AnalizaBota

Historia, armiku më i egër i Partisë Komuniste Kineze

Nga Francis Grice

Sipas dëshmive konvencionale të Luftës Civile Revolucionare Kineze (1926-1949), Mao Ce Duni është përshkruar si heroi që drejtonte një turmë të madhe ithtarësh fshatarë, të cilët u ngritën masivisht për të mposhtur armiqtë e tyre imperialistë, dhe për të ngjitur në pushtet komunistët.

I zakonshëm gjatë mbretërimit të Maos, ky përshkrim mbetet një gurthemeli kryesor në propagandën e Partisë Komuniste Kineze (PKK), dhe mëton të jetë legjitime edhe sot. Megjithatë, vërtetësia e tij është vënë në pikëpyetje gjatë viteve të fundit, dhe kjo e kërcënon drejtpërdrejti mbijetesën e partisë.

Një numër në rritje historianësh – si në Kinë dhe jashtë saj – kanë filluar të de-konstruktojnë mitin. Ndër më të rëndësishmit janë Jung Çang dhe Xhon Hollidej, të cilët kanë shkruar një ri-tregim kritik të jetës dhe veprimtarisë së Maos, me tezën se ai dhe pasuesit e tij ishin banditë të etur për gjak, që hapën rrugën e tyre drejt pushtetit, përmes një dhune të paparë kundër civilëve, manipulimeve dhe fatit.

Revizionizmi i Çang dhe Hollidej, është demonizuar nga PKK (dhe i denoncuar nga disa sinologë perëndimorë), por pretendimet e tyre kryesore rreth mizorive dhe mungesës së popullaritetit të PKK-së gjatë periudhës së hershme, kanë qenë të përmendura nga shumë studiues të tjerë.

Një hulumtim veçanërisht zbulues është kryer nga historiania kineze, Sun Shujun, e cila ri-gjurmoi veprimtarinë e Maos dhe komunistëve gjatë tërheqjes famëkeqe “Marshimit të Madh” nga malet Jiangxi në Yan’an në vitet 1934-1935. Gjatë udhëtimit të saj, ajo intervistoi veteranët e atij marshimi dhe banorët lokalë të cilët ishin gjallë në atë kohë, dhe zbuloi versione shumë më negative të ngjarjeve, sesa ato të propaganduara nga PKK.

Një vëmendje të veçantë, meriton edhe studimi i Zhan Lui Margolin, Fronk Dikote dhe Rudolf Rumel mbi mizoritë e mëdha, dhe trajtimin çnjerëzor të civilëve nga komunistët gjatë ngjitjes së tyre në pushtet. Studime të tilla dhe të tjera të ngjashme, po hedhin dritë mbi të vërtetën reale rreth Luftës Civile Revolucionare Kineze.

Në kundërshtim me propagandën e PKK-së, Mao dhe komunistët ishin kryesisht të panjohur për pjesën më të madhe të ekzistencës së tyre të hershme, dhe ata që kishin dëgjuar për ta, prireshin t’i shihnin me dyshim apo armiqësi të plotë. Nën udhëheqjen e Maos në atë kohë, PKK vrau qëllimisht miliona njerëz gjatë 2 spastrimeve të mëdha në vitet 1930 dhe 1940, si dhe përmes vrasjeve masive në vazhdim dhe keqtrajtimit të civilëve.

Pa dyshim, kjo gjë e dëmtoi dramatikisht procesin e rekrutimit, dhe ruajtjen e mbështetësve të kauzës komuniste. Edhe në pikun e supozuar të popullaritetit të tij në vitin 1945, kur Zhu De bëri pretendimin e ekzagjeruar, se PKK kishte rreth 1.2 milionë anëtarë, është e dukshme se Partia Nacionaliste mund të vërtetonte se kishte një anëtarësi prej 3 milionë njerëzish.

Refuzimi i komunistëve për t’u çarmatosur dhe pranuar sundimin nacionalist, pavarësisht se populli kishte duruar 8 vite rraskapitjeje të pushtimit japonez, i kushtoi shumë popullaritetit të tyre, kur shpërthyen sërish luftimet në vitin 1946.

Kohët e fundit, po thuhet se komunistët i mposhtën nacionalistët me vendosjen e ushtrive të mëdha konvencionale, dhe jo përmes shpërthimit të kryengritjeve popullore në të gjithë vendin. Për më tepër, ushtritë e tyre ishin të pajisura kryesisht nga Bashkimi Sovjetik, dhe u populluan kryesisht nga fshatarë në vend të vullnetarëve ithtarë.

Në fakt, nuk ekzistonte asnjë rebelim popullor pro-komunist prapa vijave të armikut, gjatë gjithë luftës civile 30-vjeçare, edhe pasi u bë e qartë në fund të viteve 1940, që PKK-ja ishte në prag të fitores së plotë. Provinca e Jiangxi- shtëpia e Maos dhe pasuesve të tij gjatë viteve 1930 dhe vendndodhja e sovjetit të parë të plotë kinez – ishte një nga bastionet e fundit, që kapitulloi ndaj PKK-së në vitin 1949.

