Histori

HISTORI / Forcë e “fortë” dhe forcë e “butë”

Vladimir Putini nuk është aspak lideri i parë rus që kërcënon fqinjët e tij me forcë dhe aneksime. Dy shekuj më parë, shtetarët europianë patën të njëjtën situatë të vështirë e shumë të ngjashme. Vetëm se atëherë qe në lojë Polonia, jo Ukraina

Mark Jarrett

Kongresi i Vienes

HISTORI / Forcë e “fortë” dhe forcë e “butë”

Vladimir Putini nuk është aspak lideri i parë rus që kërcënon fqinjët e tij me forcë dhe aneksime. Dy shekuj më parë, shtetarët europianë patën të njëjtën situatë të vështirë e shumë të ngjashme. Vetëm se atëherë qe në lojë Polonia, jo Ukraina

Mark Jarrett

Qysh nga shekulli i XVI-të, Polonia ka qenë një monarki e zgjedhshme. Fisnikëria e saj gëzonte liri të madhe – “liritë e arta” të saj – por monarkët e zgjedhshëm të Polonisë dështuan që të vendosin shtyllat e arta e monarkisë ancien régime: një burokraci e centralizuar, një ushtri në këmbë dhe taksa të rritura. Fuqitë e huaja bile paraqisnin kandidatët e tyre për zgjedhjet mbretërore polake. Në garën zgjedhore të 1764, Katerina e Madhe e Rusisë sponsorizoi ish të dashurin e saj, Stanislaus Poniatoëski. Të ftuara nga familja Czartoryski, trupat ruse mbajtën larg, por aq afër sa të influenconin zgjedhësit polakë. Pas ngjitjes së tij në fron, Poniatowski refuzoi që të realizojë objektivat e Careshës. Njëkohësisht, ai rezultoi i paaftë që të avancojë sa duhet reformat e nevojshme në Sejm-in polak. Një grup fisnikësh të pakënaqur u rebeluan dhe bile u orvatën që ta kidnapojnë mbretin për ta larguar nga influenca ruse. Forcat ruse ndërhynë.

Në 1771, Katerina arriti një marrëveshje me Frederikun e Madh të Prusisë dhe Maria Terezën e Austrisë: secili do të merrte një copë nga Polonia, duke ruajtur kështu “balancën e forcës” mes vetes. Kur Rusia u përfshi në një luftë me Turqinë osmane, Mbreti polak përfitoi nga rasti që të paraqesë të lavdërueshmen Kushtetutë të 3 majit 1791: në ditët tonë një ditë pushimi kombëtare. Por Rusia shpejt i mundi turqit dhe fisnikët konservatorë të mbështetura nga Katerina e Madhe u rebeluan ndaj kushtetutës së re dhe ftuan një ndërhyrje ruse. Pas rezistencës fillestare, monarku polak me ngurrim i dezertoi reformatorët për të shmangur shkatërrimin e vendit të tij. Rezultati qe humbja e mëtejshme e territoreve ndaj Rusisë dhe Prusisë në një ndarje të dytë. Reformatorët polakë u shokuan dhe menjëherë filluan të përgatiten për një konfrontim të tij.

Tadeush Koziuçko ngriti flamurin e rebelimit në 1794, por pas një fitoreje fillestare forcat polake u shpartalluan. Ajo çka mbetej prej Polonisë u zhduk në ndarjen e tretë dhe finale të 1795. Ai që ishte në 1770 vendi i dytë më i madh në Europë ishte zhdukur nga hartat. Vetëm 12 vite më vonë Napoleoni shpartalloi Prusinë në Betejën e Jenës dhe krijoi Dukatin e Varshavës nga copa prusiane e Polonisë. Në 1809 austriakët sfiduan Napoleonin dhe u mundën në mënyrë të ngjashme. Napoleoni mori pjesën më të madhe të copës austriake të Polonisë, përfshi Krakovin, dhe ia shtoi atë Dukatit të Varshavës. Për pasojë, shumica e polakëve favorizoi një aleancë me Francën napoleoniane kundër tri fuqive copëtuese, megjithëse Princi Adam Jerzy Czartoryski e vendosi besimin tek miku i tij, Car Aleksandri i I-rë, i cili premtoi që të rivendoste pavarësinë polake.

