Motivuese

Histori e dhimbshme: Fëmijëria ime e kaluar me frikë dhe dhunë

Ai vdiq nga cirroza hepatike dhe ajo ditë ka qenë më e lumtura e jetës sime. E dija se nuk duhet t’i uroja askujt vdekjen, por kur të rrënohet jeta përditë e nga pak, i lë mënjanë këto parime dhe dëshiron vetëm të përjetosh lumturinë, qoftë edhe në kurriz të vdekjes së dikujt.

Ai ishte babai im, prindi i vetëm për mua, sepse nëna kishte vdekur e re, kur unë isha vetëm 4 vjeç. Në lagje kisha dëgjuar se ai e rrihte përherë. Zihej shpesh me të dhe zënkat përfundonin në dhunë. Disa edhe thonë se ajo helmoi veten, ndërkohë që unë fjalë të tilla i dëgjoja në fshehtësi. Askush nuk ma thoshte hapur se çfarë dinte për mamin tim. Ndërkohë, me kalimin e kohës, mua po më zbeheshin kujtimet për të. E vetmja mënyrë se si mund ta mbaja mend fytyrën e saj, ishin fotografitë.

Deri në moshën shtatë vjeçare thuajse përditë vinte tezja në shtëpinë tonë. Kur unë u futa në shkollë, asaj i duhet të largohej bashkë me të shoqin jashtë vendit. Ndërkohë babi rrinte pa punë, por siç e merrte përkrahjen sociale, dinte ta shpenzonte me alkool. Kur nuk i dilnin ato lekë, më rrihte mua, sikur ia kisha unë fajin. Atë e ngopte rakia, kurse unë shtrihesha për të fjetur përherë me barkun bosh. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai më detyronte të dilja për të lypur. Isha vetëm 9 vjeç në atë kohë dhe ai më nxirrte në rrugët e kryeqytetit të zgjasja duart përpara njerëzve dhe të shpresoja se mëshira e tyre mund të bënte që të më hidhnin ndonjë qindarkë. Ai rrinte përballë meje dhe unë nuk kisha mundësi të mbaja ndonjë lekë për vete që të blija diçka për të ngrënë, apo diçka për të veshur.

Nuk janë pjesë të trilluara të filmave ato që mund të keni parë me lypësa që i rrahin. Unë i kam përjetuar në fëmijërinë time të gjitha ato skena. Babai im më rrihte, nëse më gjente ndonjë monedhë të fshehur në pantallona. Më rrihte kur unë nuk zija dot mjaftueshëm lekë, sa dëshironte ai për të plotësuar tekat e veta. Më rrihte po t’i ktheja fjalën. Më rrihte po qe se unë i ktheja kurrizin atij, përpara kalimtarëve që donin të më ndihmonin. Ai donte të shihte gjithçka. Çdo gjë që më jepnin, edhe pse nga larg…

Unë ndihesha i lodhur nga ajo jetë. Flija i dhunuar, pa ngrënë dhe të nesërmen shkoja në shkollë. Rezultatet e mia të larta i bënin mësuesit, shokët dhe shoqet që të ndienin keqardhje për mua. Kushedi se sa herë më sillnin për të ngrënë në shkollë. Prindërit e shokëve më sillnin rroba që të vishesha, ndërkohë që kur i çoja ato rroba në shtëpi, babi m’i griste sepse sipas tij unë nuk duhet të pranoja rrobat prej tyre, duhet t’i kërkoja lekë…

Isha në klasë të katërt, kur ai u sëmur rëndë. I ra të fikët dhe unë bërtita që dikush nga komshinjtë të vinte e të na ndihmonte, sepse nuk dija çfarë të bëja. Komshiu përballë e futi ashtu të dehur në makinën e tij dhe e çoi në spital. Pas disa orësh, ata erdhën në shtëpi me disa ilaçe dhe komshiu më kërkoi numrat e telefonit të personave që njihnim. Unë ia dhashë, edhe pse kishim vite që nuk i shihnim. Kishin vite që as donin t’ia dinin për ne. Pashë që ai i telefonoi të gjithë me radhë dhe të nesërmen shumë të afërm u gjetën në shtëpinë tonë.Ata më pyesnin se si kishte ndodhur që babi ishte sëmurur, ndërkohë që unë detyrohesha ta përsërisja disa herë të njëjtën histori. Në atë kohë erdhi edhe tezja nga Italia, ajo që më kishte mbajtur për tre vitet, pasi nëna ime vdiq. Ajo më mori në shtëpinë e saj dhe babi ndenji me të afërmit e tij. Nuk vonoi shumë, dhe diku nga fundi i klasës së katërt, ai vdiq. Unë nuk e kuptoja në atë kohë se çfarë do të thoshte diçka e tillë, por kur tezja më tha se nuk do ta shihja më, u ndjeva i lehtësuar. Unë kisha frikë nga ai. Imagjinoni pak që nëse për dikë babai është heroi që duhet marrë për shembull, për mua ishte personi më i ndyrë që po lutesha të mos e shihja kurrë më në jetë. Figurën e tij unë e lidhja vetëm me dorën të ngritur ndaj meje, me gjakosjen dhe me ligësinë me të cilën më trajtonte. Nuk doja t’ia dija për të dhe më besoni, ai nuk më mungon aspak edhe tani që jam 21 vjeç dhe kanë kaluar plot 11 vite nga vdekja e tij. Supozohej t’i kisha harruar vuajtjet me të, por më thoni pak ju palomistë, ia vlen ta falësh dikë, kur ai person të ka nxjerrë të lypësh me rroba të grisura në mes të të ftohtit? Ia vlen të harrosh të shkuarën, kur në atë të shkuar të kanë dhunuar pa marrë parasysh moshën tënde, apo faktin se lekët që ti do mblidhje, do të vareshin nga mëshira e njerëzve që kalonin në rrugë?

Unë nuk e njoha figurën e babait tim si atë të një heroi. Ai kurrë nuk më falenderoi, kurrë nuk më uroi për rezultatet e larta në mësime. Përkundrazi, më bëri të rritesha me idenë se vetëm dajaku i zgjidh gjërat. Tani jam i rritur dhe falenderoj gjithë familjen e tezes që u kthyen për mua në Shqipëri, që unë të rritesha dhe të shkollohesha këtu. Tani jam në shkollë të lartë. Studioj dhe punoj. Kam stabilizuar jetën time, por ende i ndiej tek vetja pasojat e dhunës. Unë e kam shumë të vështirë të zgjidh konfliktet me të tjerët, pa e kaluar ne mendje mundësinë se “dhuna zgjidh çdo konflikt”. Jam rritur me dhunë dhe dhuna nuk po më lë t’i zgjidh gjërat me qetësi në qetë.

Ndaj, dua t’i them të gjithë prindërve, të gjithë personave, mos i dhunoni fëmijët. Janë gjëja më e shtrenjtë jo vetëm e një familjeje, por e gjithë shoqërisë sonë. E ardhmja do të varet nga ata, ndaj mos i dhunoni. Mos bëni gjëra, të cilat ata do t’i vuajnë përgjatë gjithë jetës së tyre. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button