nuk do t’ia dilje dot mbanë, por edhe raste që të kanë shtuar jetën me buzëqeshje plot shpirt.

Unë dua të jetosh pikërisht për buzëqeshjet. Unë dua të kapesh pas momenteve të lumtura dhe të ecësh përpara. Nëse mendon për të shkuarën tënde, ti me siguri ke kaluar probleme që i ke zgjidhur. Kjo tregon se ti mund t’ia dalësh, nëse përpiqesh.
Mos e kujto atë që të ka bërë keq. Mos e kujto një fatkeqësi që mund të të ketë ndodhur. Mos kujto gjëra të trishta. Mos kujto probleme që të duket sikur nuk do i kalosh ndonjëherë.
Nuk ka gjë që një njeri nuk e kalon dot, ndaj, për një ditë të vetme, harroji hallet dhe problemet. Harroji, fshiji fare nga mendja jote dhe gëzohu. Bëji përgatitjet e festës me buzën në gaz, duke biseduar me familjen, duke vendosur në televizor filma të bukur me festa, pse jo edhe filma vizatimorë (të gjithëve na kap ndonjëherë dëshira të kthehemi në fëmijërinë tonë).

Nuk e keni idenë se sa bukur kalohet kur mendon vetëm për gjërat e bukura. Në fund, as që do t’ia dish më se çfarë problemi mund të të ketë ndodhur, madje të duket vetja shumë i/e trashë që ke humbur kohë për persona apo për gjëra të kota që të kanë bërë të ndihesh keq. Këtë kërkoj edhe unë prej teje. Harroji budallallëqet që të bëjnë të ndihesh keq, pasi të gjitha këto do të të duken budallallëqe pas disa kohësh.

Mbylle këtë vit jo me buzëqeshje të shtirura, por me një shpirt që të qesh përbrenda. Nuk ka gjë më të bukur se të mbyllësh një vit i lumtur dhe të nisësh një vit tjetër akoma më i lumtur se më parë. Buzëqesh, përqafo, puth, dhuro dashuri. Gjej kohë për çdo gjë të bukur. Shko dhe surprizo një fqinjin tënd, një mikun tënd, por edhe dikë të panjohur. Jepi diçka të vogël në këto festa. Çdokush ndihet bukur dhe ndjen ngrohtësi në zemër, kur sheh se të tjerët kanë menduar sadopak për të.

Unë të uroj një vit të mbarë dhe me sa më shumë lumturi! Uroj që çdo problem ta shohësh më shumë si një sfidë që duhet ta kalosh, sesa si një fatkeqësi që do të të mposhtë! Uroj që të Zoti të të falë shëndetin, pasi është vërtet gjëja më e rëndësishme që mund të ekzistojë. Ndoshta mendon se leku është më i rëndësishëm, por më beso që leku nuk ka asnjë vlerë, teksa sheh një të afërm të ndërrojë jetë nga një sëmundje e pashërueshme. Ndaj, unë uroj që të mos bëhesh lakmitar e të kërkosh sa më shumë lekë! Më mirë pak dhe me zemrën të lumtur…
Unë uroj të gjesh lumturinë e jetës tënde, nëse je beqar dhe të të shtohet lumturia në familje, nëse je i martuar, por gjithmonë duke mbajtur në mendje se duhet të falësh lumturi që të marrësh lumturi!
Uroj të gjesh punën e dëshiruar, por gjithmonë duke u përpjekur edhe vetë për ta arritur. Gjërat e mira nuk vijnë vetë. Ato kërkojnë sakrifica, ndaj mos u ndal, por përmirësohu sa më shumë në mënyrë që të jesh më i miri në punën që bën.
Uroj të gjesh forcën brenda vetes dhe të ecësh me lumturi, edhe kur jeta duket sikur të fal vetëm vështirësi dhe probleme! Duhet të dish se ai që duron gjëra të mëdha, përfundon duke përjetuar lumturi të mëdha.
Uroj të hapësh zemrën tënde dhe të dhurosh sa më shumë! Dhuro jo vetëm buzëqeshje, puthje dhe përqafime, por edhe veshjet që nuk të duhen, apo orenditë që nuk të hyjnë në punë në shtëpi. Më beso që në shtetin tonë të varfër, ka edhe nga ata që ditët e ftohta të dimrit i kalojnë vetëm me një bluzë veshur. Uroj të hapësh zemrën dhe të dhurosh që ata të rrinë sa më ngrohtë gjatë dimrit!

Uroj që të gjesh forcën të duash, por edhe t’i lejosh të tjerët të të duan! Ndoshta dikush të ka lënduar, por zemra nuk duhet mbyllur ndaj dashurive të reja. Jo të gjithë njerëzit janë njësoj, ndaj mos i moho vetes njohjen e dikujt tjetër që mund të jetojë për buzëqeshjen tënde.

Uroj të gjesh sot forcën dhe ta ngresh dollinë tënde plot lumturi! Uroj të harrosh çdo problem! Uroj të kujtosh momentet e bukura! Uroj të jesh përherë i/e lumtur, sepse e meriton!

Gëzuar Vitin e Ri!

Fatjon Xhafaj / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button