Këto ngjarje hapën rrugën për konfrontimin e madh në Kongresin e Vjenës. Kongresi u shpall publikisht në Nenin e 32-të e Paqes së Parë të Parisit, e përfunduar midis Francës dhe fuqive aleate në maj të 1814 pas kolapsit të Perandorisë napoleoniane. Në këtë traktat, u caktuan kufij të rinj të Francës, kështu që qëllimi i Kongresit të ardhshëm qe të merrej me territoret përtej kufijve francezë. Plani i fuqive të mëdha në mbledhjen e Kongresit qe transparent për të gjithë: të zgjidheshin parasëgjithash çështjet e pazgjidhura të tyre dhe pastaj të siguromin miratimin e pjesës tjetër të Europës për t’u dhënë legjitimitet vendimeve të tyre. Por plani i tyre dështoi kur ata nuk arritën të merreshin vesh gjatë negociatave të tyre në Paris dhe Londër përpara se të mblidhej Kongresi. Shkëmbi kryesor pengues ishte e ardhmja e Polonisë. Kolapsi i papritur i Perandorisë franceze e kish vënë në dyshim fatin e të sapolindur Dukat të Varshavës.

Cari e bëri të njohur synimin e përgjithshëm për ta rikthyer Poloninë, megjithëse i mbajti të mbështjella në mister detajet e sakta e planti të tij. në rrugën drejt Vjenës ai bile u takua me fisnikë kryesorë polakë në çifligun e Czartoryski në Puławy të Polonisë lindore. Në të njëjtën kohë, për të fituar aderimin e Prusisë në koalicionin e ri kundër Francës, Cari kish premtuar të rikthehej Prusia në përmasat e mëparshme të saj. Por, nëqoftëse Rusia nuk do t’i kthente Prusisë pjesë të Polonisë, ku dreqin do të gjente ai territor të mjaftueshëm për ta rikthyer Prusinë në përmasën e mëparshme të saj? Përgjigja ishte në Saksoni, një mbretëri e pavarur përgjatë kufirit jugperëndimor të Prusisë. Përderisa Mbreti

  

sakson kishte mbetur besnik i Francës shumë kohë pasi princat e tjerë gjermanë kishin dezertuar, Cari argumentonte se ai i kishte humbur të gjitha të drejtat për fronin e tij. kështu që Saksonia duhet t’i dhurohej Prusisë në kompensim për humbjen e ish territoreve polake të saj. Këto territore nga ana e tyre do të formonin bërthamën e një Mbretërie të Polonisë të ringjallur, për t’u sunduar drejpërsëdrejti nga Cari, por me kushtetutën, legjislaturën kombëtare, ligjet dhe ushtrinë e saj, të ndarë nga Rusia.

Në mënyrë të habitshme, pjesa ruse e Polonisë nuk do t’i bashkohej menjëherë me mbretërinë e re polake (e përbërë nga ish pjesët prusiane dhe austriake), megjithëse ekzistonin plane për ta bërë një gjë të tillë në një datë të mëvonshme. Shtetarët e tjerë aleatë qenë larg nga kënaqja me axhendën e Carit. Princi Klemens fon Meternik, Ministri i Jashtëm austriak, ju kundërvu plotësisht fitimit të Polonisë nga ana e Alensadrit, gjë që do t’i jepte Rusisë kontrollin e lartësive mbi rrugën kryesore të pushtimit drejt Vjenës, të nxiste trazira midis atyre polakëve ende nën sundimin austriak dhe ta kthente Prusinë në një shtet vasal rus. Interesat e Britanisë qenë më pak të prekura drejtpërsëdrejti. Megjithatë, Lordi Kastëllrait, Sekretari i Jashtëm britanik, gjithashtu i frikësoheshin rritjes së forcës së Rusisë dhe mosmarrëveshjen potenciale që skema e Carit mund të shkaktonte midis Austrisë dhe Prusisë. Çështja polako – saksone i tronditi bisedimet në Paris e Londër gjatë të gjithë verës së gjatë e të nxehtë të 1814. Në fillim të shtatori, monarkët dhe shtetarët aleatë filluan të mbërrinin në Vjenë, megjithatë problemi sesi të rindërtohej Europa Qendrore mbeti i pazgjidhur.

