Histori

HISTORI ALTERNATIVE / Nëse luftën civile do ta fitonin shtetet e jugut

 

Screen Shot 2015-08-12 at 22.49.42Aaron Sheehan Dean

Profesor Aaron Sheehan Dean është Profesor i Studimeve Jugore në Louisiana State University. Ai është autor i librave si “Përse luftuan Konfederatat”, si dhe “Atlas Historik Konciz i Luftës Civile Amerikane”. Eshtë lektor i historisë së shekullit 19 të Amerikës

Po sikur të kishin fituar shtetet që mbronin skllavërinë?

Ka dy arritje të mëdha lufta civile, dhe ato janë ruajtja e Unionit dhe emancipimi. Nëse Unioni nuk do të kish qëndruar i bashkuar – pra nëse SHBA do ishin ndarë më dysh – atëherë ka gjasa që rajone të tjerë të SHBA do të ishin shkëputur nga veriu apo nga jugu. Kështu që do të kishim me siguri një Midëest të pavarur, ndërkohë me shumë gjasa dhe zona nga Kalifornia në Uashington do të ishte ndarë më vete. Edhe brenda Konfederatës, kishte sigurisht pjesë si Tenesi lindor që ishin unionistë gjatë luftës, por që mund të ishin shkëputur. Në fund të fundit ky ishte një prej argumentave kryesorë kundër ndarjes – ku do të ndalej pastaj? Kështu që mendoj se do të kish vazhduar, pra procesi i krijimit të republikave më të vogla autonome brenda SHBA.

Pra SHBA do të kishin qenë një seri shtetesh të vegjël dhe jo një i tërë?

Po – SHBA është më e madhe se sa Europa kontinentale, kështu që nuk ka arsye përse të mos kish 45 republika të pavarura. Ne kemi prirjen të shohim formën e SHBA dhe të konsiderojmë që është në një farë mënyre e pashmangshme që të shtrihet nga Atlantiku në Paqësor, por nuk ka arsye që të jetë kështu, pra e pashmangshme.

A do të ishte shfuqizuar gjithësesi skllavëria?

Cështja e emancipimit ka pasoja më të gjera gobale, duke përfshirë atë që skllavëria nuk do të kish marrë fund në vitin 1863. Nuk ka arsye të besojmë që, nëse shtetet e konfederatës do të kishin fituar luftën – jo domosdoshmërisht duke pushtuar veriun, por të paktën duke luftuar për një barazim – ata do të kishin hequr dorë nga skllavëria në mënyrë vullnetare. Me shumë gjasa jo në shekullin 19. Opinioni botëror mund të kish ndryshuar deri në atë pikë sa t’i bënte të hiqnin dorë vullnetarisht në shekullin 20, por edhe kjo është e vështirë të imagjinohet që do të ndodhte. Kjo ka pastaj implikime për Brazilin dhe shtete të tjerë që kanë fuqi në hemisferën perëndimore, disa prej të cilëve emancipuan skllevërit e tyre pas luftës civile në SHBA, për arsye se kishin parë cfarë kish ndodhur në SHBA dhe donin të shmangnin atë lloj konfrontimi të përgjakshëm. Kështu pra, e ardhmja ndryshoi tërësishtFlasim për një shekull të 20-të ku skllavëria ishte një pjesë jetësore e skemës së punës dhe strukturave sociale e politike të vendeve të mëdhenj në hemisferën perëndimore.

Nëse SHBA do tëish ndarë një herë e mirë në Veri dhe në Jug, a do të kishin patur lulëzim secili prej këtyre?

Në terma globalë, nga këndvështrimi i Britanisë dhe Francës, do të kish qenë gjë shumë e mirë të ndahej SHBA në dy pjesë. Të dy këto perandori do të kishin marrë frymë lirisht, sepse që në 1860 tashmë SHBA si një e tërë kish ekonominë më të madhe në botë, por të marrë vec e vec, Veriu dhe Jugu nuk e kishin. Jugut do i ishte dashur të blinte një sasi të madhe mallrash të prodhuara në Veri, kështu që mund të kish patur njëfarëlloj marrëveshjeje mes të dyve, ndonëse lufta do të kish shtyrë Jugun që të drejtohej nga prodhuesit europianë, duke ndjekur marrëveshje tregtare me shtete europianë. Në 1860, ndërkohë që Jugu ishte i pasur dhe produktiv, ishte e qartë se rruga e zhvillimit në të cilën kishte hyrë Veriu – drejt një zhvillimi më intensiv industrial dhe urban – ishte recetë për suksesin në të ardhmen. Në 1890 apo 1900 ish bërë e qartë tashmë se të bazoje ekonominë përreth prodhimit të pambukut, orizit, sheqerit dhe duhanit, nuk ishte një strategji e mirë afatgjatë, kështu që Veriu do të kish qenë në një pozicion shumë më të mirë.

