Motivuese

Histori: Falenderoje Zotin për çdo ditë jete që të dhuron!

Kam studiuar për matematikë dhe në vitet e para ndihesha shumë keq. Kisha përfunduar me rezultate shumë të larta, kisha mbyllur studimet e masterit shkencor në Tiranë dhe ende nuk po gjeja punë. Për të mos i harxhuar të ardhurat e pakta të prindërve në punët e tyre dhe për shkak të moshës sime madhore kur përfundova universitetin, vendosa që të paktën të gjeja një punë të përkohshme. Kisha dërguar dokumentat e mia në zyrat përkatëse të punësimit për fushën e arsimit dhe sërish asgjë. Asnjë lajm i ri. Dreqi ta hajë, ne jetojmë në një shoqëri të korruptuar dhe e kisha kuptuar pak a shumë se ku çalonin gjërat. Ata donin miq dhe lekë nën mëngë për të më punësuar, por nuk e kisha marrë mundimin ta bëja një gjë të tillë, sepse kisha dalë me rezultate shumë të mira. Këtë gjë e shihja si një ulje të vetes. Mendoja se të jepje lekë për t’u futur në punë, ishte njësoj si të thoje : “Unë nuk besoj në aftësitë e mia dhe për këtë gjë, po i mbyll gojët e njerëzve me disa para”.

Dhe kështu, kërkova për një punë të përkohshme derisa të më vinte një njoftim për punë në profesionin tim. Gjeta në një kopsht privat si shofer fugoni për fëmijët e atij mjedisi. Do të mendoni se ishte pak jo e denjë të mbaroje studimet dhe të përfundoje në një punë të tillë, por mendoni edhe se isha 23 vjeç në atë kohë dhe nuk mund t’u kërkoja prindërve para për çdo gjë që kisha nevojë. Unë e shihja sa vuanin dhe sa kishin vuajtur gjatë viteve të mia të studimit që unë të fokusohesha vetëm tek mësimet dhe nuk mund t’ia falja vetes që të vazhdoja t’i lodhja me kërkesat. Ata ndoshta nuk do të lodheshin sepse prindërit bëjnë çdo gjë për fëmijën e tyre, por unë nuk do të ndihesha mirë në atë situatë.

Pasi përfundova vitin e parë të punës në atë kopsht, interesohem sërish për një vend të lirë pune si mësues matematike, por sërish asgjë. Shtatori erdhi dhe atë vit në kopsht erdhën dhe fëmij të rinj. Një nga to më bëri shumë përshtypje. Ishte një vajzë e vogël që dy vitet e para i kishte ndjekur në një kopsht tjetër dhe kishte hyrë në kopshtin tonë për të mbyllur vitin e fundit. Ishte një vogëlushe e lezetshme dhe dukej shumë e zgjuar. Ajo që më ka bërë më tepër përshtypje dhe që vendosa ta tregoj në këtë gazetë, ishte një bisedë që unë bëra dikur me të.

Ishte ditë me shi dhe unë vazhdoja ta bëja punën time jo me qejf. E shihja si diçka jo timen atë punë, si jo të përshtatshme për mua. Gjithsesi, duke ndenjur i mërzitur në timon, vajza hipi e fundit në vendin krah atij të shoferit, pra në sediljen që ndodhej në krahun tim të djathtë. Më tha “Mirëmëngjes Dori”. Unë ia ktheva përshëndetjen jo me entuziazmin e saj dhe ajo vazhdoi “E di çfarë bëra mbrëmë? Kur filloi shiu, dola tek dritarja dhe po mendoja për gjërat e bukura që më kanë ndodhur mua dhe prindërve të mi”.
Unë u çudita se si një vajzë 6 vjeçare mund të kuptonte se si funksiononin gjërat në jetë, apo se si mund t’i ndante gjërat e bukura nga të shëmtuarat. Vazhdova të ngisja fugonin dhe kur mbërrita në punë, fëmijët dolën dhe unë mbeta i vetëm brenda. Fillova të mendoja më thellë për ato që ajo më tha. Vërtet unë nuk po arrija aty ku doja, por unë nuk isha falenderues për të mirat që kisha në jetë. Unë kisha përfunduar shkollën, kur shumë të tjerë nuk i kanë këto mundësi. Unë isha në një punë, kur të tjerët nuk ishin në asnjë. Unë kisha dy prindër të shëndetshëm, kur kisha miq të mitë jetimë, apo me prindër të sëmurë.

Pasi shkova në fund të pasdites në shtëpi, vendosa të shkruaja në një fletë gjithë gjërat e bukura që kisha në jetën time. Në fillim më dolën 50 dhe pastaj lista vinte duke u shtuar dita-ditës. Çdo ditë gjeja një motiv për të jetuar dhe nga një arsye pse duhet të ndihesha i lumtur.

Pas rreth pesë muajsh, mua më erdhi kërkesa e parë për punë nga një shkollë private dhe tani punoj në të. Unë kam një vit e gjysmë punë në profesionin për të cilin jam diplomuar dhe ende i kujtoj fjalët e asaj vajzës së vogël në ditën me shi. Ato ishin si një moral për mua se duhet të ndryshoja dhe se duhet të përpiqesha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Mos mendoni se fëmijët nuk janë të zgjuar. Ndonjëherë ata dalin më të zgjuar se shumë të rritur dhe ajo çfarë dua të tregoj në këtë histori, është se kohë të vështira kalojmë të tërë, por asnjëherë nuk duhet humbur besimi për një të ardhme më të mirë.

Gjithmonë zgjohu në mëngjes duke falenderuar Zotin që të dha një ditë më tepër për të ndrequr gabimet e së shkuarës. Gjithmonë ji falenderues për çdo gjë të bukur që të ka ndodhur në jetë. Ji pozitiv se një e ardhme më e mirë po të pret.

Leave a Reply

Back to top button