Motivuese

Histori: Kirurgjia plastike? Për mua, një dështim i vërtetë…

Unë isha 22 vjeçe dhe mund të them që isha e lodhur dhe tmerrësisht e mërzitur nga opinionet e njerëzve për mua. Kam bërë tre ndërhyrje plastike në trup dhe të gjitha “me vullnetin dhe dëshirën time”. E them kështu, sepse realisht kanë qenë opinionet e të tjerëve që më kanë shtyrë drejt kirurgjisë dhe jo dëshira ime për t’i bërë ato. Ma thoshin hapur “je e shëndoshë”, ndërkohë që prapa krahëve dëgjoja “sa e shëmtuar është ajo” duke cituar si pjesë të shëmtuara të miat hundën me kurriz dhe fytyrën me puçrra. Unë e dija se nuk e kisha zgjedhur unë të kisha një fytyrë të tillë, por e kisha të pamundur të bindja veten se opinionet e tyre nuk duhet të më mërzisnin. Nuk e shmangia dot mërzitjen dhe urrejtjen që fillova të ndieja për veten.

Nisa të shkoja në palestër që të paktën të rregulloja një nga defektet e mia, por nuk rrija dot pa ngrënë. E kisha të lindur obezitetin. Pas dy vitesh përpjekjesh të vazhdueshme për të rënë nga pesha dhe për ta pastruar fytyrën nga puçrrat me vizitat e shumta nëpër dermatologë të ndryshëm, asnjëra nuk dha rezultatet që doja. Bulimia erdhi me dëshirën për t’u dobësuar, derisa një ditë më kapi mami teksa villja, dhe më bëri të reflektoja sadopak për atë që po i bëja vetes. Kaluan disa ditë dhe përsëri nisi e njëjta situatë urrejtjeje për veten. Ajo situatë nuk durohej më dhe vendosa t’i korrigjoja defektet tek vetja me anë të kirurgjisë plastike. Para dy vitesh mund të themi se kirurgjia e tillë bëri “bum” kudo. Kudo shihje transformime të mëdha përmes plastikës dhe vendosa që rezultate të tilla të magjishme t’i provoja edhe vetë. Prindërit e mi i kishin mundësitë dhe pas një debati të gjerë, e panë vendosmërinë time dhe më mbështetën. Shkuam në Greqi tek një kirurg plastik që mbahej si i suksesshëm në ndërhyrjet e tij. Na tha se mund t’i zgjidhte problemet e mia, por çdo ndërhyrje duhej bërë shpejt, sepse ai do të largohej pas disa ditësh nga ajo klinikë. Kjo gjë do të thoshte se sapo të dilja nga një ndërhyrje, unë duhet të futesha në një tjetër. E pranova, sepse mendoja se çdo gjë do të shkonte shumë mirë.

E para do të ishte ndërhyrja e heqjes së dhjamit nga barku, e dyta do të ishte zëvendësimi i lëkurës së fytyrës dhe e treta do të ishte korrigjimi i formës së hundës. Më premtuan rezultate të shkëlqyera dhe i besova. Kisha frikë në fillim për gjithë pjesën e operacioneve, por mendoja vetëm diçka “Nuk mund të bëhesha më e shëmtuar se sa isha…”

Vetëm pas rreth dhjetë ditësh kuptova se isha totalisht e ndërgjegjshme për situatën përreth. Ditët e mëparshme isha si e përgjumur dhe nuk kisha kohë të merrja veten përpara ndërhyrjes së radhës. Pas dhjetë ditësh, një infermiere hyri në dhomë dhe e nxorri mamin dhe babin jashtë. Një tjetër solli një pasqyrë që unë të shihja veten dhe më ndihmuan që të ngrihesha nga shtrati, edhe pse me shumë vështirësi. Dola përpara pasqyrës dhe ç’të shihja. Hunda më kishte dalë sadopak mirë. Ndoshta më dukej si e shëmtuar, sepse nuk isha mësuar me pamjen e re, por çdo gjë pozitive të hundës e zbehu barku dhe fytyra. Transplanti i lëkurës ishte i tmerrshëm. Në disa zona kisha puçrra dhe në disa zona jo. Dukesha si një e shpërfytyruar totalisht dhe sikur mjeku ishte tallur me mua. E njëjta gjë ndodhte edhe në bark. Në zona të caktuara kisha dhjamë dhe në disa të tjera isha e dobët kockë e lëkurë. Fillova të bërtisja me të madhe dhe prindërit u futën në dhomë. Babi e kërkoi kirurgun dhe nuk e gjeti dot. Ai ishte larguar nga ajo klinikë dhe kishte lënë porosi që të na thoshin se ndërhyrjet ishin bërë me sukses. Çdo gjë nga kirurgjitë plastike ishte një tallje dhe unë sot jam një e shpërfytyruar që ndihet tmerrësisht keq se si u besoi atyre reklamave me modele të bukura dhe me trup e forma perfekte. Ky ishte suksesi i kirurgjisë plastike? Këtë quanin mjekët sukses? Sa idiote kam qenë.

Koha më bëri të kuptoj se kirurgjia plastike është një tallje me njeriun, një shpërfytyrim akoma më i madh i tij, sepse kurrë nuk do të ndihesh e kënaqur me veten. Kurrë nuk ndihesh rehat me veten. Unë shihem në pasqyrë dhe nuk e njoh dot veten time. Me shumë vështirësi bëra një ndërhyrje tjetër në fytyrë, pasi të gjithë thoshin se ai ishte rezultati më i mirë i mundshëm dhe nuk mund të bëhej dot aq shpejt një ndërhyrje e dytë në të njëjtin vend. A ishte ky suksesi dhe rezultati më i mirë i ndërhyrjeve plastike? A ishte kjo arsyeja e gjithë reklamave të shumta që na shtynin t’i provonim ato? Për këtë formë shëmtimi të njeriut?

Unë i hoqa puçrrat e bezdisshme, por çfarë fitova? Unë sot nuk njoh dot veten time. Kur shihem në pasqyrë, më duket sikur nuk jam unë, sikur jam një person tjetër që jeton në trupin tim. Fytyra ime nuk ngjan me fytyrën time. Hunda ime “perfekte” nuk ngjan me atë që unë isha mësuar të shihja tek vetja.

Dua të them se nuk janë aq perfekte rezultatet e plastikës. Të gjitha ato që dalin si perfekte nëpër revista, e urrejnë kirurgjinë plastike po kaq sa unë, sepse ashtu siç ato nuk ndiheshin mirë më përprapa me veten, ashtu nuk ndihen edhe tani. Më besoni për këtë gjë. Ne jemi të shpërfytyruara, shumë ndryshe asaj që Zoti kishte caktuar për ne. Dhe të tjerët na mbajnë akoma më shumë në gojë. Madje kur na shohin,  as që na njohin…

Leave a Reply

Back to top button