A do të kish hyrë gjithësesi SHBA në Luftën e Parë Botërore?

Nëse Jugu do të kish filluar të bënte marrëveshje tregtare me Britaninë, do të kish dëmtuar marrëdhëniet mes Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, dhe kjo do të kish reduktuar shanset që ata të hynin në Luftën e Parë. Vështirë të thuhet nëse Jugu do të ishte ndier i detyruar të hynte; nuk është se do të kishin hyrë shumë në punë, po të mos kishin zgjeruar bazën e tyre industriale, dhe ky ishte një element shumë i rëndësishëm përse futja e SHBA në Luftën e Parë ishte kaq e vlefshme – ishte fuqia ekonomike e SHBA bashkë me kapacitetin industrial. Kështu që, në skenën botërore do të kishim një ndryshim të madh të ngjarjeve.

Si do të kish ndikuar tek Britania humbja e Veriut?

Ishte shumë e qartë që udhëheqja e qeverisë britanike donte të ndërmjetësonte për paqe, ndonëse nuk mendoj se kjo ishte tërësisht altruiste. Dua të them, ata iu afruan shumë njohjes së Konfederatës sic ishte në shtator 1862, dhe ishte vetëm beteja e Antietam që i ndali. Ata ishin të interesuar në rinisjen e negociatave të tregtisë; ata donin që pambuku të fillonte të vinte sërish, pasi embargoja e Konfederatës për pambukun kish nisur të ndihej në Britani. Mendoj që ata kanë imagjinuar që një Veri më i dobësuar do të ishte dicka më e mirë për ta në të ardhmen. Fitores së Unionit i njiht merita për shtyrjen e miratimit të disa ligjeve reformues në Britani gjatë viteve 1860 si dhe për liberalizimin e rregullave të votimit. Pa atë fitore globale për demokracinë, sic e shihnin ata, këto gjëra mund të mos kishin ndodhur asnjëherë, ose do të kishin ndodhur shumë më vonë.

Cilat ishin pikat e kthesës të luftës?

Fitoret binjake të Gettysburgut dhe Vicksburgut ishin thelbësore për parandalimin e lëvizjes paqësore të Veriut, që kish fituar forcë në vitin 1863. Demokratët kishin rifituar vende në Kongres në vjeshtën e 1862 dhe Linkolni përballej me një elektorat aspak të kënaqur në 1863, kështu që ato fitore ishin thelbësore. Një tjetër pikë kthese ishte vjeshta e 1864, kur Linkolni deklaroi se nuk do të rizgjidhej dhe që Gjenerali McClellan, që ish rikthyer si kandidati presidencial demokrat, do të zgjidhej në vend të tij me një platformë negociatash për t’i dhënë fund luftës dhe ndoshta duke braktisur emancipimin si një politikë të luftës së Veriut. Linkolni besonte se do të humbiste deri në fund të gushtit 1864, dhe ishin vetëm fitoret e Gjeneralit Sherman në Betejën e Atlantës dhe Admiralit Farragut në Betejën e Gjirit Mobile që shpëtuan Unionin. Këto shpëtuan edhe votat elektorale të Partisë Republikane, kështu që Linkolni u rizgjodh dhe lufta përfundoi me atë në krye. Sigurisht, nëse ai nuk do të ishte rizgjedhur do të kishim një rezultat shumë të ndryshëm.

Si do të kishte shkuar pa Linkolnin në krye?