Nga shtatori deri në nëntor, Kastëllraiti dhe Meterniku punuan ngushtë me Ministrin prusian, Princon Karl August fon Hardenberg, për t’i kufizuar arritjet ruse në Poloni. Pse Hardenbergu qe i gatshëm të bashkëpunonte me Austrinë dhe Britaninë kur Cari i pati premtuar tashmë Prusisë të gjithë Saksoninë? Përgjigja duket të jetë se Hardenbergu donte mbështetjen e Meternikut për çështjet gjermane, veçanërisht krijimin e një konfederate të re që bashkonte të gjitha shtetet gjermane për qëllimet e mbrojtjes. Gjithashtu, bashkëpunimi me Austrinë dukej se ofronte perspektiva fitimprurëse në Saksoni dhe Poloni. Nga perspektiva e balancës së forcave, Austria, Britania dhe Prusia u bënë bashkë për shkak se besonin që Rusia ishte bërë tepër e fortë. Kastëllraiti shërbeu si zëdhënësi i tyre në një seri audiencash private me Aleksandrin e I-rë në shtator dhe në tetor.

Sekretari i Jashtëm britanik argumentonte se fitimi i Polonisë nga ana ruse do ta privonte Prusinë nga një kufi i mbrojtshëm, do të shkelte shenjtërinë e traktateve ekzistuese dhe do të ngjallte pakënaqësi midis polakëve. Megjithatë, Cari këmbënguli se kishte një detyrim moral të vërtetë ndaj kombit polak. Princi Czartoryski, i cili shoqëroi Carin në Kongres, dhe bile i moshuari Koziuçko, e shikonin të dy Carin si shpresën e fundit më të mirë të Polonisë. Fuqitë e tjera i ofronin atyre vetëm një sigurim copëzimi. Joseph Nye, shkencëtari politik nga Universiteti i Harvardit, e përkufizon “forcën e fortë” si përdorimin e “forcës ose ndëshkimit” për t’i penguar të tjerët që të arrijnë rezultatet e dëshiruara – me fjalë të tjera, forcë që mbështetet në resurset ushtarake ose në ato ekonomike – dhe e përkufizon “forcën e butë” si “aftësinë për të arritur atë që dëshiron nëpërmjet mjeteve kooptuese të formulimit të axhendës, bindjes dhe nxitjes së atraksionit pozitiv.

Në një ilustrim grafik të konceptit të “forcës së fortë” të Nye – zbatimit të forcës ushtarake ose ekonomike – Cari e vuri në lojë Kastëllraitin me faktin që trupat sovjetike i pushtonin tashmë territoret polake (siç do të bënte Stalini në 1945). “Perandori”, i raportonte Kastëllraiti Londrës, “insinuoi se kjo çështje mund të përfundonte vetëm në një mënyrë përderisa ai ishte në posedim”. Kastëllraiti e hodhi poshtë të gjithë synimin e largimit të rusëve nëpërmjet forcës, por i tha Carit se besonte që synimi i tij nuk ishte që ta posedonte Poloninë si pushtues, por t’i qeveriste polakët si sovran legjitim me autorizimin e Europës. Dukshëm që Kastëllraiti po orvatej mjeshtërisht që të përdorte instrumentat e “forcës së butë” – atraksion dhe bindje, me “autorizimin e Europës” – për t’ju kundërvënë “forcës së fortë” të fuqisë ushtarake së Carit.

Meterniku, Kastëllraiti dhe Hardenbergu u takuan në apartamentet e Kastëllraitit në Minoritenplatz me 23 tetor. Meterniku sapo kishte miratuar aneksimin prusian e të gjithë Saksonisë. Të tri shtetarët ranë dakord që t’i ofronin Carit një Poloni të pavarur, duke e diktur shumë mirë që ai do ta refuzonte. Më pas ata planifikuar të propozonin se Carit duhej t’i jepej territori polak deri në lumin Vistula, përfshi Varshavën, por jo më tej, rreth gjysmën e territorit që ai pretendonte. Meterniku që vepronte si përfaqësuesi i tyre të nesërmen, kur informoi Aleksandrin se Austria gjithashtu mund të krijonte mbretërinë e vet polake në jug.

