Motivuese

Histori: Jeta ime e mjerë, në një martesë “të sëmurë”…

Kam qenë vajzë në një familje ku fjala e babait ishte ligji dhe të gjithë duhet të bindeshim ndaj tij. Unë, motra, vëllai dhe mami duhet të bënim ashtu siç thoshte ai…

Ishte data 08.06.2012 kur filloi gjithçka. Isha maturante atë vit. Kur shkova në shtëpi, shoh mamin dhe motrën të përlotura. Në fillim mendova se mund të kishte ndërruar gjyshja jetë, sepse ishte sëmurë, por jo. Babi më tha se të nesërmen do të fejohesha me dikë që ai më kishte gjetur.

Mendova se mund të ishte duke u tallur dhe kur ai vazhdoi të fliste për djalin në fjalë, e kundërshtova dhe dola nga shtëpia duke qarë. Nuk doja të fejohesha në atë moshë. Fejesa do të thoshte një martesë shumë shpejt dhe unë kisha ëndrra të tjera. Unë doja të studioja, të vazhdoja universitetin si shumë nga bashkëmoshataret e mia. Në darkë u zumë sërish dhe im atë më detyroi të pranoja.

Familja e rij erdhi për dorën time në datën 9, pra ditën e nesërme. Ai nuk ishte as i paraqitshëm dhe dukej që as nga trutë nuk ishte në rregull. Ndërkohë që të tërë ishin veshur me rroba me mëngë të shkurtra për shkak të vapës, ai ishte veshur me xhup. Unë s’doja të pranoja, ndërkohë që im atë më shihte sikur do më vriste po të kundërshtoja. Atë natë shkova në shtëpinë e tyre dhe nuk pranova të kryeja marrëdhënie me të. I thashë se nuk doja të kryeja marrëdhënie, për aq kohë sa nuk isha e martuar me të. Ai ma ktheu se meqë mendoja ashtu, do bisedonte me babanë tim për martesën tonë.

Gjërat rrodhën shumë shpejt. Për 10 ditë ne u martuam dhe unë u bëra bashkëshortja e tij dhe i dhashë fund dëshirave të mia për shkollim, thjesht për shkak të tekave të tim ati…

Pas disa ditësh vjen dhe më takon një kushëri i imi, djali i dajës, por nuk pranoi të hynte brenda dhe e takova vetëm tek porta. Vjehrra në darkë e bëri problem të madh duke thënë se unë e tradhëtoja djalin e saj. Që aty nisën problemet. Në darkë, im shoq më dhunoi fizikisht, edhe pse e binda se ishte djali i dajës, pra kushëriri im. Të nesërmen, ai e vërtetoi se ishte vërtet kushëri me mua dhe as falje nuk më kërkoi.

Kështu vazhduan edhe muajt e tjerë, derisa në dhjetor ngela shtatzënë. Në 25.12.2012, në ditën e Krishtlindjeve, im shoq më tha se donte të shkonte në shtëpinë e prindërve të mi për një vizitë. E besova dhe pranova, pasi edhe më kishte marrë malli për ta. Gjatë rrugës, ai niset në një drejtim tjetër dhe e ndalon makinën afër një përroi. Aty nxorri nga makina një çifte dhe ma drejtoi “Më thuaj me kë e ke fëmijën?” më pyeti dhe jam shtangur nga pyetja e tij. M’i kishte ngulitur sytë dhe kisha frikë mos bënte ndonjë marrëzi. Nuk mendoja për veten time. Doja thjesht që fëmija im të shpëtonte. Unë edhe nëse i thoja që ishte fëmija i tij, ai sërish nuk do më besonte përderisa më kishte drejtuar çiften, ndaj zgjodha të vrapoja dhe as vetë nuk e di si arrita t’i shpëtoja. U futa në një shtëpi dhe atje më ra të fikët, sepse nuk kisha ngrënë mëngjes…

Më vonë jam përmendur dhe mësova se kisha hyrë në shtëpinë e një infermiereje. Ndenja pak aty dhe u qetësova në muhabet me të, derisa jashtë dëgjoj zëra. Kishte ardhur im atë bashkë me vëllanë e vogël dhe po më kërkonin. Dola dhe ngjarjet rrodhën po njësoj. Babi më detyroi të shkoja sërish në shtëpinë e tij, sepse ai e kishte gënjyer për ngjarjen që kishte ndodhur.

Kur shkuam në shtëpi, ai, kunati dhe kunata më dhunuan dhe njëri nga të tre më goditi në sy. Humba ndjenjat në atë moment. Kur u përmenda, mbaja mend vetëm që kisha marrë një goditje të fortë dhe më ishte dukur sikur syri më kishte dalë nga vendi.

Atë natë dola nga shtëpia pa u ndjerë dhe rrugës ndalova dikë. Telefonova babin dhe ai erdhi të më merrte pasi ia shpjegova gjithçka që kishte ndodhur. Tani jam nëna e një fëmije dhe jetoj në shtëpinë e prindërve të mi. Babi im, në ditën pas natës që unë u arratisa nga shtëpia e tyre, i telefonoi dhe i bëri të qartë se unë s’do të kisha më punë me ta. Mirëpo ata vazhdojnë të na bezdisin. Ai vazhdon të këmbëngulë që unë të kthehem me të dhe unë vazhdoj të mos pranoj. Nuk e di se si ta shmang këtë situatë. Nuk dua të dëgjoj më për të dhe për familjen e tij. Nuk dua të kaloj në të njëjtën situatë, siç kalova dhe ndaj dua vetëm ta harroj. Të jetoj jetën time pa e menduar më. Dua të jetoj, pa e kujtuar më të shkuarën time…

Leave a Reply

Back to top button