Motivuese

Histori: “Një jetë e re për të realizuar ëndrrat që ke…”

Ishte viti 2009 dhe unë isha vetëm 23 vjeçe. “Në lule të rinisë” do të thoshte dikush, duke ditur moshën time. Isha duke ndjerë një “xhungë në bark” dhe kjo gjë më shqetësonte. Pas kësaj, prindërit e mi më çuan për vizita të shumta, por asnjëri nuk më dha një përgjigje të saktë. Një mjek radiolog më tha se mund të ishte një problem me shpretkën time, gjinekologu më tha se mund të kisha një kist të parrezikshëm, por më sugjeroi të shkoja për një vizitë edhe tek një mjek onkolog. Mjeku më tha se kisha kancer në mëlçi. Prindërit filluan të qanin, por unë ende nuk po e kuptoja mirë se çfarë po ndodhte me mua.

Në ditët në vazhdim mbaj mend se sa shumë po rrënohesha moralisht. Fillova të kuptoja çfarë po ndodhte realisht me mua dhe e dija se nuk më kishte mbetur shumë kohë. Normalisht unë merrja receta me ilaçe të shumta, bëja vizita herë pas here dhe kemioterapi të pafundme. Nuk i merrja parasysh efektet anësore. Doja vetëm të ndihesha më mirë, por në çdo rast ato ma shpifnin. Në çdo kemioterapi ndieja dhimbje, por gjithçka e bëja sepse doja të jetoja. Askush nuk e di se sa vlerë ka jeta, nëse nuk ndodhet në situatat kur jeta vihet në fije të perit…

Mjekët na thanë se mund të hiqnin pjesë nga mëlçia. Bëra dy ndërhyrje të tilla dhe sërish kanceri më prekte. Pas tyre, mjeku që më ndiqte, më tha se e vetmja mënyrë shpëtimi ishte të bëja transplant mëlçie, i cili në atë kohë kishte pasur rezultate pozitive jashtë vendit tonë.

Në spitalin që shkuam, na thanë se transplanti mund të bëhej vetëm nëse plotësoheshin dy kushte. I pari që të kishte mirëfunksionim të mëlçive të reja në trupat  e marrësve dhe i dyti që sistemi im imunitar të ishte frenues ndaj medikamenteve deri në fund të jetës. Mirëpo pavarësisht kësaj, rastet e dhuruesve ishin të pakta. Njerëzit nuk e kuptonin se asgjë nuk do të shkonte keq nëse dhuronin një pjesë të mëlçisë së tyre, sepse ajo sërish do të rigjenerohej aq sa ishte më parë. Ishte pak a shumë si dhurimi i gjakut. Numri i rruazave të kuqe dhe të bardha do të shkonte sërish sa kishte qenë pas pak ditësh.

Vëllai im vendosi të më dhuronte një pjesë prej mëlçisë së tij dhe mbaj mend fjalët e tij para se të hynim në operacion. “Ti ke kurajo, kurse unë jo. Unë e di që ti do t’ia dalësh ta fitosh betejën me kancerin”. Mendova në ato momente që dritat e spitalit më binin në sy se kurajoja ishte të kishe frikë nga diçka, por sërish ta bëje atë gjë. Ishte të eliminoje frikërat e tua për të ndihmuar dikë tjetër…

Më thanë se operacioni zgjati shumë. Mbaj mend vetëm që kur zgjohesha, kisha dhimbje të tmerrshme dhe më bënin vetëm qetësues. Zgjohesha, bërtisja nga dhimbjet, më bënin qetësues e flija. Përherë ky skenar, derisa e mora veten nga operacioni.

Pas tij, kisha një pjesë të mëlçisë së vëllait tim që po rritej në përmasa normale në trupin tim dhe prisja që të mos më prekte më një sëmundje e tillë. Në ditën kur do të dilja nga spitali, më vjen për vizitë një psikologe që punonte në një komunitet ku shkonin persona të sëmurë me kancer. Ajo më kërkoi të shkoja atje për t’u dhënë atyre shpresë se një ditë, edhe ata ashtu si unë, do t’ia dilnin mbanë ta mundnin të keqen që i ishte shfaqur. Kur shkova, pashë edhe një herë njerëz si vetja, pa flokë, të bardhë në fytyrë, por me një dallim nga unë. Nëse përpara operacionit unë kisha përgatitur epitafin që doja të më shkruanin në varr, ata kishin shpresë. Dukej sikur ishte vetëm shpresa ajo që i mbante gjallë.

Jam ndjerë shumë mirë në atë bisedë dhe dua të sjell për lexuesit e kësaj gazete një pyetje që më bënë dhe e mbaj mend edhe tani. “Si do të ndihemi, nëse do të shpëtojmë prej kancerit?” më pyeti një djalë.

Në fillim nuk dija se si t’i përgjigjesha. U mendova mirë, u mbusha me frymë dhe i thashë plot siguri “Të lirë për të vrapuar në maratona, për t’u bërë prindër dhe për të jetuar ditë e ditë të tëra. Ju me siguri keni ëndrra dhe ato duhet t’i realizoni. Ndaj duhet jeta. Për të realizuar ëndrrat që keni”. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button