Në origjinë të hebraizmit, kristianizmit dhe islamit është i njëjti personazh: Abrahami. Po cili është realiteti historik prapa legjendës së babait themelues?
“U dashurova me Ur. Natën, bukuria e saj ishte e pakrahasueshme, me atë hapësirë të pamatë rëre, me ngjyra të mrekullueshme, kajsie, rozë, blu dhe jargavani”. Kështu një turiste e vecantë, Agatha Christie e përshkruante në vitet Njëzetë tokën e origjinës së Abrahamit, patriark i hebrejve dhe i arabëve, themelues i tre besimeve fetarë monoteistë: hebraizmit, kristianizmit dhe islamit. E shtyr nga një kuriozitet pothuajse patologjik për arkeologjinë, shkrimtarja angleze e misterit shkoi disa herë në Lindjen e Afërme në kërkim të historicitetit të personazheve dhe ngjarjeve të Biblës. Cfarë gjeti? Jo shumë, përvecse një bashkëshort të ri.
Në fillim ishte Abrahami
“Historia e patriarkëve nuk mund të rindërtohet me saktësi mbi bazën e rrëfimeve biblikë, dhe kronologjia e saj mbahet e “hapur” nga viti 2000 deri në 1200 para Krishtit”, pohon Gianantonio Borgonovo, teolog, Drejtor i Bibliotekës Ambrosiane të Milanos. “Bibla reflekton në fakt një proces formimi që ka zgjatur me shekuj, që rrëfimi i permbledh në vetëm tre breza”.
Historia e Abrahamit është pra legjenda e krijimit të popullit hebraik. E përcjellë fillimisht gojarisht, sic ishte zakon në botën e lashtë, dhe frut i një shtresëzimi të gjatë, teksti biblik është rishkruar dhe integruar nga hebrejtë sa herë që historia e tyre e ka bërë të nevojshme. Për refleks, edhe historia e Abrahamit është pasuruar dhe shtresëzuar deri sa është bërë ajo që gjejmë sot tek Gjeneza.
“Hebrejve, ashtu si shumë popujve të tjerë, u është dhënë natyrshëm një mit mbi origjinën e tyre pikërisht në momentin kur kishin më shumë nevojë”, thotë Mario Liverani, docent i historisë së Lindjes së Afërme në Universitetin La Sapienza në Romë. “Në kohët e Moisiut, për shembull, kur lindi nevoja për të qeverisur me baza teologjike dhe juridike një grup skllevërish egjiptianë në arrati (rreth vitit 1200 para Krishtit), apo gjatë ekzilit, apo “robërisë babiloniane” (shekulli VI para Krishtit) kur bijtë dhe nipërit e të dëbuarve, pasi u kthyen në atdhe, e gjetën tokën e tyre të pushtuar nga të tjerë dhe patën nevojë për tekste që të sanksiononin të drejtën e tyre për të rimarrë këto toka. Sot, disa faqe të Testamentit të Vjetër mund të krahasohen me një tekst propagande”.
Një popull, një Zot
Legjenda bazohet tek një pakt mes Yahweh (Jehovait) dhe Abrahamit. Përpara Abrahamit, perënditë ishin dicka më shumë se një bashkësi statujash që cdo kryetar klani i mbante në tendën e tij. Pas Abrahamit, u shfaq perëndia i Izraelit, Yahweh. Dhe premtimet që ky Zot, në Bibël i bën Abrahamit, ua bën edhe pasardhësve të tij, hebrejve.
Në pjesën tjetër, eksperienca e Abrahamit duket se riprodhon atë të popullit të Izraelit: bari nomad që më pas “i zënë këmbët dhe” (ndalet në Tokën e Premtuar), i burgosur që lirohet (rikthimi nga Egjipti), refugjat që më në fund do të blinte copën e tij të tokës (blerja e shpellës së Macpelas, ku do të varroste bashkëshorten e tij, Sara). Jo vetëm kaq. Veprimet që kryen Abrahami, si për shembull synetllëku që praktikon tek bijtë dhe tek vetja, janë vula e aleancës mes perëndisë dhe popullit të tij. Por bindja e Abrahamit, e verbër deri në atë pikë sa të pranojë të flijojë të birin, Isakun nëse Zoti ia kërkon, nuk është ekskluzivitet i besimtarëve të devotshëm të hebraizmit: ajo karakterizon edhe kristianizmin dhe islamin.