Cari reagoi i indinjuar. Bashkëpunimi i Meternikut dhe Kastëllraiti me Hardenbergun në fund dështoi sepse sunduesi prusian, Mbreti Frederik Uilliam i II-të, akom ndjehej i detyruar ndaj Carit për çlirimin e territoreve të tij nga Napoleoni. Më 5 tetor, Mbreti thirri Hardenbergun dhe e urdhëroi që të pushonte çdo rezistencë ndaj Carit. 5 ditë më vonë, rusët ua dorëzuan prusianëve pushtimin ushtarak të Saksonisë. Fronti i bashkuar i Prusisë, Austrisë dhe Britanisë e shemb si një shtëpi prej letre. Në sipërfaqe, strategjia aleate në këto tri muaj duket të ketë qenë një ushtrim klasik i balancës së forcave. Edhe pse Cari ia kishte ofruar tashmë Prusisë të gjithë Saksoninë dhe anipse Britania nuk kishte asnjë

interes të drejpërdrejtë në grindje, Hardenbergu dhe Kastëllraiti i patën bashkuar forcat me Meternikun sepse i frikësoheshin forcës në rritje të Rusisë.
Por, pavarësisht dukjeve, duket qartë se realisht nuk kishte asnjë shans që këto fuqi do ta përdornin ndonjëherë forcën ushtarake për ta përzënë Rusinë nga Polonia. Në fazën tjetër të negociatës, ministrat e spostuan fokusin e tyre nga Saksonia. As Kastëllraiti, as Meterniku, nuk qenë më të gatshëm që t’ia dorëzonin Prusisë të gjithë mbretërinë e Saksonisë dhe në fillim të dhjetorit të dy i anulluan ofertat e tyre të mëparshme për Hardenbergun. Austria dhe Prusia filluan qetësisht të përgatiteshin për mundësinë pothuajse të paimagjinueshme të luftës. Kastëllraiti i shpjegoi pikëpamjen austriake kabinetit britanik: “Është opinioni i maturuar i shumë prej oficerëve dhe… ministrave të tyre se, më shumë sesa të kenë rusët në Krakov dhe prusianët në Drezden, ata më mirë të rrezikojnë një luftë me çfarë mund të arrijnë”.

Më 2 dhjetor, Hardenbergu i dërgoi një mesazh reformatorit ushtarak Gjeneralit Gnaizenau, vetë ky me origjinë saksone, se “do të ishte më mirë të bëhej një luftë e re sesa Prusia, pas veprash të tilla të lavdishme dhe kaq shumë sakrificash, do të dilte shumë keq nga kjo punë”. Kastëllraiti ju adresua kabinetit britanik po atë ditë, duke peshuar perspektivat e ruajtjes së paqes: “Opinioni im është se… teksa Europa është thellësisht më shumë e armatosur sesa cdo periudhë e mëparshme, [kjo mosmarrëveshjet] papritmas mund të përfundojë në luftë”.

Tri javë më vonë, ai sërish shpjegoi se prusianët po “organizonin ushtrinë e tyre për luftë tokësore… Ky mund të ishte një kërcënim për të mbështetur negociatën e tyre, por ata gjithashtu meditojnë ndonjë përpjekje tyë papritur, bashkë me Rusinë, që ta shtrëngojnë Austrinë dhe ta vendosin veten në një situatë ku të diktojnë termat e tyre lidhur me të gjitha pikat”. Ndërkohë Duka i Madh Konstantin, vëllai i vogël i Carit, nënshkroi një proklamatë nxitëse për ushtrinë polake që “të rrokni armët në mbrojtje të vendit tuaj dhe ruajtjen e ekzistencës politike tuaj”. Të gjitha këto pëprjekje qenë thjesht shfaqje force? Liderët ushtarakë thjesht po merrnin masa paraprake të arsyeshme apo ekzistonte ndonjë rrezik real për konflikt? Shumica e historianëve bien dakord se, pavarësisht dukjes, lufta kishte shumë pak shanse. Nga mesi i dhjetorit, Rusia, Britania dhe Austria po i bënin të treja hapjes ndaj delegacionit francez. Përderisa objektivi i Talejranit, Ministrit të Jashtëm francez, kishte qenë gjithmonë që ta mbante Mbretin e Saksonisë në fronin e tij, ai anoi nga Austria dhe Britania. Ministri prusian dhe rus paraitën idenë e lëvizjes së Mbretit të Saksonisë në një principatë mbi lumin Rin. Ky propozim u nënshkrua nga Kastëllraiti me 20 dhjetor. Po atë ditë, aleatët ranë dakord që të krijonin një “Komitet Statisikor” për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në rritje mbi përmasat e popullsisë.