Banorët lokalë, i kujtonin me aq tmerr dhe urrejtje tmerret e sundimit të Maos, saqë ishin të gatshëm të luftonin, deri kur u bë e qartë që humbja ishte e pashmangshme. Në ish-Bashkimin Sovjetik, mitet rreth Stalinit u denoncuan zyrtarisht nga Nikita Hrushov, dhe sundimi i tij terrorist u ekspozua vetëm 3 vjet pas vdekjes së tij në vitin 1953.

Duke pasur parasysh ndryshimet themelore, që Kina ka pësuar që nga vdekja e Maos në vitin 1976, mund të ishte logjike që qeveria kineze të çmontonte në mënyrë të ngjashme mitet që rrethojnë kohën e Maos si kryengritës. Ten Hsiao Pini, e pati një shans të tillë në fund të viteve 1970, por ndërsa kritikoi veprimet e Maos pasi u themelua zyrtarisht Republika Popullore e Kinës në vitin 1949, ai nuk pranoi të kritikonte në mënyrë të ngjashme periudhën e mëparshme të Maos.

Sot, PKK është e lidhur me mitin e popullaritetit të Maos gjatë Luftës Civile Revolucionare Kineze, edhe kur ekspozohet ndaj provave kontradiktore. Dhe kjo sepse përshkrimi i Maos dhe i komunistëve, si të ardhur në pushtet nga një rebelim popullor, u siguron atyre iluzionin e një mandati popullor, për të cilin ata nuk do të kishin asnjë pretendim.

PKK nuk ka asnjëherë nevojë të mbajë zgjedhje demokratike, thotë kjo logjikë, pasi komunistët fillimisht u zgjodhën nga njerëzit për të udhëhequr, dhe ky besimi i shenjtë mbetet edhe sot. Kjo ishte arsyeja e njëjtë thelbësore, se përse Hrushovi denoncoi Stalinin, por neglizhoi të dënonte paraardhësin e tij Leninin, pavarësisht se ky i fundit gëzonte gjithashtu një popullaritet të kufizuar, dhe mbikëqyrte mizoritë e panumërta kundër popullit rus.

Mandati i një fillese popullore, ka më shumë rëndësi tani për komunistët, sesa në çdo kohë që nga mbarimi i sundimit të Maos, pasi kërkesa e tyre kryesore për legjitimitetin po dobësohet.

Që në fillim të viteve 1980, PKK ka mbështetur akumulimin e shpejtë të pasurisë, duke shoqëruar standardet e përmirësuara të jetesës dhe reputacionin e lidhur, me rregullin kompetent që ka dhënë ekonomia e saj gjithnjë e më pranë tregut.

“Le të sundojmë të pakontestuar, dhe ne do t’ju japim një ekonomi të begatë dhe një cilësi të mirë jete”, ka qenë motoja e udhëheqjes kineze. Ndërsa kjo marrëveshje ka mbijetuar për dekada, aftësia e komunistëve për të shpërndarë mirëqenie, po vihet tashmë në dyshim.

Vit pas viti rritja ekonomike është duke u pakësuar, mangësitë strukturore janë duke u ekspozuar, dhe ngjarjet ndërkombëtare si tarifat e fundit të tregtare të vendosura nga Trump, po e rëndojnë situatën. Për më tepër, ndarja të varfër-të pasur është në rritje, kushtet e punës po përkeqësohen në shumë fabrika, dhe lagjet e varfra janë bërë normë në shumë qytete të mëdha.

Partia është shumë e vetëdijshme, se nëse humbet pretendimet ekonomike ashtu edhe pretendimet historike ndaj legjitimitetit, atëherë rrezikohet të shndërrohet në një shtet të paqëndrueshëm autoritar, që mbahet më këmbë vetëm nga represioni, frika dhe nxitjet e popullatës ndaj ksenofobisë nacionaliste.

Prandaj, PKK ka me të drejtë frikë, se një transmetim i gjerë i fakteve reale rreth origjinave të saj vrastare dhe jopopullore, mund të zhdukë mëtimin e saj se është një qeveri gjerësisht popullore. Për të parandaluar këtë skenar, ajo ka gjasa të nxisë mitet pro-Maos, dhe të censurojë githnjë e më të egër në të ardhmen, ata që përpiqen të vënë në pikëpyetje vijën e saj në këtë çështje.

Në vend se të luftohet në fushat ekonomike, politike, madje edhe ushtarake, beteja vendimtare për fatin e PKK-së, mund të bëhet mbi historinë e saj. Nëse komunistët mund të vazhdojnë të propagandojnë me sukses kauzën, se ata u zgjodhën dhe u vendosën në pushtet nga populli, mund të jenë në gjendje të përballojnë stuhinë e afërt ekonomike.

Por nëse PKK dështon në këtë mision, dhe natyra e vërtetë e ngjitjes jopopullore dhe shpesh brutale në pushtet ekspozohet plotësisht, pretendimi i fundit i mbetur për legjitimitet do të rrëzohet, me pasoja potencialisht shpërthyese.

Shënim: Francis Grice, është ndihmës profesor i shkencave politike dhe studimeve dërkombëtare në kolegjin McDaniel në Merilend të SHBA-së. Libri i tij më i fundit, titullohet “Miti i Mao Ce Dunit dhe kryengritja moderne”

Burimi: “National Interest”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button