McClellan nuk ishte një personazh simpatik në panteonin e gjeneralëve të luftës civile, por ai ishte në një pozicion të mirë sepse radikalët në partinë demokratike e kishin emëruar me një platformë për të filluar negoiatat për paqe. Ndonëse bëri të pamundurën për të hequr dorë nga ky aspekt i platformës së tij, do të kish patur shumë trysni brenda partisë sapo ai të inaugurohej në mars 1865, për të filluar negociatat e paqes. Pa fitoret ushtarake të Linkolnit, lufta sërish nuk do të kish përfunduar: Gjenerali Ulysses Grant do të luftonte sërish kundër Gjeneralit Robert Lee jashtë Petersburgut, dhe ndoshta mund të kish ndodhur që me të ardhur në zyrë, McClellan do të pezullonte luftimet dhe niste negociatat për paqe. Megjithatë kjo do të kish qenë e vështirë për të, duke parë sakrificat që kishin bërë ushtarët. Ajo pak mbështetje që ai kishte, ishte mes ushtarëve që ndienin se ai ishte komandanti i tyre i vërtetë, por nëse do të kish negociuar për paqe, atëherë zëre se do u thoshte që sakrificat e tyre kishin shkuar dëm. Ka shumë gjasa që do të kish ndalur emancipimin, dhe, edhe nëse skllavëria do të kish marrë fund ai do të kish udhëhequr në një rindërtim shumë më të shpejtë, që ndoshta nuk do të kish përfshirë të drejtën e votimit për zezakët.

Pra a do të thotë kjo që Linkolni nuk do të ishte vrarë?

Duke parë se sa helm kishte John Uilkes Booth për Linkolnin, ai do të kish qenë më i kënaqur ta shihte të turpëruar dhe braktisur nga elektorati i Veriut – nuk kish më kuptim që ta vriste. Kështu, Linkolni do të hynte në histori jo si një prej presidentëve më të mirë, por si një prej më të këqinjve, pasi kish qenë president gjatë një lufte civile që përfundoi si mos më keq. Fati i Linkolnit është pafundësisht i lidhur me fatet e luftës, dhe dallimi mes të qënit një president i madh dhe një president i tmerrshëm, qëndronte varur në fatin e atyre ushtrive.

Pa SHBA të unifikuara, a do të ishin rritur më shumë gjatë shekullit 20 kombe të tjerë si Rusia?

Rusia është një shembull interesant, për arsye se ata ishin emancipuar në 1861 dhe kështu që kish një farë miqësie mes Rusisë dhe Veriut. Sigurisht, Rusia ishte një mbështetëse e fortë e Veriut; ata as nuk morën ndonjëherë mundimin të mbështesnin Konfederatën në këtë luftë. Linkolni shihte një rivalitet miqësor mes perandorive ruse dhe amerikane, dhe ai është shprehur se si perandoria ruse në Lindje dhe ajo Amerikane në Perëndim do të ishin forca të të mirës dhe do të përhapeshin në të gjithë globin. Por do të kish qenë një Amerikë Veriore shumë më e dobësuar, kështu që do të shihnim që perandoritë e tjera, Britanike, Franceze dhe ajo Ruse të fuqizoheshin më shumë, në mungesë edhe të forcës kundërpeshuese të SHBA.

Si do të ishte në kohët moderne?

Varet nga e ardhmja e skllavërisë në Jug. Njerëzit e skllavëruar kanë luftuar kundër sistemit të skllavërisë që në fillimet e Amerikës së Veriut, kur perandoria spanjolle ishte ende aty, por varet nga shkalla e suksesit. Një Konfederatë e suksesshme pa dyshim do të kish luftuar mbrotjen federale të skllevërve. Pyetja është nëse kjo do të inkurajonte perandorinë britanike që të zbatonte punësimin e skllevërve në Indi dhe në pjesë të tjera të perandorisë. Kjo gjë do të conte në një glob shumë të ndryshëm, i kundërti i atij që liberalizonte gradualisht trajtimin e punëtorëve dhe përmirësonte kushtet e punës, gjë që sigurisht ndodhi në gjysmën e dytë të shekullit 19 në perëndim dhe më pas në pjesën më të madhe të lindjes. Në vend të kësaj, trajektorja do të ishte në drejtim krejt të kundërt. Them se do të kish qenë shumë më keq nëse Konfederata do të kish fituar dhe më pas do të kish ndjekur strategjinë e skllavërisë për shumë dekada.

Storica-Bota.al

Leave a Reply

Back to top button