Farefis
Arabë dhe hebrej, dy popuj semitë (domethënë sipas Biblës, pasardhës të Sem, një prej bijve të Noes) janë vëllezër. Në fakt Abrahami pati dy djem: Ismaelin (nga skllavja egjiptiane Hagar) dhe Isakun (nga bashkëshortja Sara). Nga i pari e kanë prejardhjen arabët, që quhen edhe Ismailitë. Nga i dyti do të kishin prejardhjen Jakobi dhe bijtë e tij (dhjetë me bashkëshorten e parë, Lia dhe nga shërbëtoret Bila dhe Zilpa dhe dy, të preferuarit, Jozefi dhe Beniamini – nga bashkëshortja e dytë Rachele), që do të themelonin 12 tributë, bërthama e mbretërive të ardhshme.
“Abrahamit, babai i të gjithë semitëve, do i referohej arabi Muhamed, themelues i Islamit, për t’i dhënë besimit të tij “ushqimin” e nevojshëm për të konkuruar me hebraizmin dhe kristianizmin”, konfirmon islamologu Paolo Branca, docent i arabishtes në Cattolica di Milano. “Muhamedi, në shekullin VII, përdori figurën e patriarkut, që kish ekzistuar më parë si tek Torah e Moisiut edhe tek Ungjilli i Jezusit, për t’u lidhur drejtpërdrejtë me monoteizmin fillestar: “Nuk e kuptoni? Abrahami nuk ishte as hebre, as kristian. Ishte një hanif, i shenjtëruar në Zot dhe nuk ishte idhujtar (Kor’ani 3:66-67). Abrahami është Hanif-i i parë, një “puro monoteist” dhe i pari muslim, një mysliman, domethënë “i nënshtruar” Zotit. Vetë feja quhet shumë herë, në librin e shenjtë të Islamit, Millat Ibrahim domethënë “feja e Abrahamit”.
“Në Kur’an”, vazhdon Branca, “cështja e Abrahamit është modifikuar për t’iu mbivendosur jeta e Muhamedit: teksa i pari është zgjedhur nga Zoti për të përhapur monoteizmin, braktis “shtëpinë e baballarëve të tij” dhe krijon një vend pelegrinazhi (Kaba), i dyti është zgjedhur për të përhapur Islamin, kryen arratinë nga Meka në Medinë dhe krijon në Mekë vendin e shenjtë të Islamit”.
Po për historianët, nga vinin hebrejtë? “Letërsia egjiptiane e fundit të mijëvjecarit II para Krishtit sqaron se termi habiru, prej ku buron ndoshta Ibri (hebrej) tregonte një klasë fshatarësh të varfëruar që arratiseshin për të mos u shndërruar në skllevër dhe që mblidheshin në grupe apo bashkoheshin me fiset e zonave të parashkretëtirës në periferitë e shtetit”, thotë Liverani. “Faraoni Seti I me prejardhje nga Bet-She’an në Izraelin e sotëm, quan tributë nomade në luftë: habiru dhe “bij të Raham”, tribu që mund të kenë patur si paraardhës një farë Ab-Raham (“babai i Raham”), domethënë Abrahami.
Edhe për origjinën e mbretërive hebraike ekzistojnë teori të ndryshme. “Tre në mënyrë të vecantë”, vazhdon Liverani. “Ajo, e frymëzuar nga Bibla, e hebrejve që pushtojnë Palestinën “manu militari”, domethënë me armë, ajo e pushtimit përmes sedentarizimit të grupeve të barinjve nomadë të pranishëm tashmë në zonë dhe infiltrimi i tribuve fqinje, dhe e treta, ajo e revoltës së fshatarëve dhe barinjve kundër Kananejve”.
Ur i Kaldeasve, apo i kujt?