Konferenca formale të katër fuqive aleate për përcaktimin e fatit të Saksonisë dhe Polonisë u hapën në zyrën e Meternikut në Ballhausplatz me 29 dhjetor. Kastëllraiti dhe Meterniku mëshuan për hyrjen e menjëhershme të Francës në konsultime. Në sesionin e 30 dhjetorit, Meterniku sugjeroi se do të duhej leja e Mbretit të Saksonisë përpara ndarjes së mbretërisë së tij. Kjo ishte e tepërt për t’u duruar nga Hardenbergu. Vetëm tri javë më parë, vetë Meterniku po ia ofronte Prusisë të gjithë Saksoninë. Hardenbergu shpalli i zemëruar se çdo refuzim për të njohur fitimin prusian të Saksonisë do të ishte ekuivalent me një akt lufte. Kjo, në fjalët e Kastëllraitit, qe “kërcënimi më alarmues dhe më i padëgjuar”.

Rezultati i shpërthimit të zemërimit të Hardenbergut qe traktati sekret i 3 janarit 1815: një aleancë mbrojtëse midis Britanisë, Austrisë dhe Francës. Sigurisht, është e jashtëzakonshme që, pas 20 vitesh luftë, Britania dhe Austria qenë të gatshme tani të bashkoheshin me ish kundërshtarin e tyre. Vetë Kastëllraiti e hartoi planin Ditën e Vitit të Ri. Disa historianë argumentojnë se lajmi i këtij traktati i detyroi rusët dhe prusianët që të zmbrapseshin në një rast klasik diplomacie shtrënguese. Vetë Kastëllraiti i dha besim këtij interpretimi të ngjarjeve në një letër të mëvonshme për kabinetin. Por realiteti ishte ndryshe. Përfundimi i këtij traktati – një ushtrim i dukshëm “force të fortë” – thjesht nuk mund të vlente për zgjidhjen e krizës. Aleanca e re qe me natyrë pastërtisht mbrojtëse: në rastin që ndonjë prej nënshkruesve të tij do sulmohej ne kompletimin apo zbatimin e Paqes së Parisit, palët e tjera qenë të detyruara t’i vinin në ndihmë.

Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi se as Rusia, as Prusia, nuk planifikuan ndonjëherë të lëviznin përtej kufijve të Polonisë dhe Saksonisë që të sulmonin nënshkrueset e Aleancës së Trifishtë. Prandaj traktati qe një letër e vdekur qysh nga fillimi. Ndërkohë, Hardenbergu e kishte pranuar sakrifikimin e shumicës së Saksonisë dy javë më parë. Në ditarin e tij me datë 21 dhjetor, Kancelari prusian kishte shkruar: Ne jemi të gatshëm që të cedojmë një pjesë të madhe të Saksonisë”. Së fundi, traktati mbeti sekret. Thashethemet për ekzistencën e tij gëlonin, por nuk u konfirmuan asnjëherë zyrtarisht. E gjitha kjo bie ndesh me thelbin e diplomacisë shtrënguese, një formë “force të fortë” që kërkon një kërcënim të besueshëm që t’i bëhet e ditur një kundërshtari për t’i influencuar qëndrimin. Ministri i kabinetit britanik, Lordi Malgreiv, e shprehu më së miri: “Unë nuk e di se pse duhet të ishte bërë ose të mbahej sekret…. nëqoftëse nënkuptohej si vlerësim i pretendimeve të tyre, më duket se duhet të ishte shmangur; mbajtja sekret çon në asgjë tjetër përveç veprimit të cilin duam ta shmangim”.

Megjithëse aleanca sekrete e 3 janarit 1815 nuk çoi në zgjidhjen e çështjes polako – saksone, ajo përkoi me faktorë të tjerë që çuan. Ajo çka e zgjidhi përfundimisht atë nuk qe kërcënimi i “forcës së fortë” i mishëruar në traktatin sekret, por impakti i disa influencave të “forcës së butë” ndaj Carit, i cili bëri lëshime të reja. Së pari, Cari dukshëm që nuk donte t’i antagonizonte ish aleatët e tij për hatër të Prusisë. “Rusia”, i shkruante Kastëllraiti Londrës, “nuk do ta inkurajojë Prusinë që të rezistojë tani që e ka siguruar pazarin e saj në Poloni”.

