Motivuese

Histori: Kur njeh dashurinë e vërtetë, gjatë dhimbjes më të madhe të jetës…

Im atë e braktisi nënën time për dikë tjetër, kur unë isha vetëm tre vjeçe. Normalisht në atë kohë nuk kuptoja asgjë, por më vonë e kuptoja sa vuante e vetme nëna ime për t’ia dalë mbanë për të dyja ne. Unë nuk e kam zhgënjyer asnjëherë. Përpiqesha të dilja sa më mirë me shkollën që t’ia shpërbleja disi vuajtjet dhe lodhjet.

Jeta jonë vazhdoi normale deri kur unë mbërrita në vitin e parë të gjimnazit. Në atë vit mami mësoi se vuante nga kanceri në mitër dhe të dyja u trishtuam shumë nga ky lajm. Kalova ditë duke qarë për atë që po i ndodhte mamasë sime dhe mendoja se sa e mjerë do ishte jeta ime pa të. Muajt kaluan dhe ajo duhet të niste seancat e kemioterapive, mirëpo nga dobësia që ndiente, nuk mund ta vazhdonte më punën. Unë isha në fund të vitit të gjimnazit dhe vendosa të punoja. Nuk mund ta lija mamanë time të ndërronte jetë për faktin se nuk kishim të ardhura. Dija shumë mirë gjuhën angleze dhe kërkova punë në një qendër përkthimesh në Tiranë. Ishte një punë që mund ta bëja nga shtëpia dhe nuk më harxhonte shumë kohë. Pas rrogës së parë e vura re se lekët nuk mjaftonin as për të ngrënë dhe vendosa të nisja një punë në një call center në Vlorë, por pa siguracione të paguara. Isha shumë e vogël që ligjërisht të punësohesha me siguracione, por nuk ma ndiente. Të paktën do merrja të ardhura më shumë që mami të kurohej.

Pas muajit të parë, ajo nisi kemioterapinë dhe kur unë nuk paguhesha mjaftueshëm, kisha një shok që më ndihmonte me kusht që ato lekë t’ia ktheja më vonë. Me të jam njohur në gjimnaz. Ishte djalë i vetëm dhe vinte nga një familje e pasur. Ai është nga Vlora dhe na ra rasti të ishim shokë bange për të tre vitet e gjimnazit. Me pak fjalë, sa herë unë nuk paguhesha mjaftueshëm sa për të paguar ilaçet e mamit tim, ai më ndihmonte.

Pas muajit të tretë që mësuam lajmin, ajo filloi të ndryshonte. Flokët filluan t’i binin. Ndihej më e dobët dhe dukej shumë më e zbehtë. Unë ndihesha tepër keq kur e shikoja se si ajo po përkeqësohej dhe nuk mund të bëja dot asgjë për ta ndaluar përhapjen e kancerit.

Pas muajit të tetë, mami ndërroi jetë. Ishim duke ngrënë darkë kur ajo dha shpirt duke më lënë amanetin e fundit që të kujdesesha për veten. Dola duke bërtitur nga shtëpia, sepse në atë kohë isha në vit të dytë të gjimnazit dhe nuk isha përballur ndonjëherë me vdekjen. Pasi kaloi çdo gjë, unë e pata të vështirë të vazhdoja me jetën time. Çdo gjë më dukej e kotë. Shkoja në shkollë dhe në punë dhe kur vija, shtëpia më dukej bosh. E imagjinoja mamin në cepin e divanit që ulej gjithmonë duke më pritur dhe kur vija nga puna, nuk e gjeja aty.

Në atë kohë kisha në klasë edhe disa djem që pinin drogë. Ata më ofruan të pija drogë bashkë me ta, sepse kisha për t’i harruar problemet e mia. Ndihesha e rrënuar dhe në përpjekje për t’i harruar disi gjërat, nisa drogën. Ishte vërtet ashtu. Pasi e merrje, ndiheshe sikur asnjë problem nuk kishe në jetë, Ndiheshe e lumtur, por pasi efekti i saj dilte, ndiheshe çuditërisht shumë më e trishtuar.

Ai, shoku i bangës, më fliste përherë të hiqja dorë nga ajo rrugë dhe unë nuk e dëgjova. Kjo histori vazhdoi rreth dy vjet kështu. Kur mami mbushi dy vjetorin e saj, unë isha në vitin e fundit të gjimnazit dhe nisa të kuptoja se jeta ime ishte tmerrësisht e mjerë. Unë punoja dhe shpenzoja për diçka që po më shkatërronte. Me ndihmën e miqve të mi më të mirë, dhe kryesisht të tij, unë vendosa të shkëputesha nga ajo rrugë. Nuk ishte e lehtë. Ishte shumë e vështirë të jetoje pa të, por me ndihmën e njerëzve që të duan të mirën, mund t’ia dalësh dhe unë jam shembulli më i mirë i këtij përfundimi.

Në mbrëmjen e maturës shkova me atë. Aty ai më bëri një propozim që nuk e prisja. E kisha shok në bangë prej tre vitesh dhe nuk e dija se ai më donte. Më propozoi për t’u lidhur duke më thënë se kishte filluar të më donte që në vit të parë. Unë pranova dhe pas dy vitesh lidhje, megjithëse ishim secili nga 20 vjeç, ne vendosëm të fejoheshim. Familja e tij nuk e di historinë time me drogën dhe gjithsesi, na këshilloi të mos nxitoheshim me vendimet që merrnim, sepse mund të pendoheshim një ditë, por tani ne po bëjmë dy vite që jemi të fejuar dhe ata e kanë kuptuar se sa duhemi. Erjoni studion për inxhinieri elektronike, ndërsa unë për informatikë. Të dy punojmë dhe jetojmë bashkë në Tiranë. Jemi në vitin e dytë të masterit këtë vit dhe në fund të tij e kemi në plan të martohemi. Nëpërmjet kësaj historie dua të them se nuk ia vlen të mërziteni për gjëra të kota. Lumturia gjendet edhe në ditët më të vështira. Unë ndihesha e përhumbur dhe sot jam femra më e lumtur përkrah një mashkulli që më do dhe më respekton. Ju uroj të gjithëve sa më shumë fat në jetë!

Leave a Reply

Back to top button