“Shko në vendin tënd, në atdheun tënd dhe në shtëpinë e atit tënd, drejt vendit që unë do të të tregoj. Do të bëj prej teje një popull të madh”. Ky është premtimi që, sipas Biblës, Perëndia i bëri Abrahamit, që kish mbërritur në Harran, në Siri, bashkë me babanë Terrach, bashkëshorten Sara dhe nipin Lot. Sipas Biblës ishte nisur nga Ur, “qyteti i Kaldeasve”. “Në periudhën në të cilën flitet për Abrahamin, Ur ishte në të vërtetë një qytet sumer dhe më pas babilonian”, saktëson Gianantonio Borgonovo. “Kadeasit, nomadë që vinin nga Siria, e pushtuan Mesopotaminë vetëm në fundin e shekullit VIII para Krishtit”.
Sipas disa historianëve, kjo mospërputhje mund të shpjegohet si një anakronizëm, domethënë një fakt, një objekt apo një rrethanë, të vendosur në një epokë të gabuar (si një orë dore në epokën e romakëve).
“Nuk është anakronizëm”, kundërshton Giovanni Pettinato, docent i Asiriologjisë në La Sapienza të Romës. “Abrahami nuk ka fare lidhje me qytetin sumer të Ur. Në tekstet e gjetur në arkivat e Eblas në Siri, flitet për një tjetër Ur, homonim, por në afërsi të Harranit, aty ku Abrahami jetoi bashkë me të atin. Më duket si qyteti kandidat më i arsyeshëm për të qenë vendi i origjinës së patriarkut dhe familjes së tij”.
Ka edhe një tjetër tregues. “Ku shkojnë Isaku dhe biri i tij Jakobi për të gjetur gratë? Në veri, në Siri, dhe jo në Babiloni në jug ku ndodhet në fakt “Uri i Kaldeasve” për të cilin flet Bibla. Për momentin vendi nuk është gjetur, por është me siguri pranë Harran”.
Sodomi dhe Gomorra
Një tjetër argument “i shtypur” në rrëfimin mbi Abrahamin është episodi i Sodomit dhe Gomorrës. Sipas Biblës, këta dy qytete janë shkatëruar prej Zotit për të ndëshkuar për mosbesimin banorët e tyre.
Abrahami u përpoq të ndërmjetësojë për të drejtët duke “bërë marrëveshje” me Zotin dhe duke siguruar në fund premtimin se shkatërrimi do të shmangej nëse do të gjente të paktën dhjetë njerëz të drejtë. Ishin më pak dhe qyteti u asgjësua: nga zjarri dhe flakët shpëtuan vetëm i drejti Lot dhe familja e tij.
Edhe në këtë rast, hipotezat e atyre që kërkojnë një realitet historik prapa rrëfimit biblik janë të pangjashme. Gjeologu anglez Graham Harris ka thënë se në zonën e Detit të Vdekur, skenari i mundshëm i rrëfimit në kufirin mes dy pllakave tektonike në lëvizje, një sizmë e fuqishme duhet të ketë provokuar daljen e metanit të nëntokës. Kështu uji (në të vërtetë metani) do të ketë marrë flakë. Për gjeologun amerikan Frederick Clapp, duhet të ketë qenë bitumi i pranishëm në zonë dhe i përdorur nga vendasit për të izoluar varkat dhe ndërtimet që është projektuar në ajër nga një tërmet. Në British Museum të Londrës ruhet një tabletë e gjetur në Ninive, në Irak, kryeqytet i lashtë sirian, ku përshkruhen me detaje shenjat e jashtëzakonshme që u shfaqën në qiell në agimin e 29 qershorit të vitit 3123 para Krishtit.
Në vitin 2008, dy kërkuesit anglezë Alan Bond dhe Mark Hempsell pohuan se kishin përllogaritur mbi bazën e të dhënave të gjetura në tabletë, trajektoren e një asteroidi që mendohet të ketë goditur Alpet në po atë periudhë duke bërë të bien pjesë të tij në flakë mbi Detin e Vdekur.
Rikthim në histori?
Eshtë pikërisht Bibla që na risjell në një kontekst historik, në faqet ku rrëfen vdekjen e Abrahamit shumë të plakur tashmë: trupi i tij varroset në krah të trupit të Sarës, në shpellën e Macpelas, që sipas tekstit të shenjtë vetë Abrahami e kish blerë nga Ittitët, domethënë nga popullsia që në të ashtuquajturën epokë patriarkale ishte në garë me egjiptianët për kontrollin e Palestinës.
7 minutes read