Së dyti, Cari donte që të fitonte miqësinë e shteteve të mesme gjermane. Së treti, Cari priste nga Britania që t’u paguante borxhin rus bankierëve hollandezë. Ajo që i linte në hije të gjitha konsideratat ishte religjioziteti në rritje i Carit. Tani Alesandri e paraqiste veten si shpëtimtarin e të gjithë njerëzimit. Me 31 dhjetor, teksa Kastëllraiti po konceptonte aleancën sekrete, Cari po i shkruante një apel sovranëve të tjerë europianë, që do të çonte në Aleancën e Shenjtë. Perandori rus po shpresonte që t’i bashkonte të fgjithë sovranët dhe popujt e tyre në një shpirt vëllazërimi kristian. Kundër këtyre preokupimeve sublime, kufijtë e ardhshëm të Prusisë degdiseshin në gjë fare të parëndësishme. Njeriu mund të thotë se Prusisë i mungonin resurset e “forcës së fortë” të Rusisë dhe kështu që ju desh t’i nënshtrohej kërkesave të aleatëve.

Në të njëjtën kohë, atraksionet e “forcës së butë” të legjitimitetit dhe mbështetjes së Europës e patën një impakt, sidomos në mendjen e impresionueshme të Carit. Kjo na çon ne në fazën e tretë dhe shpesh të neglizhuar të negociatës. Megjithëse lufta midis aleatëve ishte shmangur, prusianët qenë tërhequr dhe Cari kishte bërë lëshime, Kongresi sërish kërkoi një tjetër muaj “Pazar” të rëndë. Shtetarët po përpiqeshin që të arrinin balancën më të mirë të mundshme në termat e “forcës së fortë” resurs të popullsisë, të cilin e shikonin si çelësin e fuqisë ushtarake të ardhshme. Më 5 janar, Kastëllraiti kishte hartuar një plan tërësisht të ri për rindërtimin e Prusisë, duke e kthyer atë në ish madhësinë e mëparshme, duke i dhënë asaj vetëm një pjesë të Saksonisë.

Kastëllraiti zbuloi aftësinë e tij si negociator nëpërmjet kundërvënies së ekstremeve nga të gjitha anët. Përpjekjet e tij siguruan një panoramë të mrekullueshme të diplomacisë së “balancës së forcave” në veprim. Sërish duke besuar në nevojën për ta fuqizuar Prusinë në Gjermaninë veriore, Sekretari i Jashtëm këmbënguli që prusianëve duhej t’u jepeshin 2/5 e Saksonisë, ashtu si edhe territore përgjatë Elbës dhe mbi Rin. Bile, përballë objeksioneve austriake, Kastëllraiti këmbënguli që kështjella e Erfurtit dhe e Torgaut t’i jepeshin Prusisë. Prusianët me kokëfortësi mbanin propozimin e tyre të Rinlandit, por më kot. Austriakët ofruan që t’i kthenin Rusisë pjesë të territorit polak të tyre, në mënyrë që kjo e fundit, nga ana e saj, t’i jepte Prusisë më shumë Poloni në vend të Saksonisë. Anëtarët britanikë dhe francezë të Komitetit Statistikor rekomanduan një qasje të ndryshme: Prusisë do t’i jepej, siç kish sugjeruar Kastëllraiti, kështjellat e Torgaut dhe Erfurtit, si dhe 900 mijë banorë të tjerë. Prusianët qenë të gatshëm të dorëzonin kryeqytetin e Saksonisë Drezden, por qenë të vendosur që të bënin një qëndresë të fundit për të fituar Lajpcigun, skenën e fitores vendimtare mbi Napoleonin një vit më parë.

