BotaMAIN

Historia e gjatë dhe e tmerrshme e Villa San Martino e Silvio Berlusconit

Nga Vera Bercovitz

Më 30 gusht 1970, një krim i tmerrshëm tronditi shoqërinë tradicionalisht të rezervuar dhe puritane romane. Në një shtëpi dupleks në Via Puçini në qendër të Romës, tre persona u gjetën të vdekur nga plagët e shkaktuara  nga armët e zjarrit.

Viktimat ishin Markezi Camillo Casati Stampa, gruaja e tij, Anna Casati, 41 vjeçe dhe Massimo Minorenti, 25 vjeç. Markezi i përkiste njërës prej familjeve më të pasura në Italinë Veriore dhe zotëronte toka dhe prona në zonën e Milanos.

Midis tyre ishte Villa San Martino, në Arcore, një pronë luksoze prej 90 hektarësh me një pallat të mrekullueshëm të shekullit XIX-të, që në vitin 1974 u bë rezidenca dhe selia e Silvio Berlusconit, dhe ku sot prehen mbetjet e tij mortore pas funeralit shtetëror që u m bajt më 14 qershor .

Markezi kishte gjithashtu një vajzë nga një martesë e mëparshme, Anna Maria Casati, e cila pavarësisht se u bë trashëgimtarja e tij nuk kishte qasje tek trashëgimia e saj sepse ishte e mitur në kohën e krimit. Ndaj menaxhimi i pasurisë së saj u bë nga 2 kujdestarë:Giorgio Bergamasco dhe një avokati i ri dhe ambicioz, Césare Previti.

Por ishte ky i fundit që do të kujdesej për punët e Anna Marias, sepse Bergamasco u emërua shumë shpejt ministër në qeverinë e Giulio Andreottit. Kur në vitin 1972 Anna Maria mbushi 21 vjeçe, ajo vendosi të nxjerrë në shitje pronat e babait të saj. Më vonë, u transferua me banim në Brazil.

Duke iu bindur dëshirës së Anna Marias, Previti iu fut punës dhe shumë shpejt i dha dy lajme, një të mirë dhe një të keq. Lajmi i mirë ishte se Villa San Martino kishte një blerës. Lajmi i keq ishte se ai ishte i gatshëm të paguante vetëm 500 milionë lireta (rreth 280.000 dollarë) në formën e aksioneve në kompaninë e tij të ndërtimit.

Blerësi quhej Silvio Berlusconi. Previti e këshilloi ta shiste vilën. Dhe Anna Maria i besoi këshillës së tij. Villa San Martino dhe gjithçka që përmbante – një bibliotekë me mijëra vëllime, mobilje dhe vepra arti me vlerë të madhe – kaloi në duart e të riut Berlusconi dhe Anna Marias i mbetën një pjesë aksionesh të cilat vlerësoheshin në 1.7 miliardë lireta.

Kur më vonë po nga Brazili, Anna Maria vendosi t’i shiste, në skenë doli vetëm një blerës: Berlusconi, i cili i ble me gjysmë çmimi. Sot San Martino vlerësohet afro 57 milionë dollarë.

Anna Maria ende jeton jashtë vendit me familjen e saj. Ajo nuk është kthyer më në Itali dhe nuk dëshiron të ketë lidhje me këtë histori. Previti u bë i pasur duke qenë pranë Berlusconit.

Ai ishte dora e tij e djathtë në biznes, u bë Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e parë të Berlusconit dhe deputet i Forza Italia. Po ashtu ishte edhe avokat i Kavalierit. Pas një karriere të mbushur me skandale, në vitin 2006 u burgos për ryshfet ndaj gjyqtarëve.

Markezi Camillo Casati Stampa ishte një burrë shtatlartë, zeshkan, një gjahtar i sprovuar dhe një kalorës i shkëlqyer. Por mbi të gjitha, ishte jashtëzakonisht i pasur. Casati Stampa ishin një familje fisnike lombarde dhe Camillo Casati Stampa di Soncino kishte trashëguar një sipërfaqe toke në Segrate, si dhe ndërtesa dhe apartamente luksoze në Romë dhe Milano, prona gjuetie dhe një kështjellë në Cusago.

