Your Life

HISTORI PERSONALE / Unë ia dola. Edhe ti mund t’ia dalësh!

E kam shumë të vështirë të flas për një ngjarje të tillë, e cila ka ndryshuar gjithë rrjedhën e jetës sime, por edhe të familjes sime gjithashtu. Isha tetë vjeçe dhe mbaj mend që prindërit më pyesnin vazhdimisht: “E. a dëshiron të kesh një vëlla ose një motër?”. Në atë kohë ishte dëshira ime më e madhe dhe pas çdo përgjigje “Po” që jepja, shihja sytë e mamit që përlotej dhe dilte nga dhoma. Kjo ngjarje ndodhte thuajse përherë, derisa kur mbusha 12 vjeçe, kuptova se mami nuk mund të bënte dot më fëmijë për shkak të një sëmundjeje që kishte kaluar.

Mirëpo, duket sikur mbi shkencën ekziston diçka tjetër që mund të ndryshojë rrjedhën e gjithçkaje. Në moshën 12 vjeçare, prindërit më dhanë lajmin më të bukur. Unë do të bëhesha me një motër. Muajt fluturuan dhe, kur unë isha afërsisht 13 vjeçë, motra erdhi në jetë. Nuk kishte lotë gëzimi, as të qeshura, por hidhërim që e përfshiu gjithë dhomën e maternitetit. Motra ime kishte lindur me sindromin Doën. Ishte një çregullim gjenetik që nënkuptonte me pak fjalë, prapambetje fizike dhe mendore për motrën time. Mjekët nuk e kishin parashikuar dot këtë gjë, por një ngjarje e tillë, në një natë të ftohtë dhjetori e në prag të festave të fundvitit, shënjoi gjithë jetën time dhe të personave që më rrethonin.

Periudha që pasoi, ishte një periudhë heshtjeje në familjen tonë. Doja të dija se çfarë mendonin prindërit e mi, por sa herë ata diskutonin diçka, unë duhet të lija dhomën…

Motra u rrit dhe unë sot jam 20 vjeçe. Këtë vit, një muaj më parë, ne supozohet ta çonim motrën në shkollë, por ajo ishte ndryshe dhe asnjë mësues/e nuk e merrte përsipër.

“Për të duhen specialist. Ne nuk e marrim përsipër”, na thoshin në çdo shkollë ku trokisnim.

Nuk mbaronte këtu. Gjithë fëmijët e lagjes refuzonin të qëndronin me të. Madje një herë kur unë po kaloja duke mbajtur përdore motrën, dikush edhe e ofendoi dhe gjithë pjesa tjetër qeshi me të. Ishte gjëja më e vështirë që kam arritur të përballoj deri më tani. Ajo ndoshta nuk e kuptoi se çfarë donte të thoshte ofendimi “gjysmake” që erdhi prej djalit të lagjes, por unë u habita se si ajo u përlot dhe lotët e saj nuk kishin të mbaruar. Ajo u prek nga ajo situatë dhe unë isha e pamundur të bëja diçka për të ndryshuar mendësinë e disa fëmijëve që nuk e kuptojnë rëndësinë e një problemi si i motrës sime.

Tashmë ajo studion në shtëpi me një mësuese që prindërit e paguajnë për mësimet private dhe në vetëm një muaj, ne po arrijmë të shohim rezultate shumë pozitive tek motra. Unë nuk dua që ajo të ndryshojë për të tjerët, por lutem dita-ditës që në një ditë të bukur, ajo të jetë e gatshme të çohet, të flasë, të kuptojë dhe t’i thotë botës “Unë ia dola. Edhe ti mund t’ia dalësh.

Leave a Reply

Back to top button