Fërkimi final u zgjidh vetëm kur Cari, ende në një gjendje shpirtërore paqësore, me nxitjen e Kastëllraitit, lejoi që të bëheshin lëshime të mëtejshme në Poloni. Hanoveri dhe Hollanda, nën presionin britanik, gjithashtu i kthyen Prusisë copa shtesë të territorit. “U krijua një fond”, shkroi Kastëllraiti, “për të kryer një reduktim të shëndetshëm në favor të Saksonisë”. Punimet e Komitetit Statistikor asistuan ndjeshëm në shtytjen finale. Popullsi distriktesh u shtuan dhe u hoqën në mënyrë mekanike për të arritur rezultatet e dëshiruara dhe një marrëveshje finale lidhur me rindërtimin e Europës Qendrore u arrit më së fundmi në fillim të shkurtit, pak përpara largimit të Kastëllratit për Londër. Megjithëse prusianët nuk e përfituan të gjithë Saksoninë dhe territoret e tyre mbetën të shpërndarë, ata siguruan një hark të madh që shtrihej nëpër Gjermaninë veriore. Pozicioni i tyre në Rinland i bëri ato pjesë të një barriere të re shtetesh rreth Francës, ashtu sic patën synuar Piti dhe Kastëllraiti, dhe aktualisht e shtynë Prusinë nga perëndimi, duke krijuar skenën për bashkimin e mëvonshëm gjerman nën lidershipin prusian. Ndërkohë, Rusia aneksoi shumicën e Dukatit të Varshavës, por bëri mjaft lëshime të tjera të minutës së fundit, duke dorëzuar jo vetëm Pozenin dhe Thornin, por edhe kryeqytetin e vjetër mbretëror të Krakovisë, i cili u bë një qytet i lirë.

Çfarë zbulojnë këto negociata rreth ushtrimi të forcës së “fortë” dhe asaj të “butë”? Në Vjenë, në një masë të madhe ashtu si sot, posedimi i resurseve substanciale të “forcës së fortë” siguronte kredencialet për anëtarësim në klubin ekskluziv e fuqive të mëdha. Negociatat në Vjenë nxorën në pah vendosmërinë e atyre fuqive për të arritur vendime të mëdha vetë pa konsultuar shtetet më të vegjël dhe me pak preokupim për dëshirat e popullsive subjekt aktualisht të përfshira. Në të njëjtën kohë, vetëm resurset e “forcës së fortë” nuk qenë vendimtare. Sigurisht, Rusia caktoi axhendën dhe diktoi rezultatin në Poloni. Ky qe vërtet një ushtrim i “forcës së fortë”. Me resurse “force të fortë” më të pakta, Prusia korri më pak sukses. Por fakti është se Rusia bëri disa lëshime në Poloni, ndërsa Prusia sërish mori një pjesë të madhe të Saksonisë dhe siguroi kompensim të mëtejshëm tjetërkund. Në fund, konsideratat e “forcës së butë” e reduktuan impaktin e “forcës së fortë” dhe i hapën dyert një zgjidhjeje kompromisi.

Nga fillimi i shkurtit 1815 ndërveprimi i “forcës së butë” dhe “forcës së fortë”, të zbatuara mjeshtërisht nga shtetarët në Vjenë, e kish arritur maksimumin. Sërish aleatët qenë të bashkuar dhe të gatshëm që të përballonin një sfidë të re kur Napoleoni u arratis nga Elba dhe u kthye në Pallatin e Tuilërive në Paris në fillim të marsit.

A ofron ky episod ndonjë mësim për t’u përballur sot me të ngjashmet e Presidentit Putin? Ashtu si në 1814 dhe 1945, fuqitë perëndimore mund të mos jenë në pozitën që ta zbatojnë efektivisht forcën e tyre ushtarake në rajonin midis Rusisë dhe pjesës tjetër të Europës. Instrumentat e politikës së jashtmë në dispozicion të tyre duket se janë masat e “forta” e ofrimit të armëve për Ukrainën dhe të zbatojnë sanksione ekonomike kundër Rusisë, të kombinuara me mjetet e “buta” të diplomacisë, publicitetit dhe bindjes. Mbetet për t’u parë, duke pasur parasysh kohën dhe mendjemadhësinë, nëse Putini mund të kandiset që të bëjë lëshimet siç u kandis dikur Car Aleksandri. Lideri aktual rus duket se i mungon e njëjti përkushtim ndaj idealeve evropiane si i Carit të dikurshëm. Por, si në Kongresin e Vjenës, mund të jetë në ushtrimin e “forcës së butë”që të qëndrojë akoma shpresa më e mirë e frenimit të Rusisë.

* Mark Jarrett është autor i librit “The Congress of Vienna and its Legacy: War and Great Power Diplomacy after Napoleon” (shtëpia botuese I.B. Tauris, 2013).
Përgatiti:
ARMIN TIRANA

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button