Ai zotëronte gjithashtu ishullin Zannone, një cope e vogël toke shkretinore në Detin Tirren, midis Romës dhe Napolit, e cila kishte një rezidencë. Ishte një mjedis kryesisht i pabanuar ku mbretëronte vetëm një njeri:markezi. Camillo u martua me balerinën napolitane Letizia Izzo, emri i së cilës ishte Lidia Holdt dhe me të pati një vajzë, Anna Maria.

Por bota e tij u përmbys, kur takoi Anna Fallarinon. Fallarino ishte një grua e re e bukur, me flokë të errët, e bija e një nëpunësi dhe një amvise, e cila kishte lënë vendlindjen e saj Benevento në Italinë Qendrore, për të kërkuar fatin e saj.

Synimi i saj ishte të bënte karrierë si aktore në Romë, por ajo nuk pati të njëjtin fat të legjendave të tjera italiane me origjinë më modeste si Sofia Loren, dhe i vetmi film në të cilin u shfaq, Totò Tarzan (1950), nuk i shërbeu për të çarë më tej në fushën e kinematografisë.

Fati i saj ndryshoi kur takoi Giuseppe “Peppino” Drommi, një inxhinier i pasur 28-vjeçar, i cili u martua me të. Fallarino nisi të frekuentonte festat mondane dhe në vitin 1958 takoi në Kanë playboy-n e famshëm domenikan Porfirio Rubirosa, i cili ra në dashuri me të dhe u përpoq ta joshte.

I ofenduar Peppino nisi të zihej me Rubirosa, dhe Camillo Stampa, që ishte gjithashtu i pranishëm në festë, u përpoq të qetësonte dy burrat. Në atë moment u kryqëzuan edhe jetën e Camillos dhe Annas. Ndjenja ishte e ndërsjellë. Camillo dhe Anna u dashuruan marrëzisht, dhe pasi i dhanë fund martesave përkatëse u martuan në vitin 1959.

Kështu nisi një marrëdhënie e çuditshme. Që natën e dasmës, markezi i kërkoi gruas së tij të bënte seks me një kamarier. Gjithçka u regjistrua në ditarin e markezit, i cili u publikua në shtyp (disa besojnë nga policia), dhe pjesë të të cilit u botuan në disa gazeta të kohës.

Marrëdhëniet e saj më të rinj simpatikë ndërsa Casati Stampa shikonte, fotografonte dhe shkruante gjërat në një fletore, u bë një praktikë e zakonshme për çiftin. Zakonisht, ishte markezi ai që zgjidhte të dashurit e Annës, të cilët ishin zakonisht të rinj, të pashëm dhe të shtresave më të ulëta shoqërore.

Ndonjëherë kërkonin së bashku jashtë lokaleve. Ata organizuan edhe festa dhe gjueti në pronat e tyre, njëra prej tyre Zannone, një ishull që nuk vlente shumë, por ku markezi mund t’i përkushtohej hobit të tij, gjuetisë, dhe bashkëshortja e tij bënte banjo dielli lakuriq.

Por gjithçka ndryshoi në janarin e vitit 1970 kur Anna Fallarino takoi Massimo Minorentin, një udhëheqës 25-vjeçar i rinisë fashiste. Ajo që filloi si një takim seksual si në raste të tjera, u kthye në diçka më shumë. Anna dhe Massimo ndjenë një tërheqje të ndërsjellë dhe ranë në dashuri.

Markezi shënoi në ditarin e tij: “Kjo nuk ishte pjesë e lojës. Kjo është hera e parë që gruaja ime më ka tradhtuar me zemrën e saj!”. Dhe në një ditë gushti të atij viti, markezi që kishte shkuar për të gjuajtur në pronën e familjes Marzotto në Valdagno, i telefonoi gruas së tij dhe në telefon u përgjigj Minorenti.

 Menjëherë ai u rikthye në dupleksin e tij në Romë, dhe i kërkoi stafit të mos e shqetësonte. Ai shkruante në ditarin e tij:“Më fal e dashur, por atë që do të bëj, më duhet ta bëj. Lamtumirë, gëzimi i vetëm i jetës sime!”. Do të ishte shënimi i fundit në ditarin e tij. Markezi mori një nga pushkët e tij dhe gjuajti 6 herë: 2 mbi Minorentin, 3 herë ndaj Anna Fallarinos, ndërsa herën e fundit ndaj vetes së tij. Ai mbeti në histori si “krimi që tronditi Italinë’. / “El Pais” – Bota